Home Bota Rusia “privatizon” planetin ku dyshohet se ka jetë

Rusia “privatizon” planetin ku dyshohet se ka jetë

Rusia ka “privatizuar” Afërditën pas zbulimit të fosfinës nga një grup shkencëtarësh amerikanë, zbulim që sugjeron se në atmosferën e këtij planeti mund të strehohet jetë.

Roscosmos, agjencia ruse hapësinore, njoftoi planet për të nisur më vete një mision eksplorues në këtë planet. Kreu i kësaj agjencie tha se do të nisë puna për një projekt kombëtar, pa bashkëpunimet e zakonshme me agjencinë amerikane, NASA, europianen ESA, apo agjencinë hapësinore japoneze.

“Ne besojmë se Afërdita është një planet rus”, tha Dmitry Rogozin për agjencinë ruse të lajmeve, TASS.

Roscosmos ka dalë me një deklaratë, ku i kujton “konkurrencës” për pushtimin e hapësirës se misioni i parë i ndërmarrë në drejtim të Afërditës ishte misioni i Bashkimit Sovjetik.

“Hendeku i madh mes Bashkimit Sovjetik dhe konkurrentëve të tjerë në vëzhgimin dhe eksplorimin e Afërditës kontribuoi në faktin që në SHBA, Afërdita cilësohet si një planet rus”, tha agjencia ruse e hapësirës.

Rusët pretendojnë se kanë prova të mjaftueshme që sugjerojnë se disa “objekte” në sipërfaqen e Afërditës kanë ndryshuar vendndodhje, ose mund të jenë të gjallë, megjithëse gjithçka mbetet ende në kuadrin e hipotezës.

Synimi i rusëve është që programi kombëtar të jetë si shtojcë e pavarur e projektit “Venera-D”, për të cilin Roscosmos po punon me NASA-n. Fillimisht u tha se Rusia mund të ndërpriste bashkëpunimin me agjencitë e tjera partnere për këtë projekt, por më vonë u vendos që projekti në fjalë të vazhdohej si bashkëpunim me amerikanët dhe paralelisht të ndërmerret një program kombëtar për një mision të pavarur dhe më të thellë në eksplorimin e Afërditës.

Roscosmos tha se synon që të studiojë sipërfaqen dhe atmosferën e Afërditës, si edhe procesin e evolucionit të këtij planeti, që besohet se ka pësuar një ndryshim drastik për shkak të një katastrofe të lidhur me ndotje të shkaktuar artificialisht.

Loading...