Home Lajmet kryesore INTERVISTA: Agjenti i Sigurimit të Shtetit që mbajti fjalimin e përcjelljes në...

INTERVISTA: Agjenti i Sigurimit të Shtetit që mbajti fjalimin e përcjelljes në varrimin e Ahmet Zogut frymëzoi “Mërgatën e Qyqeve”

Në një intervistë të gjatë botuar me dy pjesë në numrat e fundit të gazetës Dita, foli për lexuesit ish-diplomati Hasan Luçi.

Luçi, që në të vërtetë punonte për kundërzbulimin shqiptar të kohës, tregoi ndër të tjera historinë e Isuf Mullait, agjent i Sigurimit të Shtetit që depërtoi deri në oborrin e Ahmet Zogut dhe mbajti madje fjalimin e përcjelljes në varrimin e tij.

Prof. Dr. Nasho Jorgaqi tregon në këtë intervistë botuar sot në DITA historikun e romanit të famshëm “Mërgata e Qyqeve”.

Shkrimtari Jorgaqi tregon në këtë intervistë se pikërisht Isuf Mullai është agjenti që ka frymëzuar ndërtimin e personazhit kryesor të “Mërgatës” kurse Hasan Luçi ka qenë konsulenti kryesor i veprës që bëri bujë kur u botua.

Më poshtë, intervista:

Mërgata e qyqeve”, një nga romanet e rrallë të letërsisë së realizmit socialist, që pëlqehet edhe sot. Ç’ndjesi ju krijon ky fakt?

Ndjesinë që krijon çdo vepër me vlerë që ke shkruar, po “Mërgata e Qyqeve” ka disa veçori dalluese, vështruar në kontekstin social-psikologjik dhe letrar. Është padyshim vepra ime më e lexuar që zgjoi shumë interes në kohën kur u botua për herë të parë, por edhe sot lexohet, bile ngjall debate dhe pse jo dhe probleme.

Është një temë e vështirë, një subjekt delikat, që kalon në majë të thikës së historisë sonë moderne, ku plekset historia me politikën, politika me jetën, e jeta me njeriun, me psikologjinë e tij në shumë plane. Dhe të gjitha këto përmes një gërshetimi të dramës me komedinë.

Është fati i një shtrese shoqërore shqiptare, ai i të mundurve që tentojnë të bëjnë histori, por që janë të mundur prej saj dhe fati i të mundurve është një fat shpesh tragjikomik. Kjo përbën dhe tharmin e romanit, atë tharm që e ngjizi veprën dhe i dha origjinalitet, tanimë të pranuar.

Nga botimi i parë dhe deri më sot ka kaluar afro gjysmë shekulli, cilët kanë qenë arsyet që ju shtynë ta ribotonit këtë vepër?

Ishte një kërkesë e vazhdueshme e lexuesve dhe e kolegëve, por dhe një dëshirë e imja si autor. Pavarësisht nga bindja që kisha, për vlerat e saj të qëndrueshme, që doja që vepra të përballej me provën e kohës.

A i kishte qëndruar dhe sa i kishte qëndruar kohës. Në radhë të parë artistikisht, por edhe për brendinë e saj, për ngjarjet, personazhet, për idetë, për vërtetësinë historiko-psikologjike. Të provonte hapur edhe njëherë se nuk ishte një roman propagandistik, por një vepër e qenësishme letrare.

Dhe vepra të tilla sfidojnë ndryshimet e sistemeve dhe e bëjnë jetën e tyre të pavarur. Mirëpritja e romanit nga lexuesit e sotëm tregoi se kjo pavarësi ishte arritur. Domethënë, vepra sfidoi me sukses kohën e vështirë të tranzicionit, kohën e përmbysjes së një sistemi, idealet e të cilit ishin në themel të veprës.

Fakti është që romani gjeti tregun, tërhoqi përsëri lexuesin, u pranua prej tij krejt normalisht. U pranua si nga lexuesit e brezit të vjetër, të ashtuquajturit nostalgjikë, ashtu edhe nga lexuesit e brezit të ri. Pra, koha nuk e rrëzoi, por e qasi, e vlerësoi, i dha atë vend që i takon.

Më bëri përshtypje fakti që kundërshtarët e romanit nuk iu kundërvunë publikisht dhe këtë, nuk dua ta marr si një shpërfillje apo nënvlerësim, por si një vështirësi për t’u ballafaquar me realitetin e pamohueshëm që ngërthen dhe përshkruan vepra ime. Natyrisht për mua si autor, kalimi me sukses i provës së kohës përbën një kënaqësi të veçantë.

Si lindi ideja për ta shkruar këtë vepër?

Ideja e veprës lindi krejt rastësisht. Aty nga fillimi i viteve ’70 u gjenda në Durrës, me shkrimtarin Resul Bedo, ku kishim shkuar për muajin e letërsisë. Pasi mbaruam punë, ai më propozoi të vizitonim një bashkëfshatar të tij.

Unë iu shmanga ftesës, por kur ai më tha “E di si është puna? Bashkëfshatari im ka qenë zbulues jashtë vendit për mbi 10 vjet dhe tashti është kthyer. Hajde ta takojmë se do jetë me vlerë për të shkruar diçka”.

Prapë nuk tregova ndonjë interes të veçantë, sepse nuk isha marrë ndonjëherë me ketë temë dhe nuk kisha ndërmend të merresha. Mirëpo në momentin kur ky më tha: “Hajde, a derëzi, hajde shkojmë se është një rast i rrallë. Ky njeri, kur ka vdekur Zogu i ka mbajtur fjalimin mbi varr”.

Mjaftoi kjo që unë të lidhesha, të dorëzohesha, dhe shkuam. Ky ishte bashkëfshatari i tij nga Fushëbardha, Isuf Mullai. Shkuam, na priti me përzemërsi, por në rrëfimet e tij tregohej tepër i përmbajtur. Dukej që kishte bërë jetën e një zbuluesi.

Isuf Mullaj duke u dekoruar pas kthimit në Shqipëri

Dhe kur unë i propozova se a mund të shkruaja ndonjë tregim për episodin që lidhej me fjalimin e tij mbi varrin e Zogut, ai më tha që kjo “Kjo nuk varet prej meje, për këtë duhet të pyesni lart”.

Pas kësaj, unë vij në Tiranë dhe takohem me mikun tim, Jorgaq Mihalin, që punonte në sektorin e zbulimit pranë Ministrisë së Jashtme. Ai ishte burrë me kulturë, me horizont dhe e mirëpriti dëshirën time, por më tha se kjo nuk ishte kompetencë e tij.

Ai më premtoi një takim me Kadri Hazbiun, me të cilin u takova pas disa kohësh dhe ia parashtrova dëshirën time. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe më mirëkuptoi, por edhe pse ishte Ministër i Brendshëm, nuk më dha zgjidhje në takimin e parë.

Problemi ishte se zyrtarisht nuk pranohej që shteti shqiptar kishte një rrjet zbulimi jashtë vendit dhe informatorë në radhët e emigracionit politik. Prandaj Hazbiu nuk u tregua menjëherë i gatshëm për të më dhënë autorizimin që të shkruaja një vepër që kishte në qendër punën e një zbuluesi në mërgim.

Kështu doli nevoja që të bisedohej në Komitetin Qendror të Partisë. Atëherë unë iu drejtova Ramiz Alisë, që mbulonte sektorin e propagandës dhe të kulturës. Ai nuk pati asnjë dilemë, e miratoi kërkesën time menjëherë.

Mbasi u mor leja që ishte aq e rëndësishme, atëherë unë fillova nga puna. Të them të drejtën, nuk mendoja të shkruaja një vepër policeske, aq më tepër një roman xhalo. Doja të shkruaja një roman në radhë të parë psikologjik. Kryesore të mos ishte aventura, por jeta e këtyre njerëzve të mërgatës, bota e tyre, hallet e tyre, dramat e tyre me theks tragjikomik. Kjo më tërhiqte.

Gjëja e parë që bëra mbaj mend, që lexova një vepër me këtë temë, romanin “Emigrantët”, të shkrimtarit të shquar sovjetik Aleksej Tolstoi. Ishte një roman që fliste për fatin e rusëve të bardhë në Paris pas revolucionit të Tetorit.

Të them të drejtën, romani nuk më entuziazmoi, megjithëse ai ishte një shkrimtar goxha me vlera, por lënda që kisha unë, kushtet shqiptare më diktonin një gjë tjetër. Tjetër psikologji, tjetër mjedis e të tjera kushte historike, të tjera fate njerëzish.

Kështu, që lashë burimin letrar dhe fillova punë për njohjen e burimeve të historisë dhe jetës shqiptare. Për këtë m’u caktua një konsulent, një nga kuadrot e zbulimit shqiptar, një diplomat me eksperiencë siç ishte Hasan Luçi. Nëpërmjet tij unë do të njihesha me dokumente, të cilat ai nuk do të m’i jepte në dorë, por do të m’i lexonte. Pra, të dhënat dokumentare do të më jepeshin me pikatore.

Hasan Luçi

Kishte rregulla shumë të ngurta dhe ndonëse unë Hasanin e bëra mik, ai gjithmonë rrinte i distancuar dhe kur bëja pyetje përtej normave zyrtare, ai ndonjëherë buzëqeshte dhe ia bënte “no comment”. Pra, nuk jepte përgjigje, por unë pastaj u mësova dhe megjithëse nuk më pëlqente kjo gjë, sepse më pengonte në ndërtimin e veprës, prapë isha i detyruar ta pranoja këtë qëndrim si një rregull që duhej respektuar.

Natyrisht për mua burimi kryesor ishin zbuluesit që kishin kryer detyrat, dhe ishin kthyer në atdhe, në shtëpitë e tyre. Shumica qenë në pension, por prej tyre në radhë të parë ndihmën më të madhe ma ka dhënë Isuf Mullai, i cili kishte jetuar mbi 10 vjet në emigracion, duke kaluar nëpër kalvarin e zbulimeve të huaja dhe ishte vendosur pastaj në Belgjikë, ku kishte bërë karrierën e tij “politike”.

Deri atëherë ju kishit shkruar prozë dhe vepra studimore dhe dokumentare, por me një roman të tillë ju u afirmuar akoma më shumë si shkrimtar. A mund të na thoni mbresat nga suksesi i atyre viteve?

Ky është një fakt i njohur për bashkëkohësit, i pasqyruar dhe në shtypin e kohës, që romani pati një pritje shumë të mirë. Shkroi shtypi letrar, por edhe gazetat e përditshme, mora letra nga lexuesit, mora ftesa, bëra plot takime.

Romani u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar të vitit 1979, si romani më i mirë dhe njohu tre botime, me një tirazh që sot është i pakonceptueshëm, në 100 mijë kopje. Natyrisht, për mua ky ishte shpërblimi më i mirë, një stimul në punën time si krijues.

Romani u shpërnda edhe në diasporë, hyri dhe në Kosovë ku gjeti një pritje shumë të ngrohtë. Linja më e dashur e romanit për mua është linja e kosovarëve, fati i familjeve të tyre, i luftës që zhvillonte UDB-ja për t’i bërë për vete, për t’i përçarë dhe kujdesi që tregonte shteti shqiptar përmes zbuluesve të vet, për ta ruajtur dhe për të kultivuar patriotizmin e tyre.

Kjo linjë mua edhe sot e kësaj dite më emocionon. Zbuluesit tanë mbështetjen kryesore e kishin pikërisht te vëllezërit e tyre kosovarë. Nga vitet 1978 – ‘80, kur sapo ishte botuar romani dhe unë shkoja në Kosovë si pedagog për të dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës, kam kujtime dhe emocione të paharrueshme.

Ishte pragu i ngjarjeve të vitit ’81 dhe njerëz të panjohur, sidomos studentë, më kapnin në rrugë, vinin në hotel, më ftonin për kafe, më jepnin letra nën dorë. Të gjithë donin të dinin diçka më shumë për “Mërgatën e qyqeve”.

Një nga udhëheqësit e demonstratave të famshme të asaj kohe, Idajet Hyseni, që thonë se është më i torturuari nga UDB-ja nga të gjithë të burgosurit, kur e kam takuar për herë të parë në Amerikë pastaj në Kosovë, më ka thënë: “Me këtë libër ne jemi edukuar dhe ky ka qenë libri më i dashur për Jusuf Gërvallën. Libri qarkullonte dorë më dorë në burgjet, ku vuanin shqiptarët në Kosovë e në Serbi”.

Të them të drejtën, kur shkoj në Kosovë dhe tani vepra që më prezanton është “Mërgata”. Edhe pse kohët kanë ndryshuar, lexuesit e mbajnë si një libër që ka luajtur rol në edukimin e tyre, në luftën e përpjekjet e tyre për liri. Duke lënë mënjanë modestinë, mund të them se “Mërgata…” i ka ndihmuar të rinjtë revolucionarë të Kosovës në ngjarjet e vitit 1981 dhe kjo më bën të ndjehem krenar.

Sa vite ju deshën për të shkruar?

Gjithsej për të mbledhur e për t’u njohur me materialin jetësor të vjelë nga burime të ndryshme, dhe për ta shkruar pastaj m’u deshën 2-3 vjet. Por zgjati miratimi nga instancat zyrtare për ta botuar.

Duke e parë në retrospektivë çuditem për druajtjen, për një lloj pasigurie që kishte, qoftë edhe nga ministri i Brendshëm. Nga vërejtjet që m’u bënë, m’u desh të heq pjesë që mua m’u dhimbsën. Kalimi përmes kësaj censure, jo vetëm ma vonoi veprën, por edhe ma cungoi, duke prekur në një farë mase objektivitetin.

Kopertina e “Mërgatës”

Në vitin 1978 u botua vëllimi i parë dhe në 1979 vëllimi i dytë. Në vitet ’80, romani njohu dhe dy botime të tjera. U përkthyen disa kapituj në frëngjisht në revistën “Les lettres francaise” dhe një përkthyes gjerman e përktheu dhe në gjermanisht, por ndodhën ngjarjet e ‘90-s dhe ai nuk pa dritën e botimit.

Pas viteve ‘90 ndodhi përmbysja e sistemit socialist. A keni pasur kontakte me njerëz të mërgatës? Çfarë ju kanë thënë ata për romanin tuaj?

Po, kam pasur. Kanë qenë kontakte dhe takime shumë interesante, jo pa emocione, jo pa telashe. Me këta njerëz unë do të takohesha në kushte të reja. Ndonëse më përpara i kisha parë nga larg, ose kisha dëgjuar për ta, tani në rrethana të reja do të përballesha edhe fizikisht.

Natyrisht në atmosferën e gjithë asaj që ngjan në vitet ’90 nuk do të ishte i kollajtë ky ballafaqim. Mund të them se unë u takoj atyre njerëzve që duke evoluar me kohën nuk i kanë mohuar idealet e tyre humane.

Kontaktin e parë e kam pasur në Tiranë me një nga përfaqësuesit e mërgatës politike, siç ishte kryetari i partisë monarkiste Guri Durollari, i cili në mënyrë të mirësjellshme erdhi e më takoi. U prezantua e pastaj më tha se “E kam lexuar veprën. Sigurisht, pozicionet tona politike janë krejt të kundërta, por kur kam lexuar “Mërgatën” jam tronditur. Mund të them me plot gojën se ju keni shkruar të vërtetën, bile e vërteta ka qenë akoma më e rëndë, por në qoftë se do e shkruanit ashtu siç ishte, nuk do t’u besonte njeri”.

Durollari mbronte idetë e tij, pozitën e tij politike, por pati ndershmërinë të pohonte se vepra ngrihej mbi të vërtetën. Për mua kjo si autor është thelbësore, është gjëja më e rëndësishme.

Kam takuar pastaj të tjerë, prapë përfaqësues të partisë zogiste si z. Nderim Kupi, i cili kur më njohu rastësisht u befasua dhe u revoltua, bile më tha se “në qoftë se do t’u kisha takuar atëherë kur lexova romanin nuk e di se çfarë do të kish ndodhur mes nesh”.

Ai nuk e pranonte atë, e quante një falsifikim të historisë, për sa i takon figurës së Zogut. Por biseda jonë rrodhi krejt normalisht gati – gati në mënyrë miqësore, shkëmbyem mendime, secili qëndronte në të vetat, veç edhe ai nuk tentoi ta rrëzonte romanin si vepër letrare.

Për hir të së vërtetës, situatën më të vështirë e kam kaluar në Amerikë, kur shkova për herë të parë në vitin 1993. Duke qenë në një vend të huaj dhe duke rënë në kontakt me njerëz të mërgatës politike që më njihnin kryesisht si autor të “Mërgatës së qyqeve”, madje shumë prej tyre kujtonin se unë kisha qenë eksponent i Ministrisë së Brendshme, ose që kisha kryer detyra si zbulues, u krijuan dhe situata të pakëndshme.

U ndodha në vitin 1993 në Nju Jork, në një mbledhje mes shqiptarëve dhe në kohën kur mbaroi mbledhja dhe dola nga salla, jashtë më priste një grup i madh njerëzisht të mërgatës. Ata më provokuan me sjelljen e tyre dhe pastaj më bënë pyetje nga më të ndryshmet, bile dhe fyese.

Në mes të tjerash më pyetën: A je penduar për atë që ke shkruar? Unë thashë: “A doni të vërtetën si burri burrit? Po, thanë ata, duam të vërtetën. “Dhe unë po ju them: nuk jam penduar”. Atëherë njeri prej tyre u turr në drejtimin tim për të më goditur, por u ndodhën burra gjakftohtë dhe të urtë, që jo vetëm që nuk e lanë, por më dhanë dorën dhe filluam të bisedojmë, siç mund të bëhet një bisedë mes shqiptarëve që takohen në vend të huaj.

Por ndërkaq miqtë e mi njoftuan policinë dhe erdhën ata që evituan ndonjë pasojë të padëshirueshme që mund të kishte ndodhur. Nga ana tjetër, më vjen mirë të përmend me këtë rast fjalët që kam dëgjuar në një bisedë televizive në TVSH, që tha një monarkist. Ai tregoi se kur erdhën krerët e partisë së Legalitetit nga mërgimi, kuptova se ç’ishin ata në të vërtetë.

“Unë, tha ai, kam qenë në burg për mbretin dhe jam rritur këtu në Shqipëri. Mirëpo, kur ata u kthyen këtu ne kujtonim se çoç ishin. Në fakt kishin mbetur shumë prapa nga bota, ishin tamam si personazhet e “Mërgatës së qyqeve!”.

Cilët kanë qenë vlerësimet e personaliteteve të shtetit shqiptar të asaj kohe, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Ramiz Alisë, Kadri Hazbiut për romanin “Mërgata e qyqeve”?

Kadri Hazbiu më ka bërë vlerësime të drejtpërdrejta gojarisht dhe e ka çmuar veprën. Natyrisht, ai e ka çmuar nga pozita e ministrit, e specialistit, nga pikëpamja profesionale, jo aq nga pikëpamja artistike e letrare.

Kurse nga figura të tjera opinionet më kanë ardhur në vesh në rrugë të tërthortë. P.sh. nga njerëz të familjes Hoxha kam dëgjuar se Enveri e kishte lexuar veprën, po a e kishte lexuar pjesërisht a të gjithin, nuk di të them, veç tema e romanit i ishte dukur shumë interesante, e guximshme, origjinale. Pra vepra i kishte pëlqyer aq, sa ua kishte rekomanduar edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Nuk di gjë për opinionin e Mehmet Shehut. Di vetëm se Fiqret Shehu kur më takoi njëherë më përgëzoi për veprën. Por ajo që më ka bërë përshtypje dhe nuk di ta shpjegoj edhe sot e kësaj dite, kryesekretari i Kadri Hazbiut kur doli vëllimi i parë më takonte, më pyeste nëse kisha dëgjuar ndonjë gjë se çfarë kanë thënë ata për romanin. E kishte këtë një pyetje shqetësuese.

As sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar përse ai ishte aq i shqetësuar dhe aq i interesuar se çfarë mund të kishin thënë udhëheqësit për këtë vepër. Nuk e kuptoja se përse e kërkonin nga unë këtë gjë, kur ata kishin kanale të tjera, që mund të dëgjonin.

Por Ramiz Alia ju ka thënë gjë për veprën?

Jo, nuk më ka thënë gjë.

Në të vërtetë ky është një roman, që për ndërthurjen e situatave, ngjarjeve të lë përshtypjen e një historie të jetuar. Çfarë do të thoshit për këtë?

Vepra nuk është histori e një personi, nuk janë kujtimet e një njeriu. Ky është një roman, vepër artistike, ku duke u nisur nga një realitet konkret kam gatuar veprën mbi principet dhe kërkesat, që lyp një vepër arti, ku ka një raport normal mes ngjarjeve të vërteta dhe fiksionit.

Një mori personazhesh e kanë prototipin në jetë. P.sh. personazhi i romanit Ihsan Maçi ka një prototip të tillë në bashkësinë e mërgatës shqiptare të Brukselit apo Anton Kumaçi.

Sigurisht këto janë pikënisje, disa të dhëna embrionale që mua më kanë shërbyer pastaj për të krijuar personazhin të marrë në kontekst social, politik e psikologjik. Kam krijuar karaktere që nuk janë figura anekdotike, por figura që përfaqësojnë dhe mishërojnë ide të caktuara.

Saktësia e të dhënave të lë shijen e mirë që autori nuk është mbështetur thjesht në fantazinë e tij apo në rrëfimin e dikujt. A keni shfrytëzuar të tjera burime për realizimin e “Mërgatës së qyqeve”?

Është krijuar përshtypja sikur romani “Mërgata e qyqeve” i kushtohet një personazhi real, një prej zbuluesve të njohur të sigurimit shqiptar.

Në fakt nuk kam shkruar për jetën dhe veprimtarinë e një zbuluesi, por jam përpjekur duke patur parasysh atë aktivitet të pasur, atë përvojë të jashtëzakonshme që përftuan dhe sollën këta njerëz nga fusha dhe veprimtaria e tyre, të marr ata elementë, ato të dhëna nga burime të ndryshme, që plotësojnë njëra-tjetrën dhe t’ia nënshtroj një qëllimi, një synimi, pra kritereve artistike për të krijuar letërsi.

Kështu që çdo aludim ose mendim se kjo është biografia, përshkrimi i jetës së një personazhi real, nuk është i saktë. I vërtetë është fakti që unë jam njohur dhe kam shfrytëzuar disa figura reale, të cilat janë personalizuar në figurën e protagonistit të romanit, Manush Kelmendi.

A keni pasur konsulencë për përshkrimin e situatave ku mbizotërojnë veprimet e spiunazhit, që e përshkojnë pothuajse të gjithë veprën tuaj?

Sigurisht, sepse nga pikëpamja profesionale unë isha krejtësisht i papërgatitur, isha si gjithë qytetarët, dhe aq më tepër si gjithë kolegët e mi që nuk kishin njohje profesionale në këtë fushë. Të them të drejtën, për arsye që nuk vareshin prej meje mua nuk m’u besua asnjë manual i profesionit, sepse këto ishin top sekret.

Kështu që për fat të keq, por edhe për fat të mirë nuk i pata në dorë. Për fat të keq se kjo vërtetë do të më ndihmonte për të zgjeruar horizontin tim profesional të zbuluesit dhe do të isha më i saktë, por për fat të mirë se thellimi në çështjet profesionale mund ta rrezikonin veprën që përpiqesha të krijoja.

Por, atë zanatin, profesionin e zbuluesit, unë e mësova, e përvetësova dhe e zbatova në veprën time përmes rrëfimeve të zbuluesve dhe ndihmës së pakursyer të konsulentit Hasan Luçi, i cili u bë më pas miku im kishte përgatitje të lartë profesionale.

Ai kishte kryer studime specializimi për zbulim në Bashkimin Sovjetik, por kishte dhe eksperiencën e madhe, të fituar nga detyrat brenda vendit e në përfaqësitë diplomatike ku kishte shërbyer. Dhe kjo ishte një ndihmë efiçente për mua, ndaj dhe vepra do dilte brenda parametrave profesionalë.

Nga dinamika e personazheve dhe rrethanat në të cilat janë vendosur ata, të krijohet përshtypja e një historie të vërtetë. Cili është raporti mes realitetit dhe trillit artistik në këtë roman?

Në qoftë se është kështu përshtypja, atëherë kjo është lëvdata më e mirë që mund t’i bëhet autorit. Dihet se shkrimtari zakonisht niset nga realiteti, por pastaj e realizon veprën përmes fiksionit, ku luajnë rolin e tyre dhe fantazia dhe imagjinata.

Në rastin tim duke qenë se jam dhe autor veprash të letërsisë dokumentare, kjo gjë ka ndikuar në krijimtarinë time dhe i ka dhënë asaj veçoritë e veta. E ka bërë më realiste, më të prekshme dhe më të besueshme.

Personazhi kryesor është një zbulues i përgatitur dhe i dërguar nga Sigurimi i Shtetit jashtë Shqipërisë. A ka një model konkret të personazhit kryesor Manush Kelmendit?

Më duket se pak a shumë kjo pyetje ka marrë përgjigje nga gjithë sa kam thënë më lart. E përsëris që unë pata fatin të njoh disa zbulues, të cilët kishin punuar me vite dhe dekada të tëra jashtë vendit, të ngarkuar me detyra tepër të vështira dhe delikate, në radhët e emigracionit politik, por dhe në instanca shtetërore dhe jo shtetërore të vendeve perëndimore e sidomos në vendet fqinje.

Kuptohet se shumë nga këta, më dhanë mua materiale që i shërbyen ngritjes së veprës. Për hir të së vërtetës, dua të them që nga gjithë zbuluesit, ai të cilin e kam ndjerë më afër dhe që e kam pasur pak a shumë prototip në krijimin e figurës së protagonistit, të personazhit Manush Kelmendi, ka qenë Isuf Mullai.

Unë u miqësova me të, por ai për shkak të sekreteve, të detyrave që kishte kryer, jo gjithnjë do të m’i thoshte të gjitha. Nga intervistat e tij në shtyp u njoha me të dhëna shumë interesante që mund ta pasuronin romanin. Gjithnjë jeta është më e pasur se letërsia, por dhe vjelja e burimeve ka një kufi, pasi një mbingarkesë faktesh e rëndon veprën, i asfikson në një farë mënyre situatat apo i leton personazhet.

Në këto raste është shumë e rëndësishme të ruhet sensi i masës dhe unë, më duket kam arritur ta ruaj dh eta respektoj me rigorozitet atë.
Si konkluzion mund të them se “Mërgata e qyqeve”, nuk është historia e një njeriu por një vepër letrare që synon të përgjithësojë e tipizojë dukuri historike, politike e sociale të caktuara.

Manush Kelmendi është figura e tipizuar e zbuluesit shqiptar në kohën e “Luftës së Ftohtë”.

Përballë personazhit kryesor keni vendosur keni vendosur një tjetër, por në sensin e kundërt, Ihsan Maçi, një ish-oficer i mbretërisë së Zogut, një kundërshtar i komunizmit. Si mundët ta realizonit këtë kontrast?

Më vjen mirë që jo vetëm heroi i romanit, por edhe figurat antagoniste, personazhet kundërshtarë të tij kanë ngjallur interesin e lexuesit dhe ndonjë prej tyre, siç është Ihsan Maçi është bërë gati figurë proverbiale.

Në qoftë se unë për heroin, me gjithë pengesat që hasa, kisha disa prototipa, siç qenë zbuluesit, të cilët me rrëfimet e tyre, më ndihmuan të krijoja figurën e heroit, për personazhet antagoniste, të figurave të ashtuquajtura negative, m’u desh të përballesha me vështirësi. Mbi të gjitha nuk e kisha atë njohje të plotë e të drejtpërdrejtë si me protagonistin.

Është e çuditshme se si në këtë rast më erdhën në ndihmë mbresa dhe kujtime nga fëmijëria dhe adoleshenca ime. Një pjesë e këtyre personazheve që ishin të arratisur jashtë i ngjanin njerëzve pak a shumë që kisha njohur në rrethin e babait tim. Im atë ka qenë gjykatës para çlirimit dhe kjo rrethanë më ka bërë që t’i njoh nga afër autoritetet lokale, komandantë të xhandarmërisë, kryetarë bashkie, xhandarë, milicë, kryepleq, politikanë të Ballit apo të Zogut, bejlerë dhe agallarë.

Këtyre kujtimeve e mbresave u shtoheshin materialet faktike të mërgatës. Nga bashkimi i tyre do të lindnin ato figura e personazhe që i dhanë jetë romanit. Mund të them me plot gojën që puna me këta personazhe mua më dha një kënaqësi të madhe. Ndodhesha në një terren, ku i kisha të qarta mentalitetet e tyre, psikologjinë e tyre, formimin e tyre.

Këta qenë pjellë të politikës shqiptare, që kishte perënduar në Shqipëri, por që gjallonte në mërgim. Megjithëse në kohën e luftës isha i vogël, më kishin mbetur të gjallë figurat e tyre. Të gjithë këta së bashku, më krijuan atë tablo e mjedis, atë atmosferë, ku do të vepronin lirisht e realisht personazhet e romanit.

Më vjen mirë që këta personazhe në një mënyrë apo në një tjetër patën jehonë në mërgatën politike, u identifikuan, bile u përftuan edhe situate të tilla që i atribuonin njëri-tjetrit figurat e romanit. Kjo dëshmonte se unë kisha kapur e trajtuar një dukuri reale, nuk kisha sajuar në kuptimin e keq të fjalës, kisha thënë një të vërtetë nga jeta politike e mërgatës.

Jehona e përshtypjeve që kishin personazhet e mi do të më vinte asokohe nga shokët e zbulimit, po edhe nga turistët kosovarë të Belgjikës që vizitonin atëherë Shqipërinë. Ata do të tregonin historira dhe qyfyre nga ç’thuheshin në rrethet e mërgatës, duke filluar nga mjediset e tyre familjare e deri te “Kap Nordi”, kafja e njohur e Brukselit, e kthyer në një farë klubi politik nga emigrantët shqiptarë.

Mjaft nga përshkrimet e librit kanë lidhje me shumë vende jashtë Shqipërisë, pasi në to ishin vendosur edhe emigrantët politikë shqiptarë. A i keni parë ndonjëherë ato vende apo janë pjellë e fantazisë suaj?

Para se të filloja të shkruaja veprën, problemi i parë që doli ishte fakti që ngjarjet e romanit do të zhvilloheshin jashtë shtetit, kryesisht në Perëndim, ku unë nuk kisha qenë asnjëherë.

Kuptohet që sado fantazi të pasur dhe pjellore të kisha, nuk mund të bëja asgjë pa i njohur konkretisht, pa shkelur në ato vende, pa thithur ajrin e atyre vendeve. Vetëm pas kontaktit direkt me realitetin mund t’i hyja punës së romanit. Ndryshe, do të braktisja angazhimin që kisha marrë.

Ndërkaq, vazhdoja përpjekjet. Sigurisht, ndesha pengesa, pengesa burokratike e politike, pengesa që lidheshin me faktin se si mund të përligjej një udhëtimi im, që kërkonte miratim zyrtar, siç kërkonte dhe shpenzimet e rastit. Kështu, që mua m’u desh që ta kërkoj këtë në instancat e larta.

Pata një mirëkuptim dhe miratim të plotë nga ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, i cili ishte njeri dashamirës, me iniciativë dhe i guximshëm. Megjithatë, sipas rregullave për udhëtimin tim jo të zakonshëm lypej përsëri miratim nga Komiteti Qendror. Kështu, unë duke shfrytëzuar një rast pune me Ramiz Alinë, siç më pat ndihmuar për miratimin e temës fillimisht, tani m’u gjend dhe më ndihmoi efektivisht.

Mbaj mend që në atë takim bëra një shaka dhe i thashë se në qoftë se nuk shkoja jashtë, do të më ndodhte siç i ndodhi një kolegut tim, i cili në një tregim që botoi shkruante se si personazhi u deh me koka-kola! Një pasaktësi e tille e kompromentonte veprën dhe e bënte shkrimtarin të pabesueshëm dhe qesharak.

Ai buzëqeshi dhe pastaj dha porosi që të më plotësohej kërkesa. Tani mbetej që të gjendej rasti kur dhe si unë të nisesha për në Perëndim. Këtu flasim për vitet 72-73, dhe qe një rast fatlum për mua, që në këtë kohë skuadra e volejbollit “Dinamo” do të shkonte për në finalen e kupave të Europës.

Dhe kjo mundësi u shfrytëzua që unë t’i atashohesha ekipit si gazetar. Kështu që shkova në Belgjikë me ekipin e volejbollit. Atje kishte ardhur nga Parisi edhe konsulenti im Hasan Luçi. Për një javë ne ndoqëm ndeshjet, dhe një situatë e tillë për mua qe më shumë rëndësi, sepse kampionati dhe ardhja e skuadrës sonë bëri që të vijnë me qindra shqiptarë të mërgatës politike dhe ekonomike të Brukselit dhe të qyteteve të tjerë të Belgjikës.

Kësisoj filloi kontakti im me ta, i shoqëruar nga konsulenti, që i njihte njerëzit gati me emër dhe mjediset e tyre. Kjo bëri të mundur që unë t’i shoh, t’i dëgjoj, të bisedoj duke bërë tok me ta dhe tifo për skuadrën tonë.

Ata nuk e kishin të shkruar në ballë që ishin emigrantë politikë apo ekonomikë. Ndjenja jonë e përbashkët që të fitonte skuadra shqiptare na afroi dhe na bashkoi. Mbaj mend që kjo gjë la përshtypje të thellë brenda meje. Në radhë të parë se ata ishin shqiptarë si unë, se qemë vëllezër të një gjaku, por ndërkaq në momente të caktuara politika më sillte ne vete, më bënte që të distancohesha. Kisha porosi t’u ruhesha provokacioneve. Sigurisht, sot është e lehtë të thuash se s’ishte njerëzore që unë herë-herë përpiqesha t’u shmangesha, me gjithë këmbënguljen dhe dëshirën e madhe që ata kishin për të më takuar. Edhe tani kur e kujtoj nuk ndjehem mirë.

Mbaj mend se kur mbaroi kampionati, m’u desh të qëndroja edhe dy javë të tjera aty. Do të takohesha më kosovarë dhe me shqiptarë të tjerë, do të shikoja vendet që frekuentonin ata, klubet, kafet e lokalet, “Kap Nordin” e famshëm, ku shkova e ndenja disa herë. Do të shkoja edhe në disa familje, por ndërkaq diplomati ynë që mbulonte kundërzbulimin merrte kontakt me zbuluesit e vetë ose takohesh me njerëz të mërgatës politike që tregoheshin dashamirës në një mënyrë apo në një tjetër me ne.

Në këtë rast , diplomatët tanë shfrytëzonin patriotizmin, mallin që kishin ata për vendin e tyre, por edhe krenarinë për arritjet e shtetit shqiptar të asaj kohe.

Pastaj, do të shkoja në Paris dhe atje do të qëndroja 2-3 javë. Do të frekuentoja lokalet e emigrantëve politikë ku siç i kisha në Bruksel figura si ajo e Muharrem Bajraktarit, apo e Fiqiri Dines, do të shikoj anë Paris Sadik Premten, e ndonjë tjetër.

Jeta në këto vende, atmosfera krejt ndryshe nga sistemi ynë për mua kanë qenë gjëra të reja, prandaj u vura t’i njoh dhe t’i studioj. Mendoj që kjo njohje dha frytet e veta në vepër.

Kampet e përqendrimit, rekrutimet që ju bëheshin shqiptarëve nga shërbimet e huaja, pra Lufta e Ftohtë, shumë e trajtuar në romanin ruaj, a janë shfrytëzuar për këto arkivat e Ministrisë së Brendshme, dosjet e agjentëve apo të dhënat të bashkëpunëtorëve të Sigurimit?

Kuptohet që romani im është pjellë e periudhës së “Luftës së Ftohtë”. Dihet që Lufta e Ftohtë ka qenë një ndeshje e heshtur dhe jo vetëm e heshtur, mes dy kampeve politike kundërshtare në rang botëror. Ishte koha kur lufta e nëndheshme qëndronte në plan të parë.

Kuptohet sa aktivë qenë zbulimet e Bashkimit Sovjetik dhe të SHBA-së, si dhe të aleatëve të tyre. Ata do të zhvillonin një veprimtari të jashtëzakonshme, të ethshme e në këtë kuadër do të aktivizohej edhe zbulimi shqiptar. Shqipëria për vetë pozicionin që kishte, jo vetëm gjeografik, po për vetë politikën që ndiqte shteti i saj, ishte kundërvënë si ndaj Amerikës ashtu edhe ndaj Bashkimit Sovjetik. Kjo e bënte tepër specifike, e tepër komplekse punën dhe rolin e zbulimit shqiptar.

Sigurisht, zbulimi shqiptar kishte dalë nga shkolla sovjetike e zbulimit që kishte një eksperiencë kolosale, por ai i yni në kushtet e veta nuk do të bënte një zbatim mekanik të përvojës së tij, por do të ishte krijues në kushtet e Shqipërisë dhe në përputhje me detyrat që i ngarkoheshin.

Shkova në një kohë kur kampet e të arratisurve ishin pothuajse të mbyllur. Një kamp që funksiononte në Greqi, ishte kampi i Llazirës, atje kishin mbetur një numër i kufizuar të arratisurish, ose shërbente si vendqëndrim i përkohshëm.

Të arratisurit që iknin nga Shqipëria mbaheshin përkohësisht dhe pastaj kalonin në perëndim, ku do të kryenin punë të rënda si minatorë e punëtorë ndërtimi dhe në këtë terren bënin punët e veta zbulimet. Sigurisht për arsye të njohura, zbulimi shqiptar ishte më i suksesshmi, por rivali më i rrezikshëm mbetej zbulimi jugosllav, UDB-ja.

Masa më e madhe e emigrantëve ishin kosovarë. Ata vinin nga Jugosllavia, ku depërtonin dhe elementë të përgatitur nga UDB-ja, por aktivë tregoheshin ambasada dhe konsullatat jugosllave. Situata u komplikua akoma më tepër kur ne u prishëm edhe me rusët. Disa nga zbuluesit tanë, të cilët i dinin rusët ishin “të djegur” ose kishin kaluar nga ana e tyre.

Natyrisht, këta të fundit kanë qenë shumë të pakët, por ata më të zotët, më të mirët qëndruan besnikë dhe punuan në kushte shumë të vështira. Kjo sepse, veç se ishin të rrezikuar nga zbulimi sovjetik, ata rrezikoheshin edhe nga zbulimet e tjera si ai italian, grek, amerikan, apo i Vatikanit.

Por unë them me bindje që zbulimi shqiptar do të ishte i suksesshëm, pasi kishte arritur ta zotëronte situatën, ta njihte atë dhe të kryente ato detyra që ia ngarkonte shteti shqiptar.

Në libër tregohet për Ahmet Zogun, Abaz Kupin, etj. A janë personazhet figura të vërteta historike?

“Mërgata e qyqeve” është një roman social-psikologjik por edhe historik. Historik sepse ka figura historike siç janë Ahmet Zogu, Abaz Kupi, Mithat Frashëri, pastaj edhe ca figura episodike më pak të rëndësishme.

Duke i konsideruar kundërshtarë politik, pavarësisht nga rolet që kishin luajtur në historinë shqiptare, apo nga vlerat intelektuale, siç është rasti i Mit’hat Frashërit, unë i ndërtova figurat e tyre në një realitet tjetër historik dhe mbi një platformë ideore, nga e cila ishte frymëzuar vepra.

Në trajtimin e këtyre personazheve më ka ndihmuar përgatitja ime si historian, kultura historike, njohja nga brenda e arkivave. Të gjitha këto u përpoqa t’i gërshetoja me të dhënat që mora nga burimet e zbulimit, dhe kujtimet e bashkëkohësve ose kujtimet e zbuluesve që kishin pasur kontakt me ta.

Ç’është e vërteta, edhe këtu, u ndesha me një rrethanë që në kuadrin e atij sistemi dhe të ideologjisë së tij, e kisha të pamundur ta kapërceja. Vërtetë, ata ishin kundërshtarët tanë, por për ta duhej shkruar me objektivitet. Pra, që të isha i besueshëm, duhet të vija edhe gjëra pozitive, vlera të tyre dhe kjo ishte me telashe dhe e rrezikshme.

Shqetësimin më të madh do ta kisha me figurën e Zogut, i cili duke qenë ish-mbreti, nga kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit, nuk mund të anashkaloheshin mençuria dhe cilësitë si burrë shteti. Dhe në fakt, bëra përpjekje për t’iu qasur këtij objektiviteti. E shkrova me tone realiste, por mbaj mend se kur e lexoi Kadri Hazbiu më tha: “Këtë Zogun si shumë të zgjuar na e ke nxjerrë”.

Atëherë e kuptova ku e kishte hallin dhe unë përdora sloganin e kohës sipas të cilit “sa më i fortë është armiku aq më të fortë jemi ne”.

Ai tundi kokën dhe sugjeroi ta rishikoja me arsyetimin se Zogu është armik, se ai krijoi një shtet antipopullor, etj. Pas kësaj m’u desh që ta shkarkoja figurën e Zogut nga elementë realistë, me pengun jo se kisha iluzion për të, por sepse dëmtohej artistikisht figura e tij.

Loading...