Home Bota Arabia Saudite: Paqe me Izaelin si Emiratet? Ky është kushti ynë

Arabia Saudite: Paqe me Izaelin si Emiratet? Ky është kushti ynë

Arabia Saudite nuk do të ndjekë Emiratet e Bashkuara Arabe në krijimin e lidhjeve diplomatike me Izraelin derisa të nënshkruajë një marrëveshje paqeje të njohur ndërkombëtarisht me palestinezët.

Javën e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe u bënë shteti i parë i Gjirit që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin, përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA që hapi mundësinë e marrëveshjeve të ngjashme me shtetet e tjera arabe – përfshirë Arabinë Saudite.

Por pas ditëve të heshtjes së çuditshme dhe përballur me presionin amerikan për të njoftuar marrëveshjen, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan ka shuar mundësinë e zbatimit të marrëveshjes deri sa të zgjidhet çështja palestineze.

“Paqja duhet të arrihet me palestinezët në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, e cila do të ishte një parakusht për çdo normalizim të marrëdhënieve,” u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në Berlin.

“Vetëm kur të arrihet kjo, gjithçka është e mundur,” shtoi ai në një koment që përkoi me deklaratat e mëparshme saudite për këtë çështje.

Nisma 2002

Presidenti Trump tha që ai pret që Arabia Saudite të bashkohet me marrëveshjen e Emirateve të Bashkuara Arabe-Izrael për normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e lidhjeve të reja.

Princi Faisal tha që Mbretëria mbetet e përkushtuar për paqen me Izraelin nën Iniciativën Arabe për Paqen 2002. Ai përsëriti kritikat për “lëvizjet e njëanshme” të Izraelit kur bëhet fjalë për aneksimin dhe ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të okupuar, të cilat ai i quajti “të paligjshme” dhe “të dëmshme” për zgjidhjen e dy shteteve.

Arabia Saudite, e cila nuk e njeh Izraelin, krijoi një iniciativë të vitit 2002 të ofruar nga kombet arabe që ofruan normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, i cili nga ana tjetër do të njohë të drejtën e palestinezëve për një shtet dhe do të tërhiqet nga territoret e pushtuara në 1967.

Loading...