Home Kultura E vërteta e trishtë në heshtjen e të madhit Kadare

E vërteta e trishtë në heshtjen e të madhit Kadare

Nga Alba Malltezi 

Se cilët jemi ne të vërtetë, në këtë pranverë të vështirë të 2020, mjafton të dëgjojmë e të ridëgjojmë ato pak sekonda nga zëri i shkrimtarit më të madh që kemi në ditët tona, Ismail Kadare.

Me të drejtë gazetarja i kërkon një mendim për ngjarjet e fundit që kanë tronditur: Shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, por shkrimtari me zërin e butë të moshës e me mirësjelljen e njeriut që i ka kapërcyer mes bukurisë së fjalës të 84-at nuk përgjigjet, ose më saktë, kërkon të mos shprehet pasi “nuk ndjehet mirë, pasi nuk dëshiron të përzihet…”.

Kadare nuk ka qenë kështu. Ishte i drejtpërdrejtë dhe i sertë në përgjigje, sidomos kur pyetjet nuk i interesonin apo nuk i pëlqenin, me një vështrim mund të thërrmonte këdo. Sot e kësaj dite kujtoj emocionet kur iu afrova për një mendim, atëherë gazetare e re.

Pesha e fjalive nëpër kryeveprat e tij, mban larg kë dëshiron ta mbajë, rreth tij krijon një aureolë më të hekurt e të padepërtueshme se edhe hekuri që usta Suruxhai përdorte për topat e tij.

E megjithatë, në ato pak sekonda zëri i shkrimtarit, ato që ai nuk tha, janë shumë për ne. Si për shembull, se jemi bërë njerëz agresivë dhe linçues ndaj çdo mendimi ndryshe dhe se kur kemi përballë këdo që nuk e mendon si ne, pa përjashtim, jemi të aftë të shqiptojmë ofendime, shpifje dhe përbuzje ekstreme. Nuk kemi kufizime dhe respekt për askënd, qoftë ai familjar, koleg, fqinj, i njohur e i panjohur, deri te njerëzit më me vlerë në fusha të ndryshme që kombi ynë ka ende gjallë. Besoj i lexuat reagimet vetëm pse Kadare nuk u shpreh?

Në çdo debat publik skenat janë tashmë të njohura: Biseda nis me një mirësjellje false, fjala kalon nga një debatues te tjetri dhe ngec mizorisht, pashpirtërisht kur dy bisedues nuk bien dakord me atë që po thuhet. Aty fjala bëhet më e rëndë dhe më fshikulluese, më sharëse dhe më poshtëruese se çdo gjë që mund të mendohet dhe imagjinohet më parë.

Ofendimet, të vërtetat që përzihen me të pavërtetat, cinizmi dhe fjalori i papërshtatshëm fluturon nga studio televizive në divanët e shqiptarëve duke i ushqyer me një energji të paparë negative, të cilën duan s’duan do ta hedhin edhe ata diku, në rrjetet sociale më kollaj.

Në këtë mënyrë, ne, që për 40 vite diktaturë do të duhej të ishim të dashuruar e të dëgjonim me durim e pasion mendimin ndryshe, të dëgjonim me endje e të përgjigjeshim me mençuri duke bërë kundërshtimin tonë, e presim atë me një shpatë të mprehtë jeniçerësh si të ishin kokat e masakrave më të tmerrshme në betejat e turqve.

Ja pse tha shumë shkrimtari ynë i madh me atë që nuk tha.

VIDEO bonus:
Loading...