Home Bota La Repubblica/ Çmimi i lartë i paguar në spitale në Itali: Punojmë...

La Repubblica/ Çmimi i lartë i paguar në spitale në Itali: Punojmë me pak mbrojtje

Një epidemi e bërë edhe nga shumë vatra në shumë spitale dhe ambulanca. Mjekë, infermierë dhe personel shëndetësor në Itali, janë infektuar kur nuk e dinin se kishin të bënin me pacientë të goditur nga koronavirusi, të lodhur prej turneve të gjata, kur mjetet mbrojtëse nuk ishin mjaftueshëm të sigurta apo ishin pak.

Janë pothuaj një mijë profesionistët e shëndetit të prekur deri tani sipas Institutit të Lartë Shëndetësor. Këta profesionistë po paguajnë një çmim shumë të lartë.

Edhe kur simptomat nuk janë të rënda, infeksioni i nxjerr jashtë shërbimit dhe i pengon të punojnë, duke vënë në vështirësi sistemin.

Pikërisht për këtë arsye, me një urdhër është vendosur që profesionistët, të cilët kanë qenë në kontakt me një rast duhet të rishfaqen në punë nëse nuk kanë simptoma, me detyrimin që të mbajnë një maskë gjatë gjithë kohës. Vetëm nëse rezultojnë pozitivë me tampon duhet të ndalen. Sindikatave të bluzave të bardha kjo masë nuk u pëlqeu, dhe në Institut po mendojnë ta ndryshojnë.

Lombardia ka numrin më të lartë edhe mes profesionistëve të shëndetit të infektuar, sipas të dhënave më të fundit të ofruara nga Rajoni, janë 691 të infektuarit mes mjekëve, infermierëve dhe teknikëve. Tre doktorë kanë humbur jetën.

Janë një rast më vete shifrat që kanë të bëjnë me mjekët e familjes në provincën e Bergamos. Dje pasdite, Federata Kombëtare e Urdhërave të Mjekëve numëronte 71 kolegë të sëmurë dhe një që ka ndërruar jetë.

Një numër që rritet vazhdimisht. Dhe jo shumë i saktë për arsye se merr parasysh vetëm mjekët e familjes, pediatrët e lirë dhe kolegët e vazhdimësisë asistenciale. Disa prej tyre janë shtruar, të tjerë janë në karantinë në shtëpi, pavarësisht polmonitit: spitalet janë të tejmbushur dhe nuk ka vend për të gjithë.

Por thirrja e alarmit vjen nga i gjithë rajoni. “Nëse vazhdojmë kështu duhet të mbyllim studiot”. E thotë Roberto Carlo Rossi, president i urdhërit të Milanos. Kolegu i tij që deri dy ditë më parë përfaqësonte urdhërat e mjekëve të Varezes ndërroi jetë, prej virusit. Kreu i federatës së Lombardisë, edhe ai mjek familje, është shtruar në spital. Dje në mbrëmje ka ardhur edhe një tjetër rast, një doktor nga Casapusterlengo.

“Triazhi telefonik për fat të keq nuk mjafton që të na mbrojë – vazhdon Rossi – dhe 15 ditë pas fillimit të kësaj katastrofe na dërguan 10 maska për kokë. Dhjetë me numërim. Nuk kemi parë asgjë nga veshjet që konsiderohen minimumi për të vizituar pacientët”. (La Repubblica – Bota.al)

VIDEO bonus:
Loading...