Home Bota Koronavirusi “gjunjëzon” Spanjën, shënohen 4 mijë viktima dhe 56 mijë të infektuar

Koronavirusi “gjunjëzon” Spanjën, shënohen 4 mijë viktima dhe 56 mijë të infektuar

Spanja ka shënuar 4 mijë e 89 viktima si pasojë e Covid-19, pasi 655 persona ndërruan jetë brenda 24 orëve, ndërsa numri i të infektuarve shkoi në 56 mijë e 198 të prekur.

Vendi përjetoi një rritje prej 19 përqind të numrit të vdekjeve, duke e renditur Spanjën në vend të dytë në botë, pas Italisë.

Pavarësisht nga “shtetrrethimi” i vendosur më 14 mars, të cilin Parlamenti të enjten ra dakord për ta shtyrë deri më 11 prill, si numri i viktimave po ashtu edhe numri i infeksioneve kanë vazhduar të rriten në vend.

Ndërkaq, numri i viktimave sot ishte më i vogël, sesa shifra që u regjistrua të mërkurën me 738 të vdekur brenda 24 orëvë ose një rritje prej 27 përqind.

Autoritetet shëndetësore shpresojnë se së shpejti do të sqarohet nëse izolimi i vendit ka dhënë efektin e duhur.

Rajoni i Madridit ka shënuar numrin më të madh të të prekurve në vend, me 17 mijë e 166 persona të infektuar dhe 2.090 vdekje.

Kryeministri Pedro Sanchez, gruaja e të cilit është e infektuar me koronavirus, deklaroi se ky është momenti më i vështirë për vendin që nga lufta e tij civile në 1936-‘39.

Ai tha se vetëm të moshuarit e këtij vendi që mund t’i mbajnë mend vështirësitë e luftës civile dhe pasojat e saj, e kuptojnë se gjendja e përgjithshme e vendit ishte më e ashpër se kjo aktualja.

Sipas tij, brezat e tjerë në Spanjë kurrë nuk janë përballur me një gjendje të tillë dhe po kaq të vështirë.

Megjithatë, demografia mund të shpjegojë pjesërisht pse Spanja është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi.

Vendi shënon jetëgjatësinë më të mëdhe në Europë dhe siç duket pandemia ka kapur një numër shumë të madh të moshuarish, të cilët për shkak të moshës janë më shumë të ekspozuar ndaj virusit./FRANCE 24 dhe AFP/

VIDEO bonus:
Loading...