Home Këshilla Koronavirusi: Disa këshilla si të bisedoni me fëmijët!

Koronavirusi: Disa këshilla si të bisedoni me fëmijët!

Frika dhe shqetësimi nga shpërthimi i koronavirusit prek në masë edhe fëmijët. Ekspertët e shëndetit rekomandojnë që prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në informimin e fëmijës rreth gjendjes aktuale me të cilën po përballemi, për ta bërë atë që të ndihet më i sigurtë. Çdo prind dëshiron të sigurohet që fëmijët të marrin informacion të besueshëm, por edhe shqetësohet për mënyrën se si duhet të flasin me ta rreth kësaj situate. Për t’u ardhur në ndihmë prindërve ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik japin një sërë këshillash se si duhet të bisedoni me fëmijën tuaj rreth Covid-19, rekomandime të cilat i gjeni të detajuara në vijim.

Eksploroni se çfarë di tashmë fëmija juaj

Bëni pyetje të përshtatura për nivelin e moshës së fëmijës tuaj. Kjo ju jep mundësinë për të mësuar se sa di fëmija dhe për të zbuluar nëse ai ka informacione të gabuara.

Ndiqni ritmin e fëmijës tuaj

Disa fëmijë mund të kenë nevojë të kalojnë më shumë kohën duke folur. Nëse fëmija juaj nuk duket i interesuar ose nuk bën shumë pyetje, mos e detyroni të flasë.

Ofrojini fëmijës rehati dhe sinqeritet

Ndihmoni fëmijën tuaj të ndjehet i sigurt, por, në të njëjtën kohë, tregojini të vërtetën. Mos ofroni më shumë detaje nga sa shfaq interes fëmija juaj.

Nëse fëmija juaj pyet për diçka dhe ju nuk e dini përgjigjen, pranojeni këtë. Përdorni pyetjen si një mundësi për ta zbuluar së bashku. Kontrolloni faqet në internet të institucioneve zyrtare të shëndetit për informacion të përditësuar në lidhje me koronavirusin.

Flisni me qetësi dhe siguri

Shpjegoni se shumica e njerëzve që sëmuren ndjehen sikur kanë të ftohtë ose grip. Fëmijët e kuptojnë shqetësimin e prindërve. Prandaj, kur flisni për koronavirusin dhe lajmet, mundohuni të keni një zë të qetë dhe përpiquni të mos dukeni të mërzitur.

Jepini fëmijës mundësinë të flasin për frikën e tyre

Është e natyrshme që fëmijët të shqetësohen dhe të pyesin: “A mund të më ndodhë mua?” Informojeni fëmijën tuaj se, me sa duket, fëmijët e marrin këtë virus më pak dhe e kalojnë më lehtë se sa të rriturit. Jepuni të kuptojnë se gjithmonë mund të vijnë tek ju për të pyetur apo për të folur për gjithçka që i frikëson.

Kujdesuni të kuptoni se kur kanë nevojë për udhëzime

Monitoroni lajmet dhe informacionet që marrin fëmijët, veçanërisht fëmijët më të rritur që kanë akses në internet. Drejtojini ata në lajme me përmbajtje të përshtatshme për moshën, në mënyrë që të shmangni sa është e mundur informacione të pasakta apo që i frikësojnë.

Ndihmoni fëmijën të ketë kontroll

Mësojini fëmijës tuaj sjellje specifike që mund t’i bëjë për të patur kontroll. Mësojini rregullat e higjienës. Shpjegojini se larja e rregullt e duarve është shumë e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së viruseve. Bëhuni një model i mirë për ta dhe lejojeni sa më shpesh t’ju shohë duke larë duart.

Flisni për masat që po merren për t’i mbajtur njerëzit të sigurt dhe të shëndetshëm

Fëmijët duhet të dinë se spitalet dhe mjekët janë të përgatitur për të trajtuar njerëzit që sëmuren. Fëmijët më të rritur mund të ngushëllohen me faktin se shkencëtarët po punojnë për të zbuluar një vaksinë. Këto biseda i përgatisin fëmijët edhe për ndryshimet në rutinën e tyre normale.

Shpjegojini lajmet dhe informacionet

Nëse fëmija pyet, shpjegojini se vdekja nga virusi ndodh në një numër të vogël rastesh të infektuar. Shikoni lajmet së bashku me fëmijën, në mënyrë që të filtroni dhe të shpjegoni ato që dëgjon.

Kujdesuni për shqetësimin e fëmijëve për familjarët

Për shembull: Nëse fëmija juaj dëgjon se të moshuarit kanë më shumë të ngjarë të sëmuren rëndë, ai mund të shqetësohet për gjyshërit. Lejojeni të flasë në telefon apo video-thirrje me të afërmit e moshuar, pasi kjo mund ta ndihmojë të ndjehet i sigurt për të dashurit.

Bëjani të qartë se është normale të ndjesh stres ndonjëherë

Të gjithëve u ndodh. Njohja e këtyre ndjenjave dhe të diturit që kohërat e vështira kalojnë  dhe jeta kthehet në normalitet, mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë qëndrueshmëri.

Konsiderojeni një bisedë në vazhdim

Vazhdoni të kujdeseni për të mbajtur nën kontroll situatën, së bashku me fëmijët tuaj. Flisni me ta për koronavirusin si një mënyrë për t’i ndihmuar të mësojnë për trupat e tyre, për mënyrën se si sistemi imunitar lufton sëmundjet apo gjëra të ngjashme.

Flisni shpesh për ngjarjet aktuale me fëmijën tuaj

Është e rëndësishme ta ndihmoni atë të mendojë përmes informacioneve që dëgjon. Bëjini pyetje: “Si mendon se ndodhin këto gjëra?” Pyetje të tilla inkurajojnë bisedën për tema aktuale dhe shqetësuese për të.

Loading...