Home Aktualitet INTERVISTA/ Muç Nano mbyll emisionin “Provokacja”: Politika duhet të futet në karantinë,...

INTERVISTA/ Muç Nano mbyll emisionin “Provokacja”: Politika duhet të futet në karantinë, emisionet me debat janë virus

Analisti dhe gazetari, Mustafa Nano ka bërë të ditur se ka mbyllur emisionin e tij “Provokacja”, për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit në Shqipëri.

Nano thekson se mori këtë vendim për të mos rrezikuar vetën dhe të tjerët. Ai ka kërkuar që të njëjtën gjë të bëjnë dhe kolegët e tij, madje shton se nuk e kupton pse janë akoma të hapura: “Janë si virus me vete”

Nuk ka nevojë për reporterë që bëjnë si të ndërkryer, që vrapojnë nëpër rrugë, që kërkojnë me lupë njerëz të sëmurë, kërkojnë me lupë njerëz që kanë ankesa kundër mjekëve, kundër numrit telefonik 127, që numërojnë të vdekurit me zell nekrofilësh. E dini ju që në Britaninë e Madhe, në Itali, e gjetkë, media informon për numrin e të prekurve nga virusi e për vdekjet vetëm një herë në 24 orë? Po të duan, ato mund të japin gjatë gjithë ditës lajme të tipit: “Vdiq edhe filani, vdiq edhe fisteku.” Por nuk e bëjnë këtë. Presin momentin e ditës, kur jepet informacioni zyrtar, dhe i referohen veç atij informacioni”, thekson ai.

Mustafa Nano ka folur dhe për qëndrimet e politikanëve që sipas tij duhet të ndjekin shembullin e Italisë. Sipas tij politika duhet të futet në karantinë.
“Po, tamam, ky do ishte termi i duhur: karantinë. Po ta ilustroj me një shembull. Dje, në një debat në televizionin italian La7, doli një politikan dhe filloi të fliste për mbledhje e takime, për maxhorancën, për opozitën, për shpërdorime fondesh. Aty qëlloi një doktor që po fliste nga spitali, i veshur me tutën mbrojtëse. Dhe ai i tha politikanit: “Si nuk të vjen turp? Tani e gjete të bësh politikë? Nëse do të ndihmosh, ka vetëm një rrugë: Hajde këtu në spital me mua, ku para syve po shoh njerëz që po vdesin. Nëse këtë nuk e bën dot, qepe gojën”. Dhe politikani e qepi”, thekson ai.

Intervista e plotë

-Morëm vesh se keni mbyllur programin “Provokacija”. Është e vërtetë?

-Po. E kam mbyllur.

-Pse?

-Sepse nuk dua të rrezikoj veten. Nuk dua të rrezikoj as të tjerët.

Kolegët e juaj nuk i kanë mbyllur programet e tyre.

Nuk e kuptoj pse i mbajnë hapur. Programet e tyre nuk i duhen kujt sot. Madje, disa prej tyre janë të rrezikshme. Janë si virus më vete.

-Ku e keni fjalën?

-E kam fjalën te ato programe që vijojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë, me të njëjtën logjikë, me të njëjtin stil, me të njëjtët gazetarë, me të njëjtat sherre. Duhet t’u vijë turp.

-Duhen mbyllur fare mediat?

-Jo, nuk e tha njeri këtë gjë. Pjesa informative është shumë e domosdoshme. Por edhe kjo duhet ta kryejë punën e vet me një sens përgjegjshmërie. Nuk ka nevojë për reporterë që bëjnë si të ndërkryer, që vrapojnë nëpër rrugë, që kërkojnë me lupë njerëz të sëmurë, kërkojnë me lupë njerëz që kanë ankesa kundër mjekëve, kundër numrit telefonik 127, që numërojnë të vdekurit me zell nekrofilësh. E dini ju që në Britaninë e Madhe, në Itali, e gjetkë, media informon për numrin e të prekurve nga virusi e për vdekjet vetëm një herë në 24 orë? Po të duan, ato mund të japin gjatë gjithë ditës lajme të tipit: “Vdiq edhe filani, vdiq edhe fisteku.” Por nuk e bëjnë këtë. Presin momentin e ditës, kur jepet informacioni zyrtar, dhe i referohen veç atij informacioni.

-Po studiot e debateve duhet t’i mbyllë qeveria?

-Jo, jo, vetëm kjo nuk më ka shkuar në mendje. Duhet të jenë vetë drejtuesit e këtyre programeve, apo boss-ët e televizioneve, që duhet t’i mbyllin përkohësisht. Në mos, t’i përshtaten rrethanës.

-Ç’doni të thoni me “t’i përshtaten rrethanës”?

-Duhet të kuptojnë se nuk ka pikën e kuptimit të ftosh sot në studio politikanë apo analistë. Madje as mjekë që e kanë mendjen te politika nuk duhen ftuar. Dhe nuk janë të paktë këta të fundit. Kam parë këto ditë nëpër studio televizive mjekë që ta shpifin më keq sesa politikanët. Ashtu siç kam parë edhe mjekë që janë krenaria jonë kombëtare në këtë moment. Këtyre u duhet vënë mikrofoni te goja. Kur kanë kohë, sigurisht. Pasi ata janë të vetmit njerëz që po punojnë. Ata janë heronjtë e kombit. Ne duhet të dëgjojmë vetëm ata. Ose njerëz të tjerë të urtë.

-Shkurt, ju mendoni se politika duhet vënë në karantinë?

-Po, tamam, ky do ishte termi i duhur: karantinë. Po ta ilustroj me një shembull. Dje, në një debat në televizionin italian La7, doli një politikan dhe filloi të fliste për mbledhje e takime, për maxhorancën, për opozitën, për shpërdorime fondesh. Aty qëlloi një doktor që po fliste nga spitali, i veshur me tutën mbrojtëse. Dhe ai i tha politikanit: “Si nuk të vjen turp? Tani e gjete të bësh politikë? Nëse do të ndihmosh, ka vetëm një rrugë: Hajde këtu në spital me mua, ku para syve po shoh njerëz që po vdesin. Nëse këtë nuk e bën dot, qepe gojën”. Dhe politikani e qepi.

-Sipas jush, nuk duhet bërë opozitë në këtë moment?

-Ne jemi mësuar t’i japim kuptim opozitës vetëm ku ajo del rrugëve e kur i shpall luftë pushtetit. Opozita ka kuptim edhe kur bëhet bashkë me maxhorancën. Kjo është e vërtetë për çdo kohë, por sidomos për sot. Sot detyra e opozitës është të heqë dorë prej rolit “klasik” të opozitës. Nuk është ndonjë hata nëse bëhet kjo.

-Po kush do ta bëjë transparencën?

-Transparencën? Po bëni shaka?

-Pse?
-Kush është i interesuar për transparencën, të mbajë shënim, dhe t’i nxjerrë shënimet më vonë. Në këtë moment ne jemi në luftë. Transparenca është një standard për kohë paqeje. Ashtu siç është opozicioni, e vërteta, pluralizmi, liria e fjalës, e lëvizjes, të drejtat e njeriut. Sot kemi vetëm një qëllim që të gjithë: Të mbijetojmë. Duhet me qenë i lig të mos e kuptosh kaq gjë. Duhet me qenë më i lig sesa koronavirusi.

VIDEO bonus:
Loading...