Home Aktualitet ANALIZA: A e shkarkoi Amerika, Albin Kurtin?

ANALIZA: A e shkarkoi Amerika, Albin Kurtin?

Kryeministri Albin Kurti është i bindur se si ai ashtu edhe qeveria e tij janë kthyer në “dëm kolaterial” për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke e cilësuar veten si barrierën e fundit për shkëmbimin e territoreve mes Beogradit dhe Prishtinës, Kurti deklaroi se rrëzimi i tij ka ardhur për shkak të pazareve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me Serbinë. Këto pazare sipas tij, janë festuar me shampanjë  në Shtëpinë e Bardhë. Pak para se të hynte në historinë e Kosovës si kryeministri më jeteshkurtër, kreu i Vetëvendosjes, akuzoi në mënyrë të tërthortë SHBA-në së “kishte gisht” në rrëzimin e qeverisë së tij.

Sipas zotit Kurti, mocioni i mosbesimit ishte vepër e atyre që u takuan me të dërguarin Special të presidentit Trump, Richard Grenell.

“Unë po ua them hapur bindjen time nga ky bashkëpunim i deritanishëm, vendimarrjen për Kosovën e kanë ata që shkuan e takuan Grenell. Edhe unë e takoj Grenell, por nuk do të thotë të shtrihesh tek Grenell. Ata që e kanë takuar Grenell kanë marrë një fuqi që është reflektuar edhe në qeverinë time. Këtë problem që kam pasur në këto 50 ditë e kam edhe sot”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes.

Sipas tij, arsyeja e shkarkimit është marrëveshja e ardhshme mes qeverisë së Kosovës, për të cilën, sic u shpreh Kurti, nuk do të nënshkruhej për sa kohë që të ishte ai kryeministër.

“Ky mocion mosbesimi synon ta lërë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. Për bindjen time të fuqishme mocioni për të shkarkuar qeverinë nuk ka të bëjë as shkarkimin e ministrit Veliu e as me tërheqjen e trupave amerikane, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Sebrisë, ky është motori që po e shkakton këtë nxitim në Kosovë”, tha Kurti. “Ky pazar presidencial kërkon rrëzimin e qeverisë, pazari me këtë qeveri ku jam unë nuk bëhet. Thaci provoi ta bëjë me gjendjen e jashtëzakonshme por nuk ia doli.”

Ashtu si ish-kryeministri Ramush Haradinaj, edhe Kurti është i bindur se marrëveshja “sekrete” e Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit ka të bëjë me territoret.

“Marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiç unë nuk e kam, se është sekrete. Ama ka marrëveshje sekrete. Është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku marrëveshja është e gatshme dhe nëse t’i nuk pajtohesh, shpallesh armik, dhe kështu dëmtohen marrëdhëniet me SHBA”, deklaroi ai.  Të gjithë e dimë shumë mirë sesi u festua në Uashington me Shampanjë shkëmbimi i territoreve, por ne e ndaluam. Çfarë duhet të ndodhë më.

Unë nuk kam frikën e kësaj karriges sime këtu. Sepse është populli ai që vendos. Por do ta shikoni shumë shpejt, se kërkohej gjendja e jashtëzakonshme, për ta bërë Thaçin të gjithëpushtetshëm. Po pse duhet gjithë ky pushtet? Ky është një puç. Dhe këtë puç, ne e pamë që në mbledhjen e këshillit të sigurimit. Keni për ta parë edhe ju vetë. Procesverbalet e mbledhjes do të dalin shumë shpejt’, tha kryeministri Kurti në parlament.

Ashtu si Haradinaj, edhe Kurti ka refuzuar të heqë plotësisht taksën ndaj importeve serbe, duke i cuar marrëdhëniet me SHBA-në në pikën më të ulët.  Richard Grenell dhe djali i presidentit amërikan Donald Trump kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të taksës, duke e kërcënuar me anulimin  e investimeve ekonomike në Kosovë dhe prezencës ushtarake amerikane në Kosovë.

Ditën e djeshme, ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnet deklaroi se ishte i kënaqur që Kuvendi po mbante seancën për shkarkimin e tij.

“Jam i kënaqur të shoh që parlamenti do ta mbajë seancën mbi mocionin e votëbesimit. Siç i kam thënë kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që parlamenti dhe të gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, shkroi ambasadori Kosnett.

Ndërkohë gazeta amerikane Nju Jork Times shkruan se rrëzimi i Kurtit mund të ketë ardhur jo vetëm për mos heqjen e taksës ndaj Serbisë, por edhe sepse u përpoq të merrte drejtimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Mes frikës se zoti Thaçi mund të ketë rënë dakord fshehurazi për ndarjen e ndonjë territori të Kosovës, Kurti pohoi të drejtën e tij kushtetuese për të udhëhequr negociatat në vend të Thacit dhe për të mbajtur tarifat si një mjet për të ruajtur presionin ndaj qeverisë së Serbisë”, shkruan gazeta.

“Ky qëndrim e vendosi zotin Kurti në konflikt të drejtpërdrejtë me zotin Thaçi dhe Richard Grenell. Për të detyruar zotin Kurti në heqjen e tarifave, Shtetet e Bashkuara ngrinë miliona dollarë në ndihmë të Kosovës. Donald Trump Jr., i cili nuk ka asnjë rol zyrtar në Administratën amerikane sugjeroi tërheqjen e ushtrisë amerikanë nga vendi. Këto komente i tmerruan kosovarët, të cilët e shohin një prani ushtarake amerikane si një garanci jetësore të sigurisë së vendit”, përfundon Nju Jork Times.

VIDEO bonus:
Loading...