Home Kultura Bota shqiptare ndryshe e Branko Merxhanit ose një libër mbi Brako Merxhanin

Bota shqiptare ndryshe e Branko Merxhanit ose një libër mbi Brako Merxhanin

Branko Merxhanin kam patur fatin që ta  lexoj pothuajse  fshehurazi që në mes të viteve 80- të, si një lexues i rregullt  i Bibliotekën Kombëtare në atë periudhë. Duke shfletuar “Përpjekjen Shqiptare” , revista dhe gazeta të tjera të kohës në shkrimet e tij fillimisht përveç lirisë po ndjeja  diferencimin e dallueshëm kulturor  ndërmjet shtypit   komunist dhe   shtypit të viteve 20- 30 të shek të kaluar. Vizioni dhe erudicioni mbresëlënës i intelektualëve të ndaluar të kësaj periudhe rilindase më bënte të mendoja se çfarë kishim humbur brezi im  si kulturë dhe mendim   nga censura dhe armiqësia e kultivuar prej regjimit  kundra kësaj literature.

Pasi u çliruam nga komunizmi është shkruar shumë e janë bërë disa studime mbi mendimin, kulturën dhe  gazetarinë e viteve 30-të, por që të gjitha arrijnë në përfundimin se ajo ka qenë lëvizja më e madhe mendore, kulturore dhe emancipuese që ka njohur historia e mendimit shqiptar. E të mendosh që për ideologët e atyre viteve paraqiteshin vështirësi parësore në lëvrimin intelektual dhe në krijimin e shkollave apo sistemeve të veçanta. Ata duhet të ishin njerëz të mendimit e njëherësh të veprimit, njerëz që duhet të luftonin dhe shkruanin për të mbrojtur idealet e tyre. Në mesin e këtyre mendimtarëve, që u munduan gjatë gjithë veprimtarisë së tyre t’i qëndronin besnik një parimi apo një ideali të caktuar, shndrit ylli i mesit i filozofisë së ushtruar shqiptare, Branko Merxhanit, njeriut më të madh të kulturës që nxori ajo lëvizje. Për të kultura ishte një çështje jete, e çfarë lloj jete, jo një dije e cekët apo një shkencë e thatë. Ashtu si  edhe At Valentini dhe Anton  Harapi në veri, Merxhani plotëson atë treshe të madhe të gazetarëve-filozofë të viteve 30-të që kërkuan dhe punuan që intelektuali të mos humbiste në teori, por nga ana tjetër të mbronin të drejtat e metafizikës, kundër modës së shpejtakëve në kulturë, pasi besonin se ishte pikërisht sulmi kundër metafizikës apo çështja e kuptimit të saktë të termave ajo që përbënte themelin e një programi të vlefshëm. Kjo ishte, sipas tyre, bolshevizma e atëhershme mendore, dhe nëse e shohim me prizmin e së ardhmes, është vajtim për çdo  komb kur sundon një mendësi e tillë që i quan sistemet organike apo arsyetimet logjike një anakronizëm, që e etiketon metafizikën teori, është një mjerim mendor kur ekziston një përbuzje kaq radikale ndaj parimeve dhe teorive socio-filozofike.

Kjo klithmë kulture që ata hodhën duket se vazhdon të na përplaset sot në fytyrë. Ndaj, nëse do të imagjinonim ta ftonin veprën dhe filozofinë merxhaniane në njërën nga tryezat e sotme ku diskutohet gjëja në vetvete e mendimit shqiptar të së ardhmes, do të qe jo vetëm interesante, por edhe fryt-lidhëse, konceptimi i neo-shqiptarizmës së tij në përputhje me kushtet dhe përparësitë e sotme. Nëse lëvizja mendore që ai krijoi kërkonte të bënte një lidhje të brendshme, organike me rilindjen, shqiptarizma e sotme integronjëse, nëse mund ta quajmë kështu në nocionin e Merxhanit lëvizjen tonë më të re mendore që do të përgatiste kulturalisht, mendërisht dhe shpirtërisht Shqipërinë për takimin me Evropën, nuk mund të mos ketë një lidhje të brendshme me neoshqiptarizmën e tij.

Shqipërisë i nevojitet ta udhëheqë një kokë karteziane dhe një shkollë shqiptare e idealitetit. Përse vallë, këta përbërës nuk janë ende një bazë e mirë pikënisjeje për shqiptarizmin integronjëse. Filozofinë ata e shihnin të ushtruar, jo si shkencë për shkencë, e sot ky nocion i kalimit të saj nga një koncepsion si fundament në instrument të çdo reforme shoqërore, politike e sociale, nuk  mund të jetë më utopi si në Shqipërinë e viteve 30-të. Teoria e tyre sillej rreth sintezës, jo vetëm për teorinë e njohjes, metafizikës dhe etikës, jo vetëm si filozofio kritike, por edhe si filozofi spekulative dhe gjykim për mendimin. E më tej, sistemi  i tyre shtrihej edhe në nocionin e kombit dhe procesin e komb-bërjes, duke pasur për mision prioritar të këtij procesi sintezën midis filozofisë kombëtare, moralit kombëtar dhe shkollës kombëtare.

Një veçori autentike, origjinale e sistemit që neoshqiptarizma krijoi është edhe fakti se ata nuk parapëlqenin një sistem apo teori të caktuar për të gjitha fushat e shtetit dhe ekonomisë, por besonin se duheshin si njëra ashtu dhe tjetra, vetëm se ato duhet të prizmoheshin në psikologjinë dhe sociologjinë karakteristike të shqiptarit. Kjo është një tjetër bazë e fortë nga e cila mund të burojnë mjaft shqyrtime zhbiruese për gjendjen e sotme shqiptare. Në këtë kuptim, shqiptarizma integronjëse e përpunuar mbi bazën e parimeve të asaj lëvizje zenit të viteve 30-të, në ditët e sotme nuk ngjan shumë as edhe me një kundër-botë, siç e paraqitën apo siç e menduan shumica prej intelektualëve të kohës. Në një tjetër këndvështrim, ajo mund të shihet edhe si një shkencë, pasi na jep një përkufizim special të një shteti të pavarur. Janë pikërisht këto parime neoshqiptare, të përshtatura me rrethanat e kohës, ato që mund të jenë forca mbështetëse e të gjithë atij reformizmi të politikës, të drejtësisë dhe ekonomisë, për të cilën ka nevojë urgjente Shqipëria e sotme.

Merxhani e ushtroi vetëm për 10 vjet veprimtarinë e tij, por në Tiranë, ku militoi ne vitet 1936-1939, arriti të krijojë atë që konsiderohet sot si “Hyllin e Dritës” së djalërisë shqiptare, revistën “Përpjekja”, një pararendëse e shquar e gjithë asaj të ardhme  që ai ideoi për shoqërinë shqiptare, jo si një utopi, as si një kundër-botë, por si një botë ndryshe, të cilën sot pas shumë dekadash nevojitet ta ndjekim dhe ta realizojmë ne bijtë e këtij shekulli të ri. Si njeriu emblemë i veprimtarisë “Politikë s’ka, por vetëm kulturë”, ai rrezatoi që prej Tiranës së atyre viteve gjithë diellin e erudicionit filozofik, të kombëtarizimit të shkencave dhe lëvrimit të gjuhës dhe mendimit, por parësisht shqyrtimit socio-psikologjik të çdo reforme institucionale. Janë të gjithë këta cilësorë që e bëjnë lëvizjen e tij mendore themelin e “botës ndryshe të shqiptarëve” që do të doja të promovoj në një  libër që studion jetën, por kryesisht mendimin dhe idetë e tij dhe rrezatimin e tyre në realitetin shqiptar, si një vizion kah të cilit duhet të priremi për të kapërcyer fazën e tranzicionit, e për pë hyrë në “përpjekjen qytetëronjëse” që mendonte Merxhani.

Nga ana tjetër, ky libër që po j   përgatis për publikun e gjerë dhe elitar shqiptar,  do të ishte një vepër përkujtimore e një njeriu të shquar të rrezatimit të kulturës dhe mendimit të rrethit mendor të Tiranës, në 100 vjetorin e themelimit të saj si kryeqytet, për të paralelizuar me atë kohë kur ajo, nëpërmjet Merxhanit dhe “Përpjekjes” së tij, ishte “kryeqyteti kulturor” i shqiptarëve.

Loading...