Home Bota Analiza ANALIZA: Prova e parë e “mbretit” Boris

ANALIZA: Prova e parë e “mbretit” Boris

Me tërheqjen përfundimtare të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja të caktuar për më 31 janar 2020, sfida më e rëndësishme me të cilën përballet kryeministri Boris Johnson është negocimi i marrëdhënies së re të vendit të tij me bllokun. Ai ka çdo arsye për ta mbajtur këtë proces sa më pak polemik që është e mundur.

Nga Anatole Kaletsky

Luftërat mbarojnë kur luftëtarët heqin dorë nga luftimet. Mënyra më e sigurt që kjo të ndodhë, dhe ndonjëherë më pak shkatërruesja, është përmes një beteje vendimtare që çon në dorëzimin e pakushtëzuar. Fitorja e madhe e Boris Johnson në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar këtë muaj ishte një betejë e tillë. Me partitë opozitare të tërhequra plotësisht, Johnson tani gëzon pushtetin e pakufizuar që u jepet kryeministrave që fitojnë me shumicë të madhe. Kushtetuta e pashkruar e Britanisë lejon një sovranitet absolut ndaj mazhorancës në Parlament, e përshkruar shpesh si “diktaturë zgjedhore”.

Reputacioni i Johnson për guxim të tepruar e bën këtë një perspektivë të frikshme, por historia sugjeron se diktatura zgjedhore ka një tipar të rëndësishëm shëlbimi. Përqendrimi i pushtetit nënkupton përqendrim të përgjegjësisë. Me opozitën parlamentare tashmë të parëndësishme, Johnson do të duhet të përballet me një kundërshtar më të fuqishëm: realitetin ekonomik dhe shoqëror. Johnson tani do të duhet të pajtojë premtimet e tij të shumta kontradiktore dhe politikat inkonsistente dhe do të fajësohet personalisht nëse nuk do të bëjë dot “dy plus dy bëjnë pesë”.

Me Brexit-in tashmë të vendosur për në datën 31 janar 2020, sfida më e rëndësishme me të cilën përballet Johnson është negociimi i marrëdhënies së re të Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Europian. Rezultati do të përcaktojë nëse Johnson ia del mban ose dështon si kryeministër dhe procesi e nisi me këmbën ters që tre ditë pas zgjedhjeve, kur ai u zotua të miratojë një ligj që përjashton çdo zgjatje të periudhës së tranzicionit pas Brexit përtej dhjetorit të vitit 2020. Kjo do të kërkonte përfundimin e negociatave brenda një afati aspak praktik prej 12 muajsh.

Njoftimi Johnson shkaktoi panik në tregjet financiare, me paundin që humbi shpejt të gjitha fitimet e tij që nga zgjedhja e Johnson. Ky reagim ishte i kuptueshëm, pasi afati jorealist i Johnson do të zgjasë pasigurinë e mjerueshme që ka mjegulluar ekonominë e Britanisë këtë vit.

Po sikur afati 12-mujor i Johnson të jetë thjesht një blof? Karriera e Johnson nuk ka vuajtur kurrë nga premtime të shkelura dhe shumica e tij parlamentare do të thotë që ai mund të shfuqizojë afatin e tij të bisedimeve po aq lehtë sa ai e rregullon atë me ligj. Pyetja kryesore, pra, nuk është se si Johnson thotë se do të zhvillojë negociatat me BE-në. Pyetja këtu është se çfarë taktikash negociuese do të jenë në interes të Johnson që ky i fundit t’i përdorë. Ai ka stimuj të fortë për t’i bërë negociatat me Europën sa më jo kontroverse është e mundur, nëse ai dëshiron të arrijë qëllimet e tij ekonomike, politike, rajonale dhe kombëtare.

E para vjen ekonomia. Programi qeveritar i Johnson varet tërësisht nga një rikuperim i fortë i investimeve në biznes dhe besimit të konsumatorit për të siguruar të ardhurat shtesë nga taksat që do t’i duhen atij për të financuar premtimet e tij për shpenzime më të larta publike. Për ta shndërruar suksesin e tij në zgjedhje në besueshmëri në hartim politikash, Johnson duhet të vërtetojë se “marrëveshja e tij fantastike e Brexit” ishte vërtet në interesat ekonomike të Britanisë dhe për ta bërë këtë ai duhet të shmangë çdo shkëputje të beftë në marrëdhëniet ekonomike midis Mbretërisë së Bashkuara dhe BE-së. Çdo ringjallje e panikut të verës së kaluar për një prishje të negociatave me BE-në do të zgjaste rënien e investimeve të këtij viti dhe mund ta përballë Boris Johnson me kërcënimin e një krize financiare para se ai të mund të ofrojë ndonjë politikë të suksesshme. Një arsyetim i mundshëm pas afatit 12-mujor të caktuar nga Johnson mund të jetë inkurajimi i një qasje hap pas hapi: çështje jo-kontestuese, siç është tregtia pa tarifa në prodhime, do të dakordësohen fillimisht, duke lejuar negociata më të vështira për shërbimet financiare, bujqësinë, dhe peshkimin të shtyhet deri në vitin 2021 e më tej.

Ekziston gjithashtu një imperativ politik për të shmangur negociatat konfrontuese me BE-në. Johnson i fitoi zgjedhjet me sloganin “Përfundoni Brexi-tin”. Për shumicën e votuesve, kjo nënkuptonte që Johnson dhe politikanët e tjerë s’do të flisnin më për Europën dhe do të përqendroheshin në vend të kësaj në çështje soi shëndetësia, krimi dhe transporti. Një vit i mbushur me tituj kryesor gazetash dhe debatesh parlamentare të mbizotëruar nga negociatat me BE-në do të ishte një fatkeqësi politike për Johnson. Kjo është një arsye tjetër pse ai mund të dëshirojë të zgjidhë çështje të lehta siç janë tarifat brenda afatit të tij prej 12 muajsh, ndërsa përpiqet të vonojë vendimet polemike mbi industritë e shërbimit dhe imigracionin.

Pastaj është edhe politika rajonale. Fitorja e Johnson ishte kryesisht për shkak të ish-votuesve Laburistë në rajone prodhuese, fabrikat e të cilëve varen shumë nga tregtia me Europën. Të vësh në rrezik këto ekonomi rajonale duke rrezikuar një shkëputje në marrëdhëniet tregtare me BE-në do të ishte një vetëvrasje politike. Nga ana tjetër, rajonet prodhuese të Britanisë do të mirëprisnin standardet e larta të mbrojtjes sociale dhe të punësimit të kërkuara nga BE-ja si një kusht për tregti pa fërkime.

Dhe në fund, dhe ndoshta më e rëndësishmja oër vendin e Johnson në histori, është mbijetesa e Mbretërisë së Bashkuar si një shtet unitar. Fitorja elektorale e këtij muaji për Partinë Konservatore të Johnson u shoqërua me fitore po aq mbresëlënëse në Skoci për Partinë Kombëtare Skoceze dhe dobësimin e partive Unioniste pro-britanike në Irlandën e Veriut. Nëse Mbretëria e Bashkuar vazhdon të përjetojë performancë të dobët ekonomike vitin e ardhshëm, ose të përballet me ndonjë lloj krize financiare për të cilën mund të fajësohet Brexit, zgjedhjet e ardhshme parlamentare skoceze, që pritet të mbahen në maj 2021, me siguri do të sjellin një mandat për separatistët. Johnson atëherë do ta kishte të pamundur t’i rezistonte një referendumi për pavarësinë skoceze, sepse opinioni publik britanik është mjaft dashamirës ndaj separatizmit skocez dhe sigurisht që nuk do të toleronte një konfrontim të stilit të Katalonjës.

Për të mbrojtur veten nga një ngritje e separatizmit skocez, Johnson duhet të shmangë çdo mundësi të një pengesë ekonomike apo krize financiare të lidhur me Brexit. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë do të jetë duke i mbajtur bisedimet mbi marrëdhëniet afatgjata të Britanisë me Europën larg titujve kryesorë të gazetave dhe duke vonuar sa më shumë që mundet vendimet më të vështira.

Project Syndicate-Birn

Bonus video:
Loading...