Home Opinione Reportazh nga Nivica dhe kanionet më spektakolare në Ballkan

Reportazh nga Nivica dhe kanionet më spektakolare në Ballkan

Nga Elvin Nuri

Fotografitë dhe video: Enea Kika

Me të katërta mbi çakull, furgoni i Mondit kishte lënë pas fshatin Bënçë dhe ngjitej për në Kurvelesh. Çdo gur i asaj rruge të paasfaltuar dukej sikur kishte fuqi të mbinatyrshme dhe i kundërvihej me forcë shtypjes së gomave. Secili prej tyre e mbante mbi supe furgonin e vjetër për fare pak e më pas e hidhte disa cantim më tutje. Gurë më gurë kabina lëkundej lehtë dhe ndiqte ngadalë kanalet e cekëta që kishin krijuar mbi çakull qindra automjete të tjera. Ato lëkundje të shoqëruara nga pagjumësia jonë dhe nga përzgjedhja muzikore e Mondit, ekskluzivisht labçe, ktheheshin në përkundje që të ftonin për të bërë një sy gjum.

Por ishte e pamundur. Gurët e atyre tetë kilometrave të pashtruar gjarpëronin në kthesa të forta dhe kurioziteti na mbante pezull. Nuk mund ta humbisje atë panoramë. Ankthi i lehtë i zbulimit që na përndiqte ende pa u nisur nga Tepelena i la vendin shumë shpejt një doze të fortë endorfine sapo na u shfaq në largësi, në mes të luginave, Këndrevica.

Një herë që e sheh atë mal nuk të ndahet nga mendja me madhështinë e tij. Dallohej një copëz e tij, e zhveshur dhe e ndriçuar nga Dielli, edhe kur Mondi u ndal t’i hidhte një zorrë ujë motorrit të tejnxehur. Me ujë burimi, buzë një lugine të thepisur. Kur u rinisëm, mes meje dhe bashkëudhëtarit tim, Eneas, u shkëmbyen disa shikime të qeshura, të cilat vulosnin pa zë bindjen se ky do të ishte një udhëtim për t’u mbajtur mend gjatë.

Rrugët e izolimit

Pak metra para se të hasnim tabelën “Mirë se vini në Kurvelesh/Welcome to Kurvelesh”, gomat e furgonit prekën në asfalt dhe Mondi (shoferi dhe i zoti i mjetit) e shtypi pedalin e gazit ca më fort. Nga dritaret e hapura të kabinës hynte vrullshëm ajri i pastër e i pasuruar me fragrancat e mykut të gurit, me dru qershie, me pak arrë, me teneqe të rrahur nga dielli dhe me plehun e bagëtisë së rritur në natyrë. Një përzierje që më drithëroi mushkritë e rritura në Tiranë. Muzika u bë më e gëzueshme, më rinore. Aty Mondi na tha se deri në Nivicë rruga ishte e asfaltuar, e rregullt, vaj. Mua mu duk si një shaka e hidhur.

“T’i torturosh njerëzit e një krahine të tërë për kilometra e kilometra me një rrugë guri e më pas në prag të shtëpisë t’u shtrosh asfaltin. Sikur s’bën”. Ata ishin të izoluar, ndërsa reportazhet e disa mediave thonë se Kurveleshit (më saktë, fshatit Nivicë) i duhet rruga që e lidh me bregdetin, me Borshin. Ndërkohë rruga që e lidh me qytetin, me Tepelenën është çakull e pluhur. “S’e kuptoj. Këtyre njerëzve u duhet më parë rruga e bukës, e tëra! Rruga e spitalit, e tregtisë, e rendit… e tëra. Pastaj… pse jo, rruga e qejfit, e turistit apo e futuristit”.

Përshkuam zemrën e Kurveleshit për më pak se gjysmë ore dhe me disa ndalesa/porosi që Mondi bëri gati në çdo fshat. Mbi një pllajë të vetme, të rrethuara nga kanionet dhe malet shtrihen pesë fshatra. Kaluam përmes tyre dhe sytë tona shkëmbeheshin vazhdimisht me sytë kuriozë të banorëve dhe me

dritën që reflektonin xhamat e shtëpive, gati të gjitha një katëshe. Kaluam Lekdushin e vogël, gjysmë i braktisur, por i pastër, i mbledhur kruspull mbi një kodër të vetme. Ndaluam në Progonat dhe njomëm buzët në çezmën që djemtë e fshatit emigrantë në Greqi i kishin dhuruar vendlindjes së tyre. Në Gusmar një fëmijë na u afrua ngadalë, hapi derën me shina të furgonit, mori disa bidona me karburant dhe u nis drejt një shpie të rrethuarr nga masivë shkëmborë. Rexhinin e lamë pas shpejt dhe sapo mbaroi avllia e fundit e këtij fshati hymë në Nivicë. Shtrëngova dhëmbët. Nuk isha më çilimi që ta lija të gjithë entuziazmin të më shpëtonte nga duart e të hidhej nga dera ende pa frenuar furgoni. E mbajta frymën deri kur u ndalëm në qendër të fshatit.

Një substancë e mistershme, e provuar më parë vetëm në çaste të lumtura, më ëmbëlsoi gjuhën. Si nip niviciotësh, i rritur me mitet e këtij fshati, sapo kisha realizuar një ëndërr, një tekë që më takonte ta përmbushja. Isha aty. Të ëmblin entuziazëm (të ushqyer me histori dhe këngë) që më në fund vura këmbë në fshatin e të parëve të mi, u mundova t’ia kurseja sadopak fshatit dhe Eneas gjatë gjithë qëndrimit tonë në Nivicë. Do ia kursej sadopak dhe lexuesit. Do të vazhdoj ta ruaj me fanatizëm nëpër dhëmbë, edhe pse gishtat më fluturojnë mbi tastierë.

*Dy gjëra më bënë më shumë përshtypje përgjatë rrugës nga fshati Lekdush deri në Nivicë:

1- Të gjitha lapidaret apo pllakat përkujtimore të Luftës Nacional Çlirimtare ishin të mirëmbajtura aq mirë (të lyera e të pastra), sa dukej sikur u bënin karshillik me dhjetra shtëpive të braktisura në të gjithë krahinën. Në asnjë vend tjetër të Shqipërisë nuk kam parë një kujdes të tillë për këto monumente të së shkuarës. Koha kishte ndalur para viteve nëntëdhjetë… ose pas viteve nëntëdhjetë koha nuk e veniste dot dashurinë e Kurveleshit për bijtë e rënë.

2 – Në asnjë krahinë tjetër nuk kam parë bagëti më të paqta dhe të pastra. Të shtrira nëpër lëndina apo duke ecur në tufë mbi asfalt, ato kafshë gëzonin shëndet dhe mbanin gëzof të pastër.

Një fshat që po rikthehet në qytezën e dikurshme

Qendra e Nivicës, pas dekadash harrese dhe mungese në investime, tani ka ndërruar totalisht pamje dhe vizion. E përfshirë në projektin e “100 fshatrave”, qendra e Nivicës është surprizë më vete. Kur të vizitosh Nivicën përgatitu të zbulosh një qendër jo vetëm dinjitoze, por me plot gojën “spektakolare”. Sheshi shtrihet i gjerë, i gjithi i veshur nga guri i punuar bukur. Ndërtesat e dikurshme, disa të rrënuara e disa të zhdukura me themel, janë rikonsuktuar dhe ringritur nga e para. Aty gjen bustet e heronjve, një lokal ku mblidhen të rinjtë dhe burrat e fshatit, dyqanin e Mondit dhe baxhon që mbledh qumështin e natyrës përreth Këndrevicës dhe e kthen në djath të shijshëm. Në qendër gjen shkollën e fshatit, e cila pret një investim më serioz dhe rikthimin e nxënësve. Jo larg shkollës, në krye të sheshit ngrihet e rindërtuar edhe xhamia e vjetër e Nivicës. Rast i rrallë: xhami pa minare. Kur u ulëm në lokal, mirësjellja e atyre pak klientëve dhe guri i pastër më bën të ndihesha si në qendrën e një qyteze.

Përreth qendrës ngrihen shtëpitë dhe degëzohen rrugicat e fshatit. Edhe pse pjesa dërrmuese e shtëpive janë të braktisura (sipas niviciotëve fshati është tkurrur nga 300 familje në vetëm 50 familje) secila prej tyre duket e fisme. Hasëm edhe në shtëpi gjysmë të rrënuara. Brenda dhomave ku dikur gjallonte njeriu, tani natyra kishte mbjellur pemë qershie, molle apo fik. Sërish, ato shtëpi, me gurët dhe drurin e magazinuar nga koha nëpër themele, të rrëfejnë copëza të shkartisura historish fisnike. Sistemi i tyre, mënyra se si janë vendosur pranë njëra-tjetrës, me avllitë dhe kopshtet përkatëse, të lënë shijen se po endesh në një qytezë që me pak punë do të rikthehet për të na mahnitur sërish. Entuziazmi që mbaja presuar me forcën e nofullave çlirohej në buzëqeshje të pavetëdijshme dhe në mornica pas shpine sa herë rastisëm shtëpi që po rindërtoheshin: “Ata po kthehen!”

Vullneti i shkëmbit, në gjurmët e një qytetrimi të lashtë

Rrugës për në malin e Këndrevicës, në dalje të fshatit, nëse nuk je i vëmendshëm mund të humbasësh mullirin e vjetër. Ne e zbuluam krejt rastësisht, nga kurioziteti, duke ndjekur ngadalë hap pas hapi çarjet e thepisura të shtratit të ujit, të cilat sa vjen e bëhen më të thella sa më shumë u afrohesh kanioneve. Në fillim na u duk sikur u ndeshëm me rradhë gurësh të vendousura aty nga një civilizim i lashtë. Më pas na u duk e pamundur. Vetëm alpinistë të mirëpajisur mund të vareshin për të ndërtuar me gurë në një luginë aq të thellë e të egër. U hodhëm mbi një rrasë guri të sheshtë në krahun tjetër të bregut për të parë më mirë. Themelet e një godine drejtkëndore u shfaqën të plota poshtë në grykën ku nisin kanionet e Nivicës, fare pranë urës së vjetër. Disa metra poshtë këmbëve tona zbuluam shtegun e ngushtë që të çonte tek ai që dukej si mulliri i vjetër i fshatit (na e konfirmuan disa banorë). Shtegu me tokë të njomur, gati rrëpirë, të çonte në shesh pushimin e hyrjes së rrënojave të mullirit. Asaj ndërtese të pazakontë, si e shkëputur nga ndonjë legjendë e zonës, i kanë mbetur dëshmi themelet dhe porta e një dhome të skalitur në shkëmb. Kjo e fundit qëndron ende në këmbë, e futur në një nga faqet e kanionit, e paprekur, si provë se vullneti i shkëmbit nuk njeh kohë.

Rrënojat e Kalasë së Nivicës tashmë njihen nga të gjithë të apasionuarit pas arkeologjisë. Pak hapa larg qendrës së fshatit, ato janë dëshmi e një vendbanimi Ilir, i cili daton në shekullin e IV p.e.s. Rrasat e gurëve diku formojnë mure, diku tjetër kanë mbetur grumbull, kapicë. Në ato grumbuj përzihen në mënyrë melankolike duart e shekujve që i kanë skalitur dhe transpotuar deri aty. Me ato gurë kalanë njeriu e ka ringritur në kohën e Bizantit dhe në periudhën otomane që e pasoi. Sipas asaj që lexuam aty për ty në internet, arkeologët thonë se civilizimi ilir në atë vend e ka patur shkëlqimin nga shekulli III deri në shekullin I p.e.s. Sot, kalaja është vendi më i paqtë në Nivicë. Me një pamje spektakolare, 360 gradë e rrethuar nga male, kanione dhe lugina. Aty ku dikur zhurmonin karrot, bronxi apo hapat mbi gurë, tani gumëzhin vetëm kënga e gjinkallave.

Gjëja që na bëri të vinim duart në kokë është vetë pozicioni gjeografik i kalasë: mbi kanion, e rrethuar nga tre anë nga humnera 200-400 metra e thellë. Vetëm në anën e saj perëndimore, kalaja dikur mbrohej nga muret me gurë dhe llaç gëlqereje. Kush ka banuar në atë kala ka pranuar kushte spartane, kush ka tentuar ta shtjerë në dorë ka patur ambicjen e një të marri. Vetë kalaja dëshmon se Nivica dhe e gjithë krahina e Kurveleshit janë vendbanim 2400 vjeçar. Por kalaja ruan ende copëza historish dhe repertesh të pazbuluara. Niviciotët dyshojnë se është akoma më e vjetër. Ekspedita të përvitshme me arkeologë ndërkombëtarë orvaten të penetrojnë sadopak nën rrasat e gurtë që vulosin me mister historinë e lashtë të atij vendi.

Nën shkëlqimin e Këndrevicës, duke u kredhur në ujëvarën e kanioneve

Pikërisht në pjesën e pasme të kalasë fshihet edhe një nga shtigjet që të lejon të zbresësh në Kanionet e Nivicës. Bashkë me Enean ndoqëm shtegun e shenjuar, diku nëpër shtylla metalike e diku tjetër në shkëmb, deri kur mbetëm pa frymë. Shtegu na gënjeu, dukej sikur mbaronte buzë një shpati të thepisur, dhjetra metra të thellë, me sytë për nga bukuria e kanioneve që shtriheshin deri në horizont, në një të çarë apokaliptike, me gjarpërime dhe kthesa të egra. Ndiheshim të vegjël, milingona, dhe ulëm sytë. Poshtë këmbëve tona gjetëm vazhdimin e shtegut. Në disa shkallë të ngushta, të skalitura në faqen e kanionit nga natyra. Një dhuratë e paçmueshme. I zbritëm ato shkallë me kujdes deri kur kaluam përmes një gryke të ngushtë. Nga aty mund të admiroje në brendësi kanionet dhe të dëgjoje gurgullimën e ujit që vinte nga poshtë. Zbritëm një shpat të butë duke ndjekur shtegun që bënte zig zage, diku me hapat e milingonës, diku tjetër duke u kacavjerrur nga pak.

Shenjat nëpër gurë na lanë në shtratin e zhytur mes mureve të larta të kanionit. Ngrita sytë lart për nga gryka ku mimetizoheshin me shkëmbin shkallët e gurta dhe përfytyrova të rrethuarit e kalasë duke zbritur thellë në kanion, në varg, për të marrë ujë apo për të çarë rrethimin. Poshtë në kanion rrjedha e përroit ishte e qetë, përkëdhelte lehtë shtratin shkëmbor dhe fshihej nëpër gurë të mëdhenj. Por dëgjonim se diku ajo gdhente vazhdimisht gurin dhe hidhej në rënie të lirë duke formuar një ujëvarë të lartë. Me sy nuk e gjenim dot. Na çuan këmbët e intuitës dhe disa ecejake të shkurta nëpër shpatin e butë të kanionit. Një përpjekje e fundit, e cila ia vlejti në çdo bulëz djerse. Rrëpira që na zbriti te gurët buzë ujëvarës na bukosi veshët me zhuzhurimën e ujit që derdhej pareshtur nga lart. Ndërsa vetë ujëvara na goditi në stomak sapo na pikasi.

U shfaq e bukur, e egër, e pakompleksuar. Nuk i rezistuam dot. U krodhëm nga pak, ngadalë-ngadalë, në vaskën natyrore që ajo kishte krijuar përreth saj. Aty ku avujt e freskët përngahera të ftojnë të lash lodhjen, stresin, merakun dhe frikën, me ujë që mbart aromën e malit. Me sytë nga ujëvara, me ujin e saj të ftohtë freskova dhe melankolinë kronike, peshqesh nga Tirana e zhurmshme, e koklavitur. Edhe përreth ujëvarës këndonin gjinkallat, por orkestrës i shtohej gurgullima e ujiit dhe gjethet që i bindeshin erës. Me atë melodi në kokë, kthimi ishte një shëtitje e lehtë.

Eneas, ndoshta padashje, i isha mburrur se gratë niviciote, sidomos nënat janë shumë të dashura dhe të përkushtuara, ndonjëherë deri në ekstrem. E mbajta sërish entuziazmin nëpër dhëmbë kur gjatë rrugës për t’iu afruar sa më pranë Këndrevicës hasëm një nënë fshati (të cilës fatkeqësist nuk ia mbaj mend emrin). Në dalje të fshatit rruga degëzohej në dy drejtime të ndryshme. Aty në kryqëzim, pranë urës së vjetër, ajo na doli si me porosi dhe ne e ndalëm pa drojë. Mbante shami të bardhë në kokë dhe bastun ndër duar. E pyetëm se cilin nga dy drejtimet të merrnim. Cili ishte ai më piktoresku. Ajo na tregoi një shteg të tretë. Më të bukurin dhe më të paqtin. Rrugën që përshkonte maja më maja vargun kodrinor të Shalëzës. Por ajo nuk u mjaftua me aq. Na shoqëroi deri kur ta gjenim hyrjen e fshehur të shtegut.

Na priu me çapa të shkurtër e të shpejtë. Sa herë hasnim qentë kuriozë të fshatit apo ata që të lodhur e me përtaci shoqëronin tufat e deleve, ajo na pëshpëriste “mos ki frikë të keqen nëna”. Merrte gurë dhe u kanosej me pasthirrma të egra. Ajo nënë nuk na u nda edhe kur na tregoi me gisht hyrjen në shteg, rrëzë një avllie të gjelbëruar, aty ku niste tatëpjeta. Priti, e mbështetur në bastunin e saj, na shoqëroi nga larg me sy deri kur më në fund dheu i zhveshur nga barishtet niste ta tregonte vetë drejtimin e duhur. Vetëm atëherë ajo na ktheu shpinën dhe u largua. Eneas iu duk ca e tepruar. Mua mu duk një dashuri.

Përshkuam kreshtë më kreshtë të gjitha kodrën e butë të Shalëzës. Dielli në krahë të Këndrevicës po perëndonte dhe vishte me një pëlhurë të hollë e të kuqerremtë parcelat e pambjella (por të blerta), arrat, mollët dhe qershitë nga të katërta anët. Kodrat mbi të cilat po shëtisnim ndanim më dysh stanet dhe arat e vjetra të fshatit. Mbrapa nesh, në distancë, guri i shtëpive të Nivicës na fshihej pas pemëve. Përballë shtrihej e plotë dhe me kurriz Këndrevica, e cila sikur na theshte “hë dhe ca se s’keni parë akoma asgjë”. Vazhduam të ecnim për t’iu afruar akoma më shumë malit. Në distancë, në rrugën me dhe’ të ngjeshur që të çonte për në Këndrevicë tufat e lopëve dhe të deleve endeshin ngadalë duke tundur me dhjetra këmborë. Prej tyre vinte një gurgullimë e ëmbël e cila më kujtoi ujin e ujëvarës. Meraku për ta parë sërish ende s’më është venitur. Herë pas here barinjtë që i shoqëronin ato bagëti për në fshat ndaleshin, vinin duart në ball për t’u bërë hije syve dhe na shikonin si të ngrirë për disa minuta me rradhë. Ne bënim të njëjtën gjë. Ndaleshim dhe ia ngulnim sytë nga maja e kodrës.

Në atë duel të heshtur, nga xhadeja në kodër e anasjelltas, ata hiqnin dorë të parët. Me siguri murmurisnin “e ç’janë këta… turistë?” dhe ktheheshin tek kafshët e tyre si indiferentë, duke u hequr sikur s’kishin parë asgjë të veçantë. Kur arritëm në kreshtën e fundit të Shalëzës, Dielli po bëhej gati të fshihej pas majave në horizont. Por Këndrevica vazhdonte të shkëlqente plotësisht. Ai mal, i gjithi zhveshur, është më i larti i zonës dhe i vargut të Gribës, 2121 metra. Të verbon me dritë nga lindja deri në perëndim. Gjysma e tij, ana perëndimore ndriçon aq fort gjatë ditës sa kur e fotografon “të djeg” gjysmën e imazhit. Në Këndrevicë niviciotët kanë stanet e tyre, aty i çojnë kafshët gjatë verës. Ai mal është i mbushur me rrëfenja e këngë sa të bukura dhe tragjike. Aty ushqehet qumështi dhe mishi që mban gjallë ekonominë e zonës. Para se të ktheheshim për në fshat, e admiruam Këndrevicën ca më gjatë, me premtimin se herës tjetër do ta ngjisnim.

Pse duhet vizituar Nivica si “turist”

Natyrisht, në Nivicë “kullerizmi” s’pi ujë apo long drinks. Në Nivicë lumturinë s’ta fal shtrenjtë ndonjë shpërndarës droge i fshehur në mes të turmës apo një vakt buzë kaltërsisë së detit. Nuk ka “house”, nuk ka “techno”, nuk ka “turbo folk”. Kur ta vizitosh përgatitu të orkestrosh vetë muzikën tënde, duke luajtur me gjinkalla, me fëshfërimat e gjetheve, me buisjen e ujit në kanione dhe me këmborët e bagëtive. Në Nivicë djersitet për t’u ngjitur dhe dridhen këmbët në zbritje, për t’u freskuar më pas me dhallë e mikëpritje që të çarmatosin nga paragjykimet e qytetit. Si dhalla, zëri i butë dhe mollët e nënë Bukurijes. Edhe tani e imagjinoj duke pasturar oborrin e gjerë përballë shtëpisë, ndërkohë që i shoqi kujdeset për lulet.

Në Nivicë qëndruam në bujtinë, te “Bujtina mbi Kanion”. Është e kotë t’ju lodh duke përshkruar bukurinë dhe lezetin e atij vendi. E gjeni në Facebook & Instagram. Por postimet në rrjetet sociale s’ta transmetojnë dot pastërtinë, fjalët e bukura, shijen e byrekut, aromën e zarzavateve të freskëta apo mishin e hellit. Dhomat ishin të dekoruara bukur e të mirëpajisura. Unë dhe Enea zgjodhëm të montonim çadrën në oborr, llastim më vete. Në asnjë oborr tjetër nuk më ishte dhënë rasti të flija me ketrat që bridhnin përreth nesh, degë më degë. Mikpritja, kurajo dhe kujdesi i vazhdueshëm i Petritit dhe i zonjës së shtëpisë janë për t’u patur zili nga çdo resort në planet.

Në Nivicë deri më tani të mirëpresin dy bujtina. Shumë shpejt do të bëhen katër. Në të ardhmen priten të tjera sipërmarrje të këtij lloji. Kostot? Një fundjavë në Nivicë kushon sa 1/3 e një fundjave në bregdet, nga Jugu në Veri. Ndaj është mëkat që kur merr pushimet mos t’ia dedikosh një fundjavë Nivicës. Madje, tani është koha ideale. Gjatë qëndrimit tonë në fshat vizitorët numëroheshin me gishtat e tre duarve. Kjo gjë u përkthye në më shumë kujdes dhe vëmendje të dedikuar ndaj nesh. Aq shumë, sa kur zbrita në bregdet mu duk vetja krejt anonim. Mendoje…

Përkundja e fundit në agim

Ditën e fundit u zgjuam sapo agoi. Mondi nisej nga qendra e fshatit në 6:15 të mëngjesit. Çmontuam çadrën dhe rregulluam çantat me nxitim. Nga padurimi për të gjetur vend në të vetmin “urban” të fshatit, i bëmë Mondit pritë aty ku e kishte parkuar furgonin. Në Rexhin, pranë lapidarit. Patëm kohë të pinim një kafe të shpejtë në lokalin e Rexhinit, ndërkohë që Mondi bënte gati furgonin me qetësi olimpike. Mundi na doli kot. Kur u nis, ai na tha të uleshim në sediljet e pasme. Buza e rrudhur mu kthye në një shkelje syri të brendshme kur vendet e para i zunë dy gra të fshatit.

Dolëm nga Nivica pas një xhiro të fundit nëpër fshat, atëherë kur furgoni u mbush plot me udhëtarë të të gjitha moshave. Do të kthehem sërish i premtova vetes. Lamë pas me shpejtësi, vaj, mbi asfalt, Gusmarin, Progonatin dhe Lekdushin. Kur filloi rruga e çakullit, nisën lëkundjet, isot labe orvateshin të mbysnin zhurmën e llamarinave, ndërsa dielli i mëngjesit më binte drejt e në sy. Ashtu, me shpinën e përkulur, pa patur mundësi të mbështetesha gjëkundi, i përkundur nga gurët e rrugës mbi kanione, nisa të përgjumesha ëmbël.

Bonus video:
Loading...