Home Kultura Kur Konica kërkonte“zgjerimin e kufirit të mëndjes” për shqiptarët

Kur Konica kërkonte“zgjerimin e kufirit të mëndjes” për shqiptarët

Ndriçim Kulla

Konica, diti të hedhë bazat e mendimit të përparuar dhe modern shqiptar, të vizionojë një Shqipëri të ardhshme europiane përkrah kombeve të qytetëruara të kontinentit të lashtë. Aq sa fshikulloi ashpër, si rrallëkush, mentalitetin e prapambetur shqiptar, “mendjet e klasit të katërt” siç i quan ai, krejt përgjumësinë pesëshekullore, po aq diti të ngrejë lart, në piedestal glorifikimi, në vetë botën perëndimore, vetitë më të mira të shqiptarëve, doket, zakonet, historinë, krenarinë shqiptare në shekuj, e mbi të gjitha, gjithçka të vyer shpirtërore që shqiptarët dhanë historikisht, krahas gjakut të tyre që rrjedh në damarët e Europës.Është e njohur pena e mprehtë koniciane për të goditur ashpër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, por edhe me ironinë dhe sarkazmën e tij të rrallë, tërë dukuritë shoqërore regresive të Shqipërisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, botëkuptimin e prapambetur anadollak që kishte përgjumur shqiptarët për pesëqind vjet, kritikë kjo sociologjike e llojit volterian, me forcë e fuqi tronditëse, troshitëse, shkundëse. Në këtë vështrim, kjo lloj kritike koniciane me ashpërsi mbresëlënëse ka karakter të theksuar konstruktiv, tek sendërton hap pas hapi vetëdijen kombëtare, çel sytë e mendjes, e vesh atë me forcë vepruese shoqërore, e orienton dhe e ngacmon drejt një qëllimi fisnik me synime të qarta në kuadër të një perspektive të afërt a të largët.

Që në numrin 1 të Albanias (1897), në kryeartikullin “Armiqtë e Shqipërisë”, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon “buka e barkut”, “buka e mendjes” dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm. Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancën aktuale: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepërse një faqe në historinë e Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin Shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”.Nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, ai e kërkon fjalën të çiltër, të qëruar, të revoltuar e revoltuese njëkohësisht, që të shpërthejë me gjëmim rrufeje zeusiane.

Topitja ka shkuar nën cakun e flijimit dhe vetëflijimit, të durimit dhe vetëdurimit, dhe lypset tanimë ndërgjegjësim e vetëdije, me shpërthim vullkanik shoqëror.Në numrin 2 të Albanias, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin “Ç’është liria?”. “Dua të marr shpatën”, revoltohet ai, “e t’u çajë kokën gomerëve, e në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por Shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botojë letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shajë fetë e tyre… “s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…” Dhe Konica përfundon me një thirrje sfidë që të bën të dridhesh ende dhe sot për aktualitetin e saj: “Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit.

Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (la vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë”. Emancipimin shoqëror si një çështje madhore, Konica e trajton me penë të fuqishme në shkrimin “Rritja mendore e popullit shqiptar” (Albania, prill 1906). Thjesht çështjen e arsimimit shqip dhe të luftës kundër padijes, ai nuk e kufizon aspak te brezi i ri, domethënë të pritet një herë sa të shkollohet brezi i ri që të mund të arsimohet krejt shoqëria. Jo, përveç mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe te brezi i vjetër, krahas atij të ri, Konica kërkon “zgjerimin e kufirit të mendjes së tyre”, duke kaluar kështu nga një fazë e parë e domosdoshme, njohja e shkrimit, në një fazë të dytë që ai e quan“lërimin e mendjes”, domethënë kulturimin dhe qytetërimin shoqëror, një tjetërsim pra të njeriut shqiptar të kohës, i prapambetur në mendime apo me botëkuptim të ngushtë. Dhe populli, këmbëngul Konica, e ka dashurinë për “lërim të mendjes”, sepse kërkon të ecë përpara, të mësojë. Por i mungojnë librat, “këtu fle lepuri”, aty është çështja.Gjendjen e librave (metodave) shqipe dhe të abeceve Konica e sheh të mjerueshme (janë për mëshirë!) e as që mund të bëhet fjalë për aritmetikë, gjeografi, trigonometri etj.

Këtu Konica bën dallimin e madh në libra për fëmijë dhe libra për të rritur (për burra me mustaqe!) dhe një abetare e thjeshtë kurrsesi nuk mund t’u adresohet këtyre. Shqiptari për Konicën duhet të hapë sytë e mendjes, të shohë rrotull tij se çfarë bëjnë kombet e qytetëruar që edhe kombi shqiptar të përparojë e të ecë krahas tyre. Pra, përqasja e gjendjes shoqërore të mjerueshme në Shqipëri me gjendjen e përparuar shoqërore, sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore, është një pikë referimi konstante në botëkuptimin konician për ndërgjegjësim e veprim shoqëror. Nëse gjetkë, zhvillimi botëkuptimor e shoqëror ka ecur përherë me hapa të shpejta, tek ne, për njëmijë arsye të jashtme e të brendshme, ky zhvillim nuk ka ndjekur ritmet e duhura bashkëkohore, dhe Konica s’përton në këtë mes të fshikullojë ashpër një dukuri të tillë të përgjumjes shoqërore në Shqipërinë e Turqisë europiane. Ky fshikullim i spikatur i viteve të “Albanias”, do të ngrihet në një model të vërtetë të kriticizmit në fillim të viteve ‘20. “E trishtë është jeta, e unë i kam lexuar të gjitha librat”. Me këto vargje nis njëra nga poezitë më të famshme të poetit francez Stefan Malarme. Por po njëlloj, kështu nis edhe njëra nga ato esetë e shkurtra të Konicës me titull “Jeta dhe librat”, e shkruar dukshëm mbi një reliev të qartë shpirtëror. Është ky një çast psikologjik, që e përqendron mendimin e tij te tragjedia “Prometeu i lidhur” i Eskilit, një libër siç shkruan ai “i vjetër për nga mosha 2400-vjeçare”, por gjithnjë i ri për nga mendimet”. Prometeu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, dramën e dashurisë së madhe që ai ka e kërkon të mbizotërojë tek njerëzit. Një hero i tillë, tek i cili ndoshta Konica frymëzohet edhe për veten, ka se ç’t’u thotë shqiptarëve në fillim të viteve ‘20, kur në Shqipëri luftohej pikërisht kundra tiranisë dhe lirisë së mendimit. Është kjo ide një nisje emblematike e një sërë sprovash të cilat shtresëzohen në vite me tipologji e personazhe të rinj, që më tepër përfaqësojnë kategori të vërteta njerëzore, nëpër të cilat Konica do ta shtratëzojë analizën e vet, për të arritur në sprovën më të arrirë “Shqipëria si mu duk”, ku mendimi i tij, nëpërmjet një analize sociologjike e psikologjike, formëson një kategorizim të mirëfilltë antropologjik të shoqërisë shqiptare.

Një fizionomi të tillë trajtimore shpreh Konica që në ciklin “ Katër përralla nga Zullulandi” (1922). Zullutë paraqiten nga autori më shumë sinjë turmë se sa si një popull i ndërgjegjësuar, duke na lënë të nënkuptojmë menjëherë se kemi të bëjmë me njërën nga tipologjizimet ose kategoritë e tij sociologjike, mbi të cilat ai ndërton gjithë ligjërimin e llojit të kriticizmit dhe stigmatizimit. Dy janë udhëheqësit që mund të nxjerrë lëvizja spontane e zulluve. I pari është Denizulla Sepia, një aventurier i paskrupullt, mashtrues e demagog, një njeri i fjalëve boshe dhe përfaqësues i interesave të ngushtë e meskinë. Duket se kjo kategori njerëzore, e përzgjedhur dhe skalitur kaq mjeshtërisht që para 100 viteve, në mesin e politikës shqiptare duket se është më e gjallë se kurrë. Përballë tij, autori vendos plugun, atdhetarin e flaktë dhe idealist, që pa zhurmë e pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon të krijojë lëvizjen e vërtetë kombëtare në Zulluland, atë lëvizje që i kthen zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet, të lirë, të qytetëruar dhe me nder.

Ndoshta edhe kjo kategori ka një jetë historike në realitetin tonë të sotëm, trashëgimnia më kulmore e veprës gjendet në kategorizimin e tretë. Konica, ky psikolog i hollë i mendësisë individuale edhe kolektive shqiptare, e ka antropologjizuar në mënyrë të qëllimshme dukurinë e rëndësishme sociale të ekzistencës së turmës, si një masë e pavetëdijshme, e zhveshur nga qëllimet dhe aspiratat ndërtuese, që pushtohet shumë shpesh nga instinkte dhe delire. Është ky një projektim gjenial me të cilin do të ndeshen mjaft mendimtarë shqiptarë të kohës, por qëaskush nuk do të dijëta shpjegojë dhe përshkruajë më kthjelltësisht se Konica.

Loading...