Home Bota Shtohen tensionet lidhur me kapjen nga Irani të një anieje cisterne britanike

Shtohen tensionet lidhur me kapjen nga Irani të një anieje cisterne britanike

Tensionet globale vazhdojnë të rriten, lidhur me kapjen nga Irani të një cisterne nafte me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit. Britania lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Republikës Islamike, duke thënë se konfiskimi i anijes ishte një lëvizje “reciproke”.

Ministria e Jashtme britanike tha se e kishte thirrur të ngarkuarin me punë të Iranit në Londër, një ditë pasi sekretari i jashtëm britanik Jeremy Hunt tha se Teherani “po zgjedh një sjellje të paligjshme dhe destabilizuese” dhe paralajmëroi se “reagimi i Britanisë do të jetë i fuqishëm”.

Këshilli Rojes së Iranit tha të shtunën se konfiskimi ishte në përgjigje të pjesëmarrjes së Britanisë në konfiskimin dy javë më parë të një cisterne iraniane të naftës që transportonte më shumë se 2 milionë gallonë naftë iraniane pranë territorit britanik të Gjibraltarit në bregun jugor të Spanjës.

Britania, ndërkohë i paralajmëroi anijet e atij vendi që të qëndrojnë larg nga Ngushtica e Hormuzit për një periudhë të përkohëshme, pasi një anije çisternë brtianike u ndalua nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha të shtunën, pas një takimi të komitetit ndërqeveritar për emergjencat, se Londra mbetej thellësisht e shqetësuar nga veprimet e papranueshme të Iranit, që paraqesin një sfidë të qartë mbi lirinë ndërkombëtare të lundrimit.

Siç njoftojnë autoritetet iraniane, anija Stena që lundronte nën flamurin britanik, u ndalua nën akuzat, “për mosrespektim të rregullave ndërkombëtare të lundrimit” nga korpusi i rojeve që është një degë e forcave të armatosura iraniane. Irani thotë se anija çisternë dhe ekuipazhi janë dërguar në Bander Abbas, në brigjet jugore të atij vendi.

Personeli në bord

Pronarët e anijes Stena Impero, e cila po lundronte drejt Arabisë Saudite, thanë të premten se nuk kishin qënë në gjendje të kontaktonin mjetin lundrues me 23 pjestarë të bord. Ata thanë se anija po lundronte në veri drejt Iranit pasi i ishin afruar mjete ajrore të paidentifikuara në Ngushticën e Hormuzit.

Zyrtarët britnaikë thonë se një anije tjetër çisternë, Mesdar, nën pronësi britanike dhe që lundronte nën flamurin liberian, ishte ndaluar po ashtu për pak kohë nga forcat iraniane të premten. Pronari i anijes Mesdar konfirmoi se anija ishte liruar dhe të dhënat satelitore tregonin se ajo po lundronte në perëndim të Gjirit Persik.

Zyrtarët britanikë po e cilësojnë ndalimin e dy anijeve si një shkelje e kalimit të lirë të anijeve në ujërat ndërkombëtare. “Këto ndalime janë të papranueshme”, tha shefi i diplomacisë britanike Jeremy Hunt. Ai tha se Londra do të “reagojë në një mënyrë të konsideruar por të fuqishme”, ndaj veprimeve të Iranit. “Ne nuk po shikojmë alternativat ushtarake, por mënyrat diplomatike për të zgjidhur situatën”, u shpreh ai.

Zëdhënësi ushtarak amerikan, Nënkoloneli Earl Brown me Komandën Qendrore, tha të premten se mjete ajrore të paarmatosura po monitorojnë Ngushticën e Hormuzit nga hapësira ajrore ndërkombëtare. Ai tha se ushtria amerikane ka kontaktuar anijet amerikane lidhur me sigurinë e tyre.

Në një tjetër zhvillim të premten, media shtetërore në Arabinë Saudite njoftoi se qeveria ka dhënë miratimin për të lejuar ardhjen e disa qindra forcave amerikane në atë vend për të rritur sigurinë rajonale. Zyrtarët amerikanë thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press se kjo lëvizje kishte si qëllim kundërvënien ndaj Iranit. Ata thanë se veprimet ishin planifikuar javë më parë dhe se nuk ishin reagim ndaj ndalimit të çisternës britanike.

Veprimet e së premtes nga Teherani duket të jenë hakmarrje për ndalimin e një superçisterne në territorin mesdhetar britanik të Gjibraltarit.

Autoritetet atje zgjatën të premten për një periudhë 30 ditore ndalimin e supërçisternës me flamur të Panamasë, “The Grace1”. Anija u ndalua në fillim të muajit nga Marina Mbretërore Britanike në brigjet e Gjibraltarit nën dyshimet për shkelje të sanksioneve kundër Sirisë, duke u përpjekur të transportonte naftë të papërpunuar iraniane drejt Sirisë.


Loading...