Home Intervista Mjeku personal i Enver Hoxhës tregon pse vendosi të botojë historitë e...

Mjeku personal i Enver Hoxhës tregon pse vendosi të botojë historitë e “Kremlinit shqiptar”

Prof. Isuf Kalo vjen në një rrëfim për Bllokun, botim i UET PRESS. Pse e shkroi këtë libër dhe raportet e tij me ish-udhëheqjen e lartë komuniste, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha…

A duhet ta shkruante prof. Isuf Kalo librin “Blloku”? A duhet t’i tregonte ai të vërtetat e tij në hapësirën që për gati gjysmë shekulli udhëhoqi Shqipërinë komuniste? Rrëfimet e Kalos, ish-mjekut personal të Enver Hoxhës, më shumë se një dekadë afër tij, të ftojnë të vizitosh ferrin dantesk me të gjitha rrathët e tij. Libri “Blloku”, botim i UET PRESS, prej një jave ka ngjallur debate. Për herë të parë, prof. Kalo, njëherësh dhe dekani themelues i Fakultetit të Shkencave Mjekësore e Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, tregon më poshtë për gazetën “Liberale” se përse e shkroi këtë libër…

Prof. Kalo, ju jeni gjerësisht i njohur si mjek i përkushtuar e i suksesshëm gjatë më shumë se 50 viteve në këtë profesion, si brenda dhe jashtë vendit. Keni botuar shumë shkrime me vizione interesante në shtypin periodik dhe një numër librash me temë shëndetësinë tonë, për gjendjen, reformën dhe perspektivat e saj. Befas botuat pak ditë më parë, falë UET PRESS, librin “Blloku”, me një subjekt krejt tjetër, i cili ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm dhe po aq reagime në shtyp, në media, në biseda të përditshme të njerëzve, madje edhe te shqiptarët e emigruar. Përse e shkruat këtë libër? A keni menduar se këto kujtime do të paragjykohen?

Nuk ishte shtysë, ishte detyrë që ndjeva spontanisht së brendshmi në moshën që jam, të mos largohem nga jeta pa u ofruar njerëzve të mi, sidomos brezit të ri dhe atij të ardhshëm, ato çka dija, çka mësova, ato çka përjetova dhe kuptova në periudhën komuniste, me besimin se në to mund të gjente mësime të dobishme shoqëria jonë e sotme dhe e nesërme.

Pata fatin rastësor ta njihja Bllokun dhe banorët së brendshmi për një periudhë të gjatë, dhe rrëfimin tim për të vërtetat e tij e ndjeva si obligim. Pra libri “Blloku” është ofertë vullnetare nga ana ime, pa ma kërkuar as imponuar dikush dhe pa pretenduar monopolin e së vërtetës dhe të pagabueshmërisë.

Në fakt, nuk ishte vendim i befasishëm. Ditën që botova librin e fundit “Shëndetësia jonë, si do ta doja” në vitin 2013, i fundit i një trilogjie kur zyrtarisht dola nga institucionet publike në pension, paralajmërova se ky është libri im i fundit i përkushtuar shëndetësisë. Dhe dihet që pensionistët pas kësaj tregojnë kujtime.

Unë po rrëfej përjetimet, ndjenjat dhe interpretimet e viteve të kaluara. Së fundi, lidhur me motivin e shkrimit të këtij libri duhet të them se misioni dhe objektivat e mjekësisë si shkencë kanë evoluar dhe kanë dalë nga kufiri thjesht të biologjisë dhe të sëmundjeve, për t’u shtrirë edhe në fusha të reja, si ato sociologjike, psikologjike, kulturore dhe ekonomike. Në fokusin e saj janë tani gjithnjë e më shumë edhe problemet e shëndetit të popullatës, i cili, nga ana e tij, është i varur prej sistemeve shëndetësore.

Por ky është i determinuar nga sistemi politiko-shoqëror në kuptimin e aftësive të tij për të minimizuar elementet kyçe negative, si varfëria, padituria dhe padrejtësia.

Duke hyrë në një fushë të re, me rrëfimin e ngjarjeve politiko-shoqërore të personazheve, por edhe individuale të personave e familjeve të asaj kohe, ish-pacientë apo ish-personalitete të njohura e të fuqishme, nuk patët drojë se mos lëndonit ndonjë prej tyre ose krijonit zhgënjim lidhur me miqësinë që kishit pasur me ta?

E kam thënë që në hyrje të librit, se nuk kam pasur asnjë synim të lëndoj qëllimisht asnjërin prej tyre. Përmendja është bërë si protagonistë të ngjarjeve, por duke respektuar deontologjinë dhe etikën mjekësore. Nuk ka asnjë emër diagnoze në libër, përveç atyre si diabeti apo infarkti, që kanë qenë të shpallura zyrtarisht në publik që në atë kohë.

Nuk ka asnjë ofezë, asnjë shpifje, asnjë përçmim, asnjë etiketim përçudnues dhe ofendues për askënd. Katër citatet në fillim të librit janë esenciale për të kuptuar objektivat dhe vështirësitë e pritshme prej këtij rrëfimi. E para e Ismailit, e thënë në një intervistë në Itali: “Besonin, mendonin se ishin dikush, por nuk ishin …”. Prej këtej çdo dëshirë e mirë, çdo rrëfim i sinqertë nga të tjerë që i ndihmon ata të njohin më saktë dhe më vërtetësisht veten, është në dobi të tyre.

E dyta, thënia e Zhakline Kenedit: “Ka dallim mes asaj që njerëzit besojnë dhe asaj që unë di si të vërtetë”. Ky dallim ekziston edhe në rastin e njohjes dhe informimit të të vërtetave të Bllokut në raport me keqinformimet dhe paragjykimet e mundshme ndaj tij. Rrëfimi im mendoj se është i dobishëm, sepse synon të sjellë të vërtetat ashtu siç i di dhe i kam besuar unë.

E treta, nga një shkrimtar bashkëkohor francez: “Fotografitë nuk i tregojnë të gjitha. Tregojnë vetëm aspektet e dukshme sipërfaqësore”. Rrëfimi im, falë mundësive pranë tyre, depërton edhe në brendësi të ngjarjeve, por edhe të personazheve.

Së fundi, fjalët e Franc Kafkës në gojën e personazhit mjek: “Të shkruash receta është e lehtë, por është shumë e vështirë të njohësh njerëzit”. Kjo ndihmon të mirëkuptohem si mjek, nëse rrëfimi im nuk është aq i plotë, ose aq i saktë në portretizimin e personazheve të këtij libri.

Ju keni qenë mjek personal i Enver Hoxhës, keni konsultuar episodikisht si mjek edhe të tjerë udhëheqës, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Nexhmije Hoxhën etj. Perse nuk ia përkushtuat librin pacientit kryesor, Enverit, ndaj të cilit ka më shumë kuriozitet, sepse ishte ai diktatori, apo nuk ishte i tillë për ju?

Që Enveri ishte diktator dhe që regjimi ishte i vetëshpallur publikisht diktaturë e proletariatit ose diktaturë e shumicës ndaj pakicës, këto janë të mirënjohura nga të gjithë. Në hyrje të librit, por edhe në kapitujt e fundit të tij, kam shtjelluar se çfarë përfaqësonte Enveri politikisht dhe ideologjikisht, por nuk kam lënë pa ekspozuar edhe disa elemente të tij si pacient, natyrisht këto pa shkelur kodin e etikës mjekësore. Ai ishte pacient bashkëpunues, mua më ka ofruar besim e mirënjohje dhe unë i ruaj si mjek sentimentet reciproke për të si njeri, si person.

Por kam menduar se më me rëndësi ishte të rrëfeja për sistemin e atëhershëm lidhur me mendësitë, aktet, ndjenjat dhe sjelljen e një sërë protagonistëve i të cilëve blloku ishte simbol. Diktaturat, ndryshe nga diktatorët, nuk vdesin as zhduken bashkë me ta.

Diktaturat nuk janë thjesht një filan diktator me atë apo këtë emër, janë mendësi që bazohen në besime, ide dhe paragjykime. Ato ndryshojnë formë, sipas terrenit, por jo thelbin e tyre, i cili është përqendrim pushteti në një dorë dhe ushtrimi i tij me propagandë dhe forcë.

Bien në sy dy elemente të reja në përfytyrimin e publikut për atë kohë dhe atë regjim. Jeni përqendruar te dy personazhe kryesore, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Të parin duket sikur e fajësoni më shumë se të dytën, çfarë është e kundërta e asaj që njerëzit deri më tani kanë besuar? Është sentimentalizëm ndaj Nexhmijes prej moshës, apo gjykim më i balancuar nga ana emocionale ndaj saj?

Ata të dy i bëri personazhe kryesore të librit “Blloku” fakti që jetuan edhe periudhën e rënies së regjimit, të cilën patën ngritur dhe mbrojtur gjatë gati katër dekadave. Ata, dhe gjatë jetës në atë regjim, patën bashkëpunuar shumë ngushtë në fushën ideologjike. Dallimi qëndronte se Ramizi ishte zyrtarisht prezent dhe anëtar në të gjitha instancat më të larta të vendimmarrjeve.

Disa prej të cilave rezultuan katastrofike për fatet e vendit. Ishte anëtar i Byrosë Politike, anëtar i sekretariatit të Komitetit Qendror, pastaj dhe President i vendit, kurse Nexhmija ishte thjesht anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, forum që miratonte verbërisht vendimet që merrnin instancat më të larta. Pas vdekjes e Enverit u duk sikur ata të dy do ta udhëhiqnin vendin dhe partinë si duhet.

Kjo ishte utopi. Në regjime të tilla totalitare, si thotë Xhorxh Oruelli, ka vetëm një “Big Brother”. Ramizi, gjatë gjithë jetës, e pati mbështetjen e Nexhmijes, deri dhe në kurorëzimin e tij si i pari i vendit. Ndërsa në majë të pushtetit, Ramizi bëri akte tinëzare, si ndaj partisë dhe ndaj Nexhmijes. Ato unë i kam paraqitur ashtu siç i kam kuptuar dhe interpretuar.

Në libër nuk ka mbrojte të Nexhmijes për ato akte që kanë qenë përgjegjësi e saj, por ka denoncim të rasteve kur tek ajo janë përcjellë spontanisht apo në mënyrë të qëllimshme faje dhe akte që nuk i ka pas gjeneruar Nexhmija, sepse nuk ka qenë anëtare në ato poste vendimmarrëse. Bindja ime ishte që Nexhmija nuk ishte Enver. Ajo nuk e donte ndryshimin, por nuk e pengoi Ramizin në reformim, sepse nuk kishte fuqi, por nuk kishte as edhe vizion, energji dhe aftësi.

Fajësimi prioritar i Nexhmijes, në kuptimin tim, ishte strategji që Ramizi të pranohej si e keqja më e mirë. Ramizi, në mos e krijoi vetë, e lejoi të përhapej ai paragjykim. Në vlerësimin tim Ramizi kishte veti pozitive intelektuale dhe qytetare, por kishte probleme me karakterin, integritetin dhe besueshmërinë.

Në librin e Ramiz Alisë “Enveri ynë”, është edhe një vlerësim pozitiv i Enverit posaçërisht për ju, si mjek personal i tij: “Mua të vazhdojë të më ndjekë Isufi”. Të gjithë diktatorët njihen për frikën se mos njerëzit afër tyre e tradhtojnë ose e helmojnë? Keni pikasur ndonjë shenjë dyshimi të tillë ndaj teje gjatë vizitave mjekësore ose kontakteve me të? Përse mendoni se ai ju pranoi dhe ju besoi kaq shumë vite shëndetin dhe jetën e tij?

Përgjigjen duhet ta jepte ai vetë. Por, së pari, le të sqarojmë se kujdesi mjekësor ndaj tij kryhej jo vetëm nga unë, por nga i gjithë ekipi i posaçëm kompleks, mjekë e infermierë, në harmoni dhe transparencë mes nesh.

Ai pati besim te secili prej tyre, tek infermieret që i jepnin barnat, kuzhinieri që i përgatiste ushqimin, apo oficerët që rrinin gjatë 24 orëve brenda shtëpisë, pra gëzonin të gjithë të njëjtin besim. Ndërkohë, ndjesia ime ishte se ai kishte aftësi hetuese psikologjike të shprehura në mënyrë disi të sofistikuar. Kishte dyshime dhe paragjykime si të gjithë, por ndoshta hetonte dhe mblidhte argumente.

Unë nuk jam ndier i dyshuar ndonjëherë. Pozitive ishte që nuk jetonte me sëmundjet në kuptimin e manjerizmave ndaj tyre, por as nuk na lejonte ne mjekët t’i përdornim ato apo rreziqet e tyre si metodë ose presion për ta vënë jetën dhe veprimtarinë e tij nën vartësinë tonë./ Alda Bardhyli

Bonus video:
Loading...