Home Shëndeti Këshillat e mjekes Ilda Xhelili: Si duhen trajtuar infeksionet mykotike tek femrat!

Këshillat e mjekes Ilda Xhelili: Si duhen trajtuar infeksionet mykotike tek femrat!

Infeksionet mykotike janë një problematikë e shpeshtë që shfaqen tek femrat. Ndër më të shpeshtat janë infeksionet që shfaqen në zonën gjenitale. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit faktorët që ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve mykotike vaginale, simptomat dalluese, si dhe kujdesin që duhet të tregohet në trajtimin e tyre jo vetëm nga femrat, por edhe nga partneri i tyre. Sipas mjekes, nuk duhet të merrni antibiotikë apo qetësues të tjerë në farmaci pa këshillimin e mjekut që ndjek gjendjen tuaj shëndetësore. Kjo pasi në të kundërt do të përballeni me ndërlikime të tjera.

Sa të shpeshta janë infeksionet e kësaj natyre?

Shumica e infeksioneve vaginale mykotike shkaktohen nga mikroorganizmi “Candida albicans”. Këto infeksione prekin deri në 75 për qind të grave në një moment në jetën e tyre. Speciet “Candida” mund të jenë të pranishme në vaginën e grave të shëndetshme pa shkaktuar asnjë simptomë. Sipas studimeve vlerësohet se rreth 20-50 për qind e grave kanë të pranishme në speciet “Candida”. Por që infeksioni të ndodhë duhet të prishet balanca normale e popullimit të këtyre specieve, pra duhet të dominojë shumimi i tyre që të kemi zhvillimin e infeksionit mykotik kandidozik.

A përhapet seksualisht ky lloj infeksioni?

Një infeksion vaginal mykotik nuk konsiderohet të jetë sëmundje seksualisht e transmetueshme për faktin se “Candida” mund të jetë e pranishme edhe tek gratë që nuk janë seksualisht aktive. Por mundësia e transmetimit seksual të “candidës” ekziston.

Cilat janë simptomat kryesore klinike?

Simptomat kryesore klinike mund të përfshijnë sekrecione vaginale që zakonisht janë të bollshme, të trasha, pa erë dhe në ngjyrë të bardhë deri në gri të lehtë. Shkarkimi i sekrecioneve është përshkruar si një konsistencë e ngjashme me qumështin e prerë, ose djathin e butë. Simptoma të tjera vaginale përfshijnë: kruajtje intensive të zonës vaginale ose komplet zonës gjenitale, irritim, dhimbje dhe djegie gjatë marrëdhënies seksuale, dhimbje ose djegie gjatë urinimit, skuqje, acarim dhe enjtje e vaginës dhe e zonës së jashtme të saj.

Çfarë i favorizon këto lloj infeksionesh?

Këto infeksione ndodhin zakonisht kur ka një shumëzim të tepruar të “candidave” që janë të pranishme në mjedisin vaginal. Kjo situatë mund të ndodhë kur pacienti ka marrë për arsye të ndryshme shëndetësore antibiotikë (për shembull për infeksione urinare, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes ose lloje të tjera infeksionesh). Dihet që antibiotikët përveç efektit kurativ, si efekt anësor kryesor kanë prishjen e florës bakteriale normale, pra të asaj që është e dobishme për organizmin e njeriut. Pikërisht kjo prishje e ekuilibrit normal të baktereve saprofite (të dobishme) krijon një terren të favorshëm për lulëzimin dhe shumëzimin tej normës të specieve “Candida”. Prandaj duhet shumë kujdes në përdorimin e antibiotikëve.

A abuzohet me përdorimin e antibiotikëve?

Sot është një trend i ditës që pacientët të marrin antibiotikë në farmaci pa recetën e mjekut. Rezistenca mikrobike që po krijohet nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve mbetet ende një problem shumë serioz. Antibiotikët duhen përdorur me shumë kujdes vetëm kur janë të domosdoshëm dhe vetëm me recetën e mjekut. Pacientët duhet të jenë të ndërgjegjshëm që antibiotiku nuk blihet pa këshillimin e mjekut. Janë të përcaktuara medikamentet që mund të merren direkt nga pacienti nëpër farmaci.

Çfarë shkaqesh të tjera mund të favorizojnë shfaqjen e këtyre infeksioneve?

Infeksionet mykotike vaginale mund të shfaqen gjithashtu kur ka dëmtime të brendshme të mukozës vaginale, siç ndodh për shembull pas cikleve të kimioterapisë (efektit anësor të kimioterapisë). Gjithashtu, gratë me sistem imuitar të shtypur (për shembull ato që marrin medikamente kortizonike) zhvillojnë infeksione mykotike vaginale më shpesh se gratë me imunitet normal. Kushte të tjera që mund të predispozojnë gratë për të zhvilluar infeksione vaginale kronike përfshijnë: diabetin (niveli i lartë i sheqerit në gjak krijon kushte të favorshme për shumëzimin e candidave), shtatzania dhe lehonia (si rezultat i ndryshimeve të fuqishme hormonale), si dhe përdorimi i dusheve apo spray të parfumuar për higjienën vaginale mund të rrisin gjithashtu rrezikun e gruas për të zhvilluar një infeksion mykotik vaginal.

Si trajtohen infeksionet mykotike vaginale?

Së pari rekomandohet sa të jetë e mundur reduktimi i lagështisë në zonën gjenitale, gjë e cila mund të reduktojë gjasat për të zhvilluar infeksione mykotike. Masat që mund të ndihmojnë në kontrollin e lagështisë përfshijnë mbajtjen e të brendshmeve të pambukta, pantallonave të lirshme që të qarkullojë ajri lirshëm. Kujdes duhet treguar gjatë periudhës së plazhit me rrobat e banjës, të cilat nuk duhen mbajtur gjatë të lagura në trup. Shenjat klinike të infeksioneve mykotike mund të jenë të ngjashme me infeksione të tjera të rrugëve vaginale prandaj për përcaktimin e saktë të diagnozës nevojiten ekzaminime laboratorike. Për të bërë më saktë diagnozën nevojitet një ekzaminim i sekrecioneve vaginale qoftë me kulturë (me mbjellje) qoftë me vrojtim direkt në mikroskop për të identifikuar mikroorganizmat përkatës që kanë shkaktuar infeksionin. Ky ekzaminim ka rëndësi për të diferencuar në mënyrë të veçantë infeksionet seksualisht të transmetueshme. Në dispozicion të trajtimit të këtyre mykozave janë pomada, ose kremëra të posaçme antimykotike për aplikim lokal (direkt në zonën vaginale). Këto trajtime lokale duhet të jenë alternativa e parë për trajtimin e këtyre infeksioneve. Këto kremra mund të merren në farmaci edhe pa recetën e mjekut. Përveç kremrave, janë të disponueshme edhe tabletat ose ovulat vaginale. Këto janë trajtime të shkurtra 3-5 ditore që lehtësojnë deri në 90 për qind simptomat klinike. Ndër me të zakonshmet kanë në përmbajtjen e tyre antimykotikë të tillë si: Clotrimazolë, Miconazole, Terkonazole, etj.

Në rastet më të rënda çfarë trajtimi rekomandohet?

Në rastet e infeksioneve të vështira dhe që nuk paraqesin përmirësim me trajtimet lokale dhe profilaktike atëherë mund të nevojitet trajtimi nga goja që përdoret vetëm me recetën e mjekut. Këto duhen përdorur me shumë kujdes për shkak të efekteve anësore si për shembull: dhimbje koke, dhimbje barku, të përziera, etj. Duhet theksuar se preparatet antimykotike rëndojnë mëlçinë prandaj përpara fillimit të tyre duhet kontrolluar funksioni i saj. Këto preparate nuk duhet të përdoren tek gratë shtatzëna.

Po partnerët duhet të marrin mjekim?

Edhe pse e sqaruam më sipër se infeksionet mykotike vaginale nuk transmetohen seksualisht, janë vërejtur acarime edhe tek meshkujt pas kontaktit me një grua që ka një infeksion të tillë. Trajtimi i partnerëve seksualë meshkuj nuk konsiderohet i nevojshëm nëse nuk zhvillon simptoma klinike. Simptomat klinike tek meshkujt mund të përfshijnë kruarje, djegie dhe dhimbje në majën e organit seksual. Mund të ndodhë edhe siklet gjatë urinimit. Këto simptoma klinike mund të ngjajnë me ato të sëmundjeve të tjera duke përfshirë edhe infeksione seksualisht të transmetueshme, kështu që testimi laboratorik duhet të kryhet gjithmonë për të përcaktuar shkakun e këtyre simptomave klinike. Edhe për meshkujt, ashtu si edhe për femrat, trajtimi bazohet në medikamente antimykotike qoftë në formë kremrash, qoftë në formë tabletash të marra nga goja. Në këto raste për meshkujt është rekomanduar edhe përdorimi i prezervativëve. Prezervativët mund të ndihmmojnë në parandalimin e transmetimit të infeksionit mykotik, por ato nuk janë plotësisht të efektshme pasi mund të ketë kontakt me zonat e trupit që nuk mbulohen nga kondomi. Shmangia e marrëdhënieve seksuale kur një grua ka simptoma të infeksionit mykotik është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Loading...