Home Opinione Emërimet në Bashkimin Evropian

Emërimet në Bashkimin Evropian

Nga Blerim Shala

Nuk ka për ne, besa as për Shqipërinë e sotme, një politikan apo zyrtar evropian, madje edhe perëndimor, që na bie tamam.

Nominimi i politikanit spanjoll Josep Borrell, si Kryediplomati i ri i Bashkimit Evropian (apo si Shef i EEAS-it), gjegjësisht si trashëgimtar i Federica Mogherinit, po përcillet këto ditë në Prishtinë me deklarata, shpjegime dhe interpretime të shumta.

Borrell vjen nga Spanja, nga shteti që jo vetëm se është në atë grupin e pesë shteteve mosnjohëse (si thuhet), të BE-së, por për më shumë, në mënyrën më konkrete të mundshme ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, mbi të gjitha për shkaqe të brendshme (kur Kosova u bë shtet i pavarur, në vitin 2008-të, bëhej fjalë për Baskinë si rajon problematik të Spanjës, vite më vonë kjo ndodhi me Kataloninë).

Natyrisht, e mira e së mirës (qasje kjo që objektivisht nuk ekziston në skenën politike kosovare), do të ishte që me një urti dhe maturi (tipare këtë në atë listën e mungesës së ‘vlerave prioritare’ tek ne), ta përcjellin procesin e emërimit të Borrell në këtë post shumë të rëndësishëm në BE. Nuk kemi ne as kapacitet, dhe as mundësi që të jemi konfrontues me këto zhvillime në BE. Edhe pse nganjëherë duket që kështu si jemi, azgana në veti, mund të shtyhemi me gjithë Botën e lume.

Sidoqoftë, nëse do të jemi pak të ndershëm dhe pak më shumë të sinqertë me njeri-tjetrin, do të ishte fare lehtë të mbërrihet tek konkludimi si vijon: Nuk ka për ne, besa as për Shqipërinë e sotme, një politikan apo zyrtar evropian, madje edhe perëndimor, që na bie tamam.

Sikur edhe të ringjallej Richard Holbrooke, diplomati i shkëlqyer amerikan që ka dhënë kontribut të pamohueshëm në atë ndërmarrjen amerikane dhe evropiane të imponimit të paqes në Kosovë, dhe të bëhej Kryenegociatori në dialogun në mes të autoriteteve më larta të Kosovës dhe Serbisë, edhe atij do t’i gjenim mëkate dhe gabime, apo, as atij më nuk do t’i besonim po të na këshillonte të veprojmë në këtë apo atë mënyrë.

Në rrethana krejtësisht tjera, në ato vitet e luftës, dhjetë herë më të këqija se sot, (në fakt, as që mund të krahasohen rrethanat e atëhershme me këto të sotmet), ne kemi qenë, si një politikë shqiptare e bazuar mbi të gjitha në vullnetin e mirë, dhjetë herë më të mençur, më realist, më pragmatik se sa që jemi sot.

Kjo është diçka shokuese për ne të gjithë. Realisht.

Është absolutisht e kotë dhe jorealiste të pritet këndejpari (e duket se ky mendim ka lëshuar rrënjë tek ne), që kushdoqoftë që i prinë BE-së në vitet e ardhshme, do të jetë në gjendje që të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi Beogradin zyrtar, ashtuqë lidershipi serb ta pranojë realitetin në Kosovë dhe ta njoh shtetin e Kosovës, si gjest të pajtimit në mes të dy popujve dhe dy shteteve.

Diçka e tillë nuk mund të bëhet as prej SHBA-së, edhe pse Administrata e Presidentit Trump, ka dalë fare hapur, përmes letrave të Presidentit Trump dhe qëndrimeve të Sektretarit Pompeo dhe të Ambasadorëve amerikanë në Prishtinë dhe në Beograd, që Marrëveshja gjithërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohet mbi njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, këtë Marrëveshje, të jemi fare të qartë, nuk mund ta mbërrinë në emrin tonë as SHBA-ja dhe as BE-ja, siç zatën nuk ka ndodhë as në Konferencën e Rambouilletit (1999), dhe as në Procesin e Vienës (2006-2007). Ne vetë patëm marrë përgjegjësinë për këto negociata dhe për rezultatin e tyre final, apo, një herë për çlirimin e Kosovës, e pastaj, edhe për pavarësimin e saj.

Fatin tonë pra e kemi në duartë tona. Askush në Perëndim nuk do ta merr përgjegjësinë për sjelljet dhe veprimet tona, veçmas në rrethanat e tanishme mbizotëruese në Evropë dhe në Botë.

Nuk ka kush të na ndihmojë më shumë se Amerika në këtë aspekt, por përgjegjësia na takon neve, dhe vetëm neve.

Sidoqoftë, debati në këtë politikën kosovare, pas verdiktin të njohur të Gjykatës Kushteuese të Kosovës të javës së kaluar, nuk duhet të bëhet për nominimin e një politikani spanjoll në një pozitë shumë të rëndësishme në BE (sepse ky debat është krejtësisht i kotë), por për organizimin e Kosovës për ta bërë përpjekjen finale për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative me Serbinë.

Ky duhet të jetë qëllimi kryesor i politikës kosovare.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)

Loading...