Home Bota Analiza ANALIZA: Pushteti dhe ndërvarësia në epokën e Trumpit

ANALIZA: Pushteti dhe ndërvarësia në epokën e Trumpit

Manipulimi i presidentit Donald Trump i sistemit të privilegjuar ndërkombëtar të Amerikës do të forcojë nxitjet e vendeve të tjera për t’u çliruar nga rrjetet amerikane të ndërvarësisë në një plan afatgjatë. Ndërkohë, do të ketë dëme të kushtueshme për institucionet ndërkombëtare që limitojnë konfliktet dhe krijojnë të mira publike globale.

Nga Joseph S. Nye, Jr.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump është akuzuar për armatimin e globalizimit ekonomik. Sanksionet, tarifat dhe kufizimi i qasjes te dollari kanë qenë instrumentet kryesore të politikës së tij të jashtme dhe ai nuk është frenuar as nga aleatët, institucionet apo rregullat në përdorimin e tyre. Sipas The Economist, Amerika e ka pushtetin e saj jo vetëm nga trupat dhe aeroplanmbajtëset, por nga të qenit nyja qendrore në rrjetin që mbështet globalizimin. “Kjo rrjetë firmash, idesh dhe standardesh pasqyron dhe përforcon aftësinë amerikane.” Por qasja e Trump mund “të shkaktojë një krizë dhe po shkatërron vlerën më të çmuar të Amerikës – legjitimitetin e saj”.

Trump nuk është presidenti i parë që manipulon ndërvarësinë ekonomike, dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë vendi i vetëm që po e bën këtë. Për shembull, në vitin 1973, shtetet arabe përdorën një embargo të naftës për të ndëshkuar SHBA-të për mbështetjen e Izraelit në Luftën e Yom Kippur. Menjëherë pas kësaj, unë dhe Robert O. Keohane botuam Power and Interdependence, një libër që eksploronte mënyrat e ndryshme në të cilat ndërvarësia asimetrike mund të manipulohet si një burim pushteti. Por ne gjithashtu paralajmëruam se fitimet afatshkurtra nganjëherë kthehen në humbje afatgjata. Për shembull, gjatë asaj periudhe, presidenti Richard M. Nixon kufizoi eksportet e sojës amerikane me shpresën e zbutjes së inflacionit. Por në planin më afatgjatë, tregjet e sojës në Brazil u zgjeruan shpejt dhe konkurruan me prodhuesit amerikanë.

Në vitin 2010, pas një përplasjeje të anijeve kineze dhe japoneze në afërsi të ishujve Senkaku/Diaoyu në Detin e Kinës Lindore, Kina e dënoi Japoninë duke kufizuar eksportet e metaleve të rralla, të cilat janë thelbësore në elektronikën moderne. Rezultati ishte se Japonia i dha hua para një kompanie australiane minierash me një rafineri në Malajzi, e cila sot plotëson gati një të tretën e kërkesës japoneze. Përveç kësaj, miniera e Mountain Pass në Kaliforni, e cila ishte mbyllur në fillim të viteve 2000, u rihap. Pjesa e Kinës në prodhimin botëror të metaleve të rralla ka rënë nga më shumë se 95% që ishte në vitin 2010 në 70% që ishte vitin e kaluar. Këtë vit, në një përgjigje ndaj tarifave të Trump, presidenti kinez Xi Jinping u sigurua që të fotografohej duke vizituar një vend të prodhimi materialesh të rralla, eksportet e të cilit janë tepër jetësore për prodhuesit e elektronikës në SHBA.

SHBA (dhe vende të tjera) kanë ankesa të ligjshme në lidhje me sjelljen ekonomike të Kinës, siç është vjedhja e pronësisë intelektuale dhe subvencionet ndaj kompanive shtetërore. Për më tepër, ka arsye të rëndësishme sigurie që Shtetet e Bashkuara të shmangin varësinë ndaj kompanive kineze si Huawei për internetin pa kabull 5G. Dhe Kina nuk ka pranuar që Facebook apo Google të operojnë brenda Firewall-it të saj të Madh për arsye sigurie që lidhen me lirinë e fjalës. Por tjetër gjë është të kufizosh disa teknologji të caktuara dhe kompani për arsye sigurie dhe është shumë ndryshe të të shkaktosh përçarje masive të zinxhirëve të furnizimit tregtar për të zhvilluar ndikimin politik. Nuk është e qartë se sa do të zgjasë ndikimi apo se cilat do të jenë kostot afatgjata.

Edhe nëse vendet e tjera nuk janë në gjendje të shkëputen nga rrjetet amerikane të ndërvarësisë në planin afatshkurtër, shtysat për ta bërë këtë do të forcohen në një plan afatgjatë. Ndërkohë, do të ketë dëme të kushtueshme për institucionet ndërkombëtare që kufizojnë konfliktet dhe krijojnë mallra publike globale. Siç vuri në dukje Henry Kissinger, rendi botëror nuk varet vetëm nga një ekuilibër i qëndrueshëm i pushtetit, por edhe nga një ndjenjë legjitimiteti, ku kontribuojnë institucionet. Trump kishte të drejtë të reagonte ndaj sjelljes ekonomike të Kinës, por ai gaboi që e bëri këtë pa marrë parasysh kostot e vendosura ndaj aleatëve të SHBA-së dhe institucioneve ndërkombëtare. I njëjti problem dobëson politikat e tij ndaj Iranit dhe Europës.

Aleancat si NATO-ja stabilizojnë pritshmëritë dhe ekzistenca e institucioneve si Kombet e Bashkuara, Traktati i Mos-Proliferimit Bërthamor dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike rrisin sigurinë. Tregjet e hapura dhe globalizimi ekonomik mund të jenë shkatërrues, por gjithashtu krijojnë pasuri (edhe pse shpesh e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë). Ruajtja e stabilitetit financiar është thelbësore për jetët e përditshme të miliona amerikanëve dhe po ashtu e të huajve, edhe pse ata mund të mos e vënë re këtë derisa ai të mungojë. Dhe pavarësisht asaj që i shkakton një reagim populist globalizimit ekonomik, globalizimi ekologjik është i pashmangshëm. Gazrat serë dhe pandemitë nuk i respektojnë kufijtë politikë. Ligjet e politikës populiste, të cilat kanë diktuar mohimin e Trumpit për shkencën dhe tërheqjen e tij të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja klimatike e Parisit e vitit 2015, nuk janë në përputhje me ligjet e fizikës.

Shtetet do të kenë gjithnjë e më shumë nevojë për një strukturë për të theksuar bashkëpunimin mbi përdorimin e detit dhe hapësirës, ​​si dhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe pandemive. Referimi i këtyre strukturave si një “rend ndërkombëtar liberal” ngatërron zgjedhjet duke shkrirë promovimin e vlerave liberale demokratike me krijimin e një kuadri institucional për promovimin e të mirave publike globale. Kina dhe SHBA-ja nuk pajtohen për demokracinë liberale, por ne kemi një interes të përbashkët në zhvillimin e një sistemi të hapur, të bazuar në rregulla për të menaxhuar ndërvarësinë ekonomike dhe ekologjike.

Disa mbrojtës të administratës Trump argumentojnë se stili i tij jo-ortodoks dhe gatishmëria për të thyer rregullat dhe për të refuzuar institucionet do të sjellë përfitime të mëdha për çështje si ajo e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, transferim të detyruar të teknologjisë së Kinës apo ndryshimin e regjimit në Iran.

Por marrëdhënia e pushtetit dhe e ndërvarësisë ndryshon me kalimin e kohës dhe shumë manipulim i pozicionit të privilegjuar të Amerikës në ndërvarësinë globale mund të rezultojë vetë-mposhtës. Si argumentoi The Economist, kostot institucionale të përdorimit të një qasjeje shkatërruese mund të reduktojnë pushtetin amerikan në planin afatgjatë. Në këtë rast, qasja e Trump do të jetë e kushtueshme për sigurinë kombëtare të Amerikës, prosperitetin dhe mënyrën e jetesës.

Project Syndicate-Birn

Bonus video:
Loading...