Home Lajmet kryesore Politika e Tiranës zhvendos “betejën” në Berlin (VIDEO)

Politika e Tiranës zhvendos “betejën” në Berlin (VIDEO)

Politika e Tiranës zhvendos betejën e saj në kryeqytetin e Gjermanisë. Është ky destinacioni i kreut të shtetit Ilir Meta, kreut të opozitës Basha dhe delegacionit të qeverisë shqiptare të përbërë nga Ministrja Gjonaj, ministri Lleshaj dhe numri dy i socialistëve Taulant Balla.

Politika shqiptare udhëton drejt Berlinit. Kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta, ai i opozitës së bashkuar, Lulzim Basha por edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe dy ministrat e qeverisë, Etilda Gjonaj dhe Sandër Lleshaj, janë ndalur në kryeqytetin Gjerman.

Me axhenda të ndryshme, Meta dhe Basha pritet të zhvillojnë disa takime jo-zyrtare, ku do të diskutohet për situatën në vend dhe kapërcimin e krizës, për të cilën Gjermania është shprehur e gatshme të ndërmjetësojë.

Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe përpara votimit në Këshill, pritet të zërë pjesë të konsiderueshme të diskutimeve gjatë takimeve.

Deri më tani Gjermania ka ardhur me qëndrime të ndryshme sa i përket hapjes apo jot ë negociatave me Shqipërinë.

Ka qenë zëvendës-kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johan David Waderphul a i cili ka deklaruar se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara nga Këshilli i Ministrave të qershorit të vitit të shkuar, deklaratë kjo që bie ndesh me atë të ministrit gjerman për Europën, Michael Roth i SPD-së, i cili insiston që Shqipërisë t’i çelen negociatat në qershor, ashtu sikurse iu premtua një vit më parë.

Kështu qeveria gjermane nuk ka dalë ende me një qëndrim të unifikuar sa i përket çeljes apo jo të negociatave. Zëvendës-zëdhënësja e qeverisë, Martina Fietz, ka deklaruar se progres raporti i Komisionit do të analizohet me kujdes për të dalë më pas në konkluzionet që do të ndërmerren.

Për vendimin përfundimtar për çeljen e negociatave me Shqipërinë, qeverisë gjermane i duhet fillimisht vota e shumicës në parlament./ABC News Albania

Bonus video:
Loading...