Home Aktualitet Kush është Arben Keshi i përgjimeve të “Bild”, që komunikonte me kryeministrin...

Kush është Arben Keshi i përgjimeve të “Bild”, që komunikonte me kryeministrin Rama

Arben Keshi është një oficer karriere në Ministrinë e Brendshme. Ai ka drejtuar disa sektorë të policisë së shtetit dhe në vitin 2017 deri në fund të vitit 2018 ka qenë shef komisariati në Bulqizë, një zonë, që ka pasur problematika të shumta në drejtim të rendit dhe të sigurisë publike.

Rreth 3 vite më parë Partia Demokratike dorëzoi në Prokurorinë për Krime të Rënda një kallëzim penal, ku shkruante se në Dibër po vepronte një grup i strukturuar kriminal, që po blente votat dhe kërcënonte votuesit dibranë për llogari të kandidatit të mazhorancës, Muharem Rama.

Në listën me emrat që Partia Demokratike ka dorëzuar asokohe në Prokurori dhe që sipas saj, ishin pjesë e grupit kriminal që po blente votat dhe kanoste votuesit dibranë ishte dhe emri i Arben Keshit.

Për Keshin në kallëzimin e PD, shkruhej se ishte drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt e parregullt në Republikën e Shqipërisë, dhe se kryente veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Maqellarës.

Prokuroria nuk bëri asgjë në lidhje me këtë çështje, ndërsa sot në përgjimet e publikuara nga gazeta “Bild”, Arben Keshi shfaqet si protagonist së bashku me kryeministrin Rama, për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve.

Loading...