Home Bota Analiza ANALIZA: Nёn efektin e Fort Trump

ANALIZA: Nёn efektin e Fort Trump

Deklarata e SHBA-sё, se do tё pёrforcojё trupat e dislokuara nё Poloni, u mirёprit nё vend. Populistёt nё kёtё mёnyrё bёhen edhe mё popullorё. Kjo nuk i bёn mirё Polonisё, mendon Stanislaw Strasburger.

Nga Stanislaw Strasburger, DW

Polonia bëhet syri e veshi i aleancës [NATO]”, shkruan e përditshmja liberal-konservatore „Rzeczpospolita” nga Varshava me rastin e vizitës, që presidenti polak, Andrzej Duda bëri së fundmi në SHBA, dhe deklaratës së Donald Trump, për të vendosur ushtare dhe ushtarë të tjerë amerikanë në Poloni. Më tej thuhet: „Kështu në rast të një sulmi të planifikuar Polonia është në gjendje, të mos zihet në befasi nga Rusia”. Edhe „Gazeta Wyborcza”, një gazetë me qendrim sozial-liberal nga Polonia, shkruan në njërin nga komentet e saj për „udhëtimin triumfal” të presidentit, se „Polonia qëndron tani në radhë me aleatët më të rëndësishëm të SHBA”, dhe se kjo shoqërohet edhe me investime dhe me transferimin e tekonologjisë.

Edhe pse aty këtu me shkronja të vogla flitet për kushte të ndryshme, për një prani që vazhdon të mbetet simbolike përsa i përket numrit të ushtarëve, një porosi në drejtim të Gjermanisë dhe blerje armatimesh dhe lëndësh të para, që jo patjetër janë të lira dhe që mund të mos jenë as të dobishme për vendin për shumë arsye të tjera, qeveria në Varshavë shënon një tjetër sukses për imazhin e saj.

Përralla e luftës si zgjidhje

Ia vlen të kujtosh: Vietnami kishte një nga prezencat më të fuqishme ushtarake të trupave amerikane. Kjo prani u shoqërua edhe me disa investime. Por edhe me vdekje në masë, përdhunime, gjymtime dhe trauma të miliona njerëzve, për të mos përmendur shkretimin e vendit.

Dhe as nuk ishin thjesht amerikanët e këqinj dhe as nuk ishte një shkarje. Sa banale që është: Për ҫdo luftë mund të thuhet pikërisht kjo. Nuk është vetëm qeveria në Varshavë, të ashtuquajturat media opozitare, dhe as nuk janë vetëm votuesit „budallenj” që jetojnë mes lumenjve Oder dhe Bug, por edhe shumë prej nesh, në Gjermani, në Evropë dhe gjetkë, që e njohin mjerimin e luftës nga familjet e veta dhe megjithatë herë pas here e lejojmë veten të joshemi, për të menduar dhe raportuar luftën dhe armatimin si zgjidhjen e problemeve social-politike. Në vend që ta rrëfejmë me të gjithë forcën dhe konsekuencën si një katastrofë. Situata aktuale politike në Poloni të bën ta njohësh se ku të ҫon kjo. Toni i rrëfimeve të tilla në media ҫon ujë në mullirin e politikës populiste. Iu duket se lexuesit e tyre besojnë në gjëra, të cilat populistët mund t‘i përdorin më së miri. Jam i bindur se këtu mund të kërkohen shkaqet, përse PiS vazhdon të ketë pushtet të qendrueshëm dhe ka fituar së fundmi edhe në zgjedhjet evropiane.

Gracka e aferave

E ashtuquajtura siguri nuk është natyrisht tema e vetme, që dominon debatet në Poloni. Deprimuese nuk më duket vetëm përzgjedhja e temave, por që ato shtrohen në mënyrë thuajse të njëjtë në media të ndryshme. E ashtuquajtura afera e përgjimeve në vitin 2014 e dëmtoi rëndë reputacionin e politikanëve të qeverisë së atëhershme të Donald Tusk dhe përmendet vazhdimisht si një nga arsyet kryesore, që ҫuan në rrëzimin e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare një vit më vonë. Afera po përjeton tani një episod të ri. Para pak kohësh u lajmërua nga burgu një biznesmen i përfshirë në aferë, me qëllim të të njoftonte se ka vepruar i ngarkuar nga PiS.

Kjo nuk është afera e parë, në të cilën zbulohen makinacionet e politikanëve të PiS. Dhe anasjelltas. Megjithatë deri tani spektakli i mediave nuk ka ndryshuar pozicionimin e shumicës së zgjedhësve. Dhe përsëri diҫka, që në fakt gjithkush e di: Interferenca të politikës dhe ekonomisë ka patur gjithmonë dhe do të ketë. Megjithatë në vend që të debatohet për kufijtë e këtyre interferencave, përmes një rasti tjetër spektakular vetëm forcohet ndjenja e zhgënjimit, që u jep përsëri populistëve mundësinë ta kenë të thjeshtë lojën. Edhe kjo nuk është e njohur vetëm nga Polonia.

Ne dhe të tjerët

„Gazeta Wyborcza” ndërmori së fundmi një inciativë të vlefshme: një shtojcë „Evropa jonë”. Po si duket informimi mbi Gjermaninë në këtë shtojcë dy javët e fundit? Aty gjen një artikull mbi motorin e prishur gjermano-francez të BE dhe tri shkrime të tjera mbi „Vendin e gjermanëve të pakënaqur”, pra për votuesit e AfD, një intervistë me Hans Vorländer mbi frikërat në landet lindore të Gjermanisë dhe një artikull mbi klanet e Berlinit me një fotografi të Bushido. Mund të mendosh se të ka rënë në dorë një gazetë nga një kamp krejt tjetër politik …

Shembuj të një raportimi absurd për tema të ndryshme evropiane gjen për fat të keq sa të duash në Poloni. Edhe gazeta e majtë „Krytyka Polityczna” botoi kohët e fundit shkrime të një gazetareje, e cila është nderuar madje me ҫmimin gjermano-polak, që përvojat e saj të mësimdhënies me migrantët në Berlin i shoqëron nën një maskë progresive me dhënie mendsh dhe herë pas here me përmbajtje raciste. Dhe pastaj vjen gjoja surpriza se PiS ka fituar sërish zgjedhjet.

Nёn efektin e „Fort Trump”, siҫ quhet baza amerikane në Poloni, ndjej një si re të helmët, që nuk ndalet në kufijtë e territoreve kombëtare. Aspiroj të ҫlirohem nga ky efekt.

Stanislaw Strasburger është shkrimtar dhe menaxher kulturor. Romani i tij aktual: „Tregtari i rrëfimeve” u botua në gjermanisht në 2018 (në polonisht në 2009 dhe në arabisht në 2014). Autori ka lindur në Varshavë dhe jeton ndërmjet Berlinit, Varshavës dhe qyteteve të ndryshme mesdhetare. Ai është gjithashtu anëtar i këshillit të shoqatës „Humanismo solidario”.

Loading...