Home Aktualitet Rruga rajonale Tetovë – Jazhincë problematike në shumë aspekte

Rruga rajonale Tetovë – Jazhincë problematike në shumë aspekte

Është bërë sfidë e vërtetë vozitja e automjetet nëpër rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë P-1203, rrugë për dalje nga pjesa veriore e qytetit drejt Kosovës ose fshatrat nga komunat Tearcë dhe Jegunoc. Secili vozitës që e kalon aksin e parë nga Tetova deri në Neproshten në gjatësi prej rreth pesë kilometrave duhet të ndalet 15 herë për t’i kaluar pengesat prej betoni të vendosura në rrugë, më të njohura si “policë të shtrirë”. Ato janë vendosur para më shumë se dhjetë viteve nga popullata lokale, në shenjë revolti për shkak të vozitjes së shpejtë dhe aksidenteve të shpeshta në komunikacion, në të cilat kanë pësuar edhe këmbësorë. Ky aks është edhe më i dëmtuari, kështu që ka disa pjesë të rrugës ku mungon asfalti, ndaj mund të shihet edhe kalldrëmi i vjetër 50 vite. Në numër të madh janë edhe vrimat për shkak të cilave drejtimi i automjetit është barazuar me manovrim për t’iu shmangur atyre dhe vozitje me shpejtësi prej më së shumti 10-20 kilometra në orë. Për shkak të pengesave dhe vrimave vozitësit duhet doemos të jenë më të kujdesshëm, prandaj edhe qarkullojnë më ngadalë, gjë që nga ana tjetër shpeshherë do të thotë krijim të kolonave të gjata dhe zhvillim të vështirë të komunikacionit.
Më së shumti pengesa ka në aksin nga lagjja e fundit Drenoc në Tetovë, që është e lidhur me Porojin. Në Poroj shprehen se kanë qenë të detyruar t’i vendosin pengesat meqë 15 vite më parë në disa raste janë shkelur dhe mbytur fëmijë për shkak të vozitjes së shpejtë të vozitësve të pandërgjegjshëm.

“Ne si bashkësi lokale kemi kërkuar që të asfaltohet një aks i varrezave në Poroj deri në kazermën në Tetovë. Kjo është tani një rrugë tokësore që përdoret për të shkuar deri te arat. Nëse asfaltohet, shumë automjete do të mund të kalojnë atje dhe të zvogëlohen rrëmuja në komunikacion dhe rreziqet për këmbësorët”, deklaroi Besmir Zendeli nga bashkësia lokale në Poroj.

Në Xhepçisht shprehen se kanë kërkuar nga institucionet kompetente që para më shumë viteve të vendosen semaforë ose të ndërtohet mbikalim për këmbësorë. Sipas tyre, kërkesat nuk janë realizuar për shkak të karakteristikës së rrugës rajonale.
Pengesat në rrugë më së shumti probleme u shkaktojnë automjeteve të njësive zjarrfikëse, ndihmës së shpejtë mjekësore dhe transportuesve me autobusë. Automjetet ngadalësohen duke kaluar mbi to, ndonëse për ta është i rëndësishëm çdo sekondë për shkak të intervenimeve për të shpëtuar ndonjë jetë njeriu ose pronë.

“Për shkak të pengesave në rrugë humbet kohë e çmueshme, ato disa minuta do të thonë shumë në punën tonë, duke marrë parasysh faktin se mund të parandalojmë zjarrin. E njëjta vlen edhe për ndihmën e shpejtë, koha e humbur mund të ndikojë në atë nëse jeta e dikujt do të shpëtohet ose jo”, shprehet Uka Aliti, komandant i Njësisë Zjarrfikëse të Tetovës.

Që në shkurt të vitit 2018 policia e Tetovës njoftoi se bashkë me disa institucione tjera shtetërore kanë larguar një pjesë të të ashtuquajturve “policë të shtrirë” të vendosur në mënyrë të paligjshme, gjegjësisht pengesa prej betoni nëpër rrugët e rajonit. Atëherë paralajmëruan se krahas dhjetëra pengesave të larguara në rrugën rajonale Р-1206 përgjatë fshatrave që janë në aksin nga Tetova drejt Gostivarit, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me rrugët tjera. Megjithatë, kjo nuk është bërë deri tani me numrin më të madh prej tyre, rreth 15 pengesa të vendosura në mënyrë të paligjshme në aksin rrugor rajonale nga Tetova drejt Jazhincës dhe vendkalimit kufitar drejt Kosovës.
Nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore në pyetjen nëse është planifikuar ndonjë përtëritje ose përmirësim i rrugës P-1203 Tetovë-Jazhincë shprehen se sipas programit vjetor për vitin 2019, janë parashikuar disa aktivitete.

“Rehabilitimi i rrugës në aksin Tetovë-Poroj, janë siguruar mjete nga buxheti i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore në lartësi prej 14 milionë denarëve. Në këtë aks do të fillohet me aktivitete ndërtimore në fillim të qershorit të vitit 2019, ndërsa do të përfundojë në fund të korrikut të vitit 2019. Për rindërtimin e aksit Neproshten – Përshoc janë parashikuar tetë milionë denarë, me fillim në maj të vitit 2019 dhe përfundim në qershor të vitit 2019. Për aksin nga Vratnica deri në vendkalimin Jazhincë janë parashikuar dy milionë denarë, ndërsa punimet ndërtimore duhet të zhvillohen gjatë qershorit të vitit 2019”, informojnë nga Ndërmarrja publike në kumtesën dërguar MIA-s.

Ndonëse në Ligjin për rrugë publike në nenin 39 thuhet se “nën mbrojtjen e rrugës publike nënkuptohet ndërmarrja e masave të nevojshme për parandalimin e veprimeve të palejueshme në trupin e rrugës, brezin rrugor dhe mbrojtës, nisjen e procedurës kundërvajtëse dhe procedurës për kthimin e truallit të uzurpuar, si dhe të kontrollit të peshës së përgjithshme dhe presionit të boshtit të automjetit” nga Ndërmarrja shtetërore për rrugë shtetërore në kumtesë bëjnë të ditur se nuk janë kompetentë për vendosjen dhe mënjanimin e elementeve të vendosura për ngadalësimin e komunikacionit (pengesave) nga ana e personave të panjohur.
ga SPB Tetovë shprehen se për vendosjen e pengesave në rrugë, është parashikuar procedurë dhe nevojitet pëlqim nga Ministria e Brendshme, sipas Ligjit për siguri të komunikacionit në rrugë. Gjatë vendosjes eventuale duhet mbajtur llogari për llojin e materialit nga i cili do të bëhet pengesa, dimensionet dhe ngjashëm.

Sipas Dispozitës për përcaktimin e kritereve për kategorizimin e rrugëve publike dhe shenjave të tyre të Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, rruga Tetovë – Jazhincë P-1203 paraqet “rrugë rajonale të kategorisë së parë” si rrugë publike që lidhë zonat e dy ose më shumë komunave në shtet dhe është me rëndësi të posaçme për shtetin.(koha.mk)