Home Aktualitet Rikthehet vjedhja e kapakëve të pusetave (VIDEO)

Rikthehet vjedhja e kapakëve të pusetave (VIDEO)

“ Këtu pa rënë me vdek dikush këtu në kanal nuk marrin masa, kur të vdesë bëhet vonë”

Vjedhja e kapakëve të pusetave në lagjen Shkup Veri ka bëre që banorët të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të fëmijëve që vazhdimisht lozin në parkun e ndërtesave. Në vetëm pak metra katrorë ndodhen 4 puseta pa kapak, njëra prej të cilave arrin rreth 5 metra thellësi. Rreziku është edhe më i madh gjatë natës, sepse ndonjë nga banorët që kalon aty pranë mund të mos e vërej se puseta nuk është e mbuluar. Qytetarët të revoltuar thonë se autoritete nuk ndërmarrin masa.

Ndoshta vlera është shumë pak, por dëmi që mund të bëhet është katastrofal. Mund të thyejnë këmbët, sidomos tani kur priten edhe reshje shiu.

Unë kam djalë, për djalin tim kam frikë që është 6 vjeç dhe edhe për të tjerët”

Mund të lëndohen edhe fëmijët edhe të rriturit. Unë nuk e marr vesh se çfarë bëhet. Askush nuk mban përgjegjësi në këtë lagje. Me siguri i kanë paraqitur njerëzit, por askush nuk ka marrë asnjë masë.

Çdo ditë po ndodh kështu. E gjitha kjo ka ndodhur brenda vetëm një muaji.”

Sa herë kam vendosur panele këtu që të mos bien fëmijët. Atje lart tek një pusetë në park për pak sa nuk u lëndua një grua me fëmijën e saj. Ishte I hequr kapaku. Askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Askush”- u shprehën qytetarët e intervistuar.

Ndërkohë që ishim në terren, kontaktuam me Ndërmarrjen Publike “ Ujësjellës dhe Kanalizime”, ekipi i të cilëve mbërriti në vendngjarje brenda pak minutash. Megjithatë, ata “ngrenë duart lartë” dhe thonë se këto puseta nuk janë në përgjegjësinë e tyre dhe shtojnë se pavarësisht një fakti të tillë, të njëjtat i kanë pajisur me kapak një javë më parë, por përsëri dikush i kanë vjedhur.
Kapakët e pusetave vidhen që të njëjtat më pas të shiten për metal edhe pse është e ndalueshme e madje edhe e dënueshme me burg shitblerja e tyre. Një kapak peshon rreth 25 kilogram, ndërsa kilogrami i hekurit është 10 denarë.
Alsat kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme, nëse deri tek ky institucion janë paraqitur raste të tilla dhe nëse të njëjtat kanë marrë ndonjë hap për zbulimin e vjedhësve, por nga ky dikaster ende pa përgjigje. Me problem të kësaj natyre nuk përballen vetëm banorët e lagjes së Veriut në komunën e Bitelit, por edhe ato të Çairit, të Fushë Tophanës, të rrugës Xhon Kenedi dhe të lagje tjera të Shkupit.

Loading...