Home Bota Analiza ANALIZA: Politika e pushtetit e Moskës me pasaportat ruse

ANALIZA: Politika e pushtetit e Moskës me pasaportat ruse

Me oferta “bujare” për natyralizimin e ukrainasve Moska synon të ҫimentojë pretendimet për pushtet në zonat e pushtuara dhe të pengojë rënien e popullsisë.

Nga Roman Gonçarenko, DW

Vladimir Putini e ka me ngut. Brenda dy javëve ai nënshkroi dy dekrete për shpejtimin e dhënies së shtetësisë qytetarëve ukrainas, dekretin e fundit më 1 maj. Iniciativat e kritikuara ashpër nga Kievi dhe aleatët e tij ndodhin në një kohë pasigurie në Ukrainë, kur presidenti Petro Poroschenko është në javët e fundit të mandatit të tij, dhe pasardhësi i tij Wolodymyr Selenskyj nuk është ende në detyrë.

Lëvizja i shefit të Kremlinit me 24 prill kishte pikësynim rajonet separatiste të Ukrainës lindore Donezk dhe Luhansk. Moska e argumentoi iniciativën me “arsye humanitare”, si për shembull për t‘u lehtësuar udhëtimet ukrainasve, që u kishte skaduar pasaporta.

Ndërhyrja e dytë e zgjeron mëshumë këtë grup. Kështu në të ardhmen njerëzit, që kanë lindur në Krime dhe janë larguar nga gadishulli para aneksimit nga Rusia, mund të aplikojnë për pasaportë sipas „një procedure të thjeshtuar”. Kjo gjë përfshin edhe rrethin familjar.

Shtetësia e dyfishtë

Oferta u drejtohet edhe të gjithë atyre ukrainasve, që kanë jetuar në rajonet e prekura para fillimit të luftës në prill 2014 dhe tani jetojnë diku tjetër. Fjala është si për refugjatët dhe emigrantët legalë ukrainas në Rusi, ashtu edhe për refugjatët brenda Ukrainës. Si arsyetim në dekretin e Putinit përmendet “mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Një detaj i rëndësishëm është, se nuk kërkohet lënia e shtetësisë ukrainase, që në raste të tjera është rregull në Rusi.

Të gjithë këtyre ukrainasve do t‘u jepet mundësia të marrin shtetësinë brenda tre muajsh dhe në kushte të thjeshtuara. Deri tani kjo gjë zgjaste me vite. Dekreti i Putinit prek miliona njerëz.

Falë Donbasit

Grupi më i madh do të ishin ukrainasit, të cilët para fillimit të luftës kanë jetuar në zonën e pasur me qymyrguri të Donbasit. Sipas vlerësimeve ukrainase në fillim të vitit 2014 në këto zona, që Kievi i klasifikon si territore të pushtuara nga Rusia, jetonin rreth katër milionë njerëz. Shifra të sakta nuk ka.

Grupi i dytë për nga madhësia janë emigrantët ukrainas dhe refugjatët nga Ukraina të regjistruar në Rusi, sepse një pjesë e madhe e tyre mund të jenë nga Donbasi. Ministri i Jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin e vlerëson me rreth tre milionë numrin e përgjithshëm të qytetarëve ukrainas në Rusi. Nëse numërohen edhe ukrainasit e lindur në Krime, si dhe fëmijët dhe të afërmit e tyre, numri i përgjithshëm i kandidatëve të mundshëm për pasaporta ruse mund të arrijë mes pesë dhe dhjetë milionëve.

Por Putini do të shkojë edhe një hap më tej. Në fund të prillit presidenti i Rusisë tha se mendon t‘u ofrojë rreth 40 milionë ukrainasve shtetësinë ruse, sipas rregullave të thjeshtuara.

“Politika e botës ruse”

Ndërsa për Moskën momenti i ofensivës duket shumë i favorshëm, në Kiev spekulohet për arsyet. Qeveria ukrainase dhe ekspertët si Wilfried Jilge i Shoqatës gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) dyshojnë se Moska mund të krijojë një shkak për intervenim ushtarak, si në vitin 2008 në rajonin separatist gjeorgjian të Osetisë Jugore.

“Vladimir Putini vazhdon në Ukrainë politikën e tij të botës ruse”, tha Jilge në bisedë me DW. “Ai përpiqet të shpallë pretendimin e tij për njerëzit në zonat e okupuara”, pohon ai. Kremlini do të ishte në gjendje „t‘i mbronte, në rast nevoje kundër qeverisë në Kiev” këta ukrainas me pasaporta ruse, thotë eksperti. Ky do të ishte „thelbi i rrezikut” të dekretit të Putinit. Një tjetër arsye duket se është zhvillimi demografik i Rusisë, popullsia e së cilës po tkurret. Sipas Institutit rus të statistikave Rosstat numri i banorëve në 2018 është pakësuar për herë të parë pas dhjetë vjetësh – me rreth 100.000 vetë. Prognoza është negative.