Home Ballkani Maqedonia e Veriut Kandidatët për president, në gjah për votat e komunitetit tjetër

Kandidatët për president, në gjah për votat e komunitetit tjetër

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se kandidatët për president shteti në Maqedoninë e Veriut kësaj radhe gjatë gjithë fushatës kanë demonstruar një kulturë të lartë komunikimi, si gjatë debateve televizive, ashtu edhe në takimet e drejtpërdrejta me elektoratin.

Në këtë drejtim, Aleksandar Kërzhallovski, analist politik, thotë se gjuha unifikuese do të jetë vendimtare që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të motivohen për të dalë në votime në raundin e dytë zgjedhor, në të kundërtën, shton ai, do të jetë shumë problematike arritja e pragut prej 40 për qind, i nevojshëm që zgjedhjet të jenë të suksesshme.

“Mbetet e hapur çështja nëse shqiptarët do të mund të motivohen që të dalin për të votuar në raundin e dytë për njërin nga dy kandidatët maqedonas, sepse sondazhet tregojnë se kandidati shqiptar do ta ketë vështirë të kalojë. Nga këtu buron dhe ulja e toneve si dhe koketimi nëse do të mund të shprehem ashtu, me elektoratin shqiptar, në njërën anë kandidati i socialdemokratëve dhe kandidatja e opozitës maqedonase”, thotë Kërzhallovski.

Kandidatja për presidente të shtetit, Gordana Siljana Davkovski, e cila mbështetet nga partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, thotë se është e vetëdijshme se nuk mund të zgjidhet presidente e shtetit pa votat e shqiptarëve.

Megjithëkëtë, ajo thekson se pret të votohet nga qytetarët shqiptarë dhe jo të marrë vota siç shprehet të “ujdisura” nga partitë politike.

“Në zgjedhje dalin për të votuar individë, andaj për të më votuar, i ftoj qytetarët, jo partitë politike. E kam thënë dhe e theksoj se jam kundër pazareve të partive politike që të votohen me direktiva të partisë. Dua që qytetarët të analizojnë mirë profilin tim dhe në saje të ofertës politike, të votojnë. Unë frymën e shumë-etnicitetit e kam dëshmuar në përzgjedhjen që kam bërë në Katedrën e Fakultetit ku veproj”, thotë Davkovski.

Nga ana tjetër, Stevo Pendarovski, kandidat konsensual mes social demokratëve të kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), zotohet se do të angazhohet për implementimin e plotë të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në të gjitha poret e shoqërisë, ashtu siç e parasheh ligji.

“Çdo njeri që ia do të mirën këtij shteti, veçanërisht politikanët, pasi ta fitojnë besimin e elektoratit , dhe unë nëse arrij të bëhem president i shtetit do të angazhohem që Ligji për përdorimin e gjuhëve të shtrihet në çdo pore të shoqërisë dhe jo vetëm në presidencë. Sepse mendoj se me gëzimin e kësaj të drejte, qytetarët shqiptarë do të bëhen edhe më lojal ndaj shtetit”, thotë Pendarovski.

Ndërkaq, kandidati i pavarur për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, i cili mbështetet nga dy partitë politike shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se Ligji i gjuhëve nuk ka nevojë për një shtrirje më të gjerë, por nevojitet një ligj i cili nuk do t’i përcaktojë shqiptarët si përkatësi e 20 për qindëshit.

Reka beson se tashmë e ka bindur elektoratin maqedonas që të votojë një kandidat shqiptar përmes platformës së tij, ku sundimi i ligjit është mbi të gjitha.

“Unë mendoj se është krijuar një atmosferë, që mendoj se gradualisht, ne po e thyejmë atë mentalitetin mono-etnik në këtë shtet dhe gradualisht, po shoh se edhe qytetarët maqedonas po tregojnë mbështetje jo dhe aq ndaj meje si kandidat për president të shtetit, por konceptit, filozofisë sime politike dhe platformës se si unë dua ta ndërtoj këtë shtet të përbashkët”, thotë Reka./rel