Home Bota Tmerr në Marsejë, shemben dy pallate, nisin kërkimet nën rrënoja (VIDEO)

Tmerr në Marsejë, shemben dy pallate, nisin kërkimet nën rrënoja (VIDEO)

Tmerr kanë përjetuar banorët pranë rrugës d’Aubagne në Marsejë të Francës ku dy pallate janë shembur në rrethana të pashpjegueshme, duke lënë pas një grumbull të madh rrënojash.

Ndërtesat në fjalë, posaçërisht numri 60 dhe 80, ndodhen në lagjen popullore të Noailles, pranë portit të vjetër të Marsejës. Njëra prej ndërtesave ishte e mbyllur dhe mendohet se ishte e pabanuar, ndërsa tjetra përdorej për zyra.

Zjarrfikësit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë ndodhen në vendngjarje dhe ata i druhen faktit se mund të jetë i lartë numri i viktimave nën rrënoja, pasi këto pallate 6 katëshe, sipas tyre mund të strehonin deri në dymbëdhjetë persona.

Sipas AFP-së, nga kjo tragjedi deri më tani konfirmohen dy persona të plagosur. Ndërkohë rruga d’Aubagne është mbyllur plotësisht për të lejuar ndërhyrjen e zjarrfikësve, teksa 40 efektivë dhe 18 automjete ndodhen pranë rrënojave.

Sipas mediave franceze policia po përdor qentë për të kërkuar për njerëzit nën rrënoja, teksa një ndërtesë e tretë kërcënon të shembet.

“Dy ndërtesa u rrëzuan. Teorikisht, nuk duhet të ketë pasur njerëz brenda një prej ndërtesave. Një ndërtesë e dytë u rrëzua, nuk e dimë nëse ajo ishte e banuar. Pesha e dy ndërtesave kërcënon një të tretë. Zjarrfikësit po trokasin në dyer për të evakuuar banorët e kësaj ndërtese të tretë”, tha krye bashkiakja Sabine Bernasconi.

Loading...