Home Bota SHBA vendos sanksionet më të ashpra ndonjëherë kundër Iranit

SHBA vendos sanksionet më të ashpra ndonjëherë kundër Iranit

Më 5 Nëntor në Uashington jepet drita jeshile për një shkallëzim të ri të sanksioneve kundër Iranit. Ato synojnë të godasin sektorin e naftës dhe atë financiar. Europa ka vështirësi me kundërmasat e saj.

Nga Matthias Hein

Cilat sanksione kundër Iranit hyjnë në fuqi?

Më 5. Nëntor, sanksionet amerikane synojnë të godasin zemrën ekonomike të Republikës Islamike- eksportin e energjisë. Nga kjo ditë ndalen bizneset e ndryshme në shoqëritë iraniane të naftës. Edhe sigurimet e të gjitha llojeve janë të ndaluara, edhe ato të transporteve të naftës. Në të njëjtën kohë do të shtohen edhe sanksionet për sektorin financiar. Kështu do të ndalohen të gjitha transaksionet financiare me Bankën Qendrore Iraniane dhe banka të tjera iraniane. Presidenti Trump i ka quajtur këto sanksione “më të ashprat e të gjitha kohërave”. Eksporti iranian i naftës duhet të zerohet, sipas vullnetit të qeverisë amerikane. Edhe nëse kjo nuk arrihet plotësisht, çdo lloj kufizimi i ri eksportit të naftës do të ishte i dhimbshëm për Iranin. 80% e të ardhurave shtetërore të Iranit e kanë origjinën në shitjen e naftës.

Cilat sanksione janë në fuqi?

Pas daljes së njëasnhme të SHBA nga marrëveshja atomike- Joint Comprehensive Plan of Action, shkurt JCPOA, SHBA u vendosi afate partnerëve të Iranit për të reduktuar bizneset e tyre. Afati i parë prej 60 ditësh përfundoi më 6 gusht. Pas kësaj Iranit iu bllokua mundësia e akcesit tek dollari amerikan. Edhe industri të tjera të rëndësishme iraniane si ajo e automobilëve dhe qilimëve u vendosën nën sanksione. Afati i dytë merr fund më 5 Nëntor.

Cili është qëllimi i sanksioneve ?
Sipas qeverisë amerikane me sanksionet duhet të ushtrohet „maksimalisht presion ndaj Iranit. Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në një fjalim më 21 Maj paraqiti një listë me 21 kërkesa që duhet të përmbushen për të mënjanuar sanksionet. Irani duhet të dorëzojë programin e tij të raketave, të mos mbështesë më „grupet terroriste në Lindjen e Mesme,” përfshirë edhe Hizbollahët, Hamasin dhe grupin Xhihadi Islamik Palestinez. Ky vend duhet të tërheqë të gjitha trupat nën komandon iraniane nga Siria, dhe kërkojë çmobilizimin e milicëve shiitë ne Irak.

Rrëzimi i qeverisë iraniane nuk është qëllim i shpallur zyrtarisht i sanksioneve. Por deklaratat e këshilltarit të presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton të lenë të kuptosh se destabilizimi i Iranit dhe ndërrimi i regjimit në Teheran do të ishin të dëshiruara.

Si reagojnë partnerët e tjerë të marrëveshjes atomike?
Parnerët e tjerë të marrëveshjes atomike, si Gjermania, Franca, Anglia, Kina dhe Rusia e kanë dënuar largimin e njëanshëm të SHBA nga marrëveshja atomike. Ata duan ta respektojnë marrëveshjen për të cilën u deshën 12 vjet të arrihej. Qëllimi marrëveshjes do të arrihej sipas tyre – pra mënjanimi i rrezikut që Irani të armatosej me armë nukleare. Qëndrimi politik i Iranit në rajon nuk ka qenë asnjëherë pjesë e marrëveshjes. Edhe Irani dëshiron të respektojë marrëveshjen. Por vetëm, nëse përfiton nga avantazhet që parashihte kjo marrëveshje. Këtu bënte pjesë edhe shkëmbimi ekonomik me vendin e dobësuar nga sanksionet. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike rregullisht ka konfirmuar, se Irani i respekton kushtet e marrëveshjes atomike.

Mund BE të mbrohet kundër sanksioneve amerikene?

SHBA e përdorin rolin e tyre drejtues në tregjet financiare që dallon ndjeshëm nga atraktiviteti për tregun iranian si një mjet për të arritur qëllimet politike. Prandaj janë shumë të vështira masat kundër rregullimit de-facto nga Uashingtoni të sipërmarrjeve europiane dhe ndërkombëtare. Në fund të shtatorit, e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini u shpreh në kuadër të mbledhjes së Asamblesë së Përgjitshme për krijimin e një institucioni të veçantë për kryerjen e bizneseve me Iranin, një të ashtuquajtur „Special Purpose Vehicels” – mekanizëm special i qëllimit”. Ky mekanizëm duhet të funksionojë si një bursë këmbimi, dhe kërkesat e firmave iraniane dhe europiane duhet të llogariten brenda këtij „clearing” – si psh furnizime me naftë kundrejt makinerive për qilimët. Në tregjet financiare nuk do të kishte kështu transferta kapitali.
Problemi është se ky mekanizëm nuk është gati dhe nuk dihet, se ku do të jetë i bazuar ai. Vendet europiane janë të rezervuara me stacionimin e tij. John Bolton kërcënoi hapur se SHBA „nuk do të lejojnë që sanksionet tona të anashkalohen nga europianët apo kushdo tjetër.” Efekti i sanksioneve ndjehet. Valuta iraniane Rial është në rënië të plotë dhe vetëm këtë vit ka humbur 70% të vlerës. Inflacioni është rritur.

Pas një pranvere të shkurtër të ardhjes së investimeve të huaja, tani ka filluar eksodi masiv i tyre. Koncerni energjitik Total e bëri të ditur largimin nga projekti miliardësh për gazin në gusht. Edhe prodhuesi gjerman i automobilëve, Daimler bëri të ditur largimin nga Irani, si edhe prodhuesi francez, PSA apo Airbus. Po ashtu bankat europiane janë shumë të rezervuara për shkak të frikës së sanksionimit. Në Iran është shumë e vështirë të sigurohen medikamente të rëndësishem dhe çmimet janë rritur. Nga ana politike, sanksionet i forcojnë forcat ultrakonservatore në Iran. Ndërkohë që dalja e SHBA nga marrëveshja atomike e ka thelluar hendekun mes Europës dhe SHBA. Në një çështje mjaft të rëndësishme të bashkësisë ndërkombëtare, europianët tani janë në një linjë me Kinën dhe Rusinë e kundër Uashingtonit.(dw)

Loading...