Ballina Aktualitet Maqedoni Numri më i madh i fëmijëve lypës në Shkup dhe Prilep

Numri më i madh i fëmijëve lypës në Shkup dhe Prilep

Gjithsej 337 fëmijë që lypin janë evidentuar në rrugë, prej të cilëve vetëm nëntë nuk janë me përkatësi etnike rome, tregon investigimi i fundit i Zyrës së Avokatit të Popullit.

“Kudo në Maqedoni ka fëmijë të rrugës, ndërsa numri të cilin ne e kemi vërejtur ndryshon çdo ditë. Kur është bërë investigimi ynë janë evidentuar 337 fëmijë të rrugës. Numri më i madh i fëmijëve që lypin është në Shkup dhe në Prilep, deklaroi sot avokati i popullit, Ixhet Memeti duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në kuadër të Konferencës për inkluzionin e romëve pas përfundimit të dekadës rome.

Lidhur me moshën e fëmijëve që lypin, siç tha ai, ka fëmijë nga të gjitha moshat, nga fëmijë të cilat ende nuk kanë mbushur as një vit dhe fëmijë të cilët kanë mbushur moshën madhore.

“Ne gjithmonë japim alarmin për të tilla gjendje katastrofale dhe kërkojmë që autoritetet të ndërmarrin jo vetëm at hok masa, por edhe në mënyrë sistematike të zgjidhen problemet. Nëse nuk zgjidhen problemet në arsim, punësim, shëndetësi dhe strehim, vështirë se mund të ballafaqohemi me të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen të gjithë fëmijët në rrugë, por gjithsesi fëmijët e komunitetit rom, thotë Memeti.

Në kontekst të kësaj, avokati i popullit shton se është për të ardhur keq që asnjë në shoqërinë tonë, në asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta lidhur me fëmijët e rrugës.

“Madje edhe masat që i ndërmarrin autoritetet janë masa intervenimi. Problemi është në sistem dhe si proces duhet që të zgjidhet. Ne e kuptojmë që kjo nuk mund të zgjidhet menjëherë, sepse procesi kërkon projekte bazë dhe shumë përmbajtësore, por gjithsesi kjo nuk mund të zgjidhet pa mjete”, tha Memeti.