Ballina Aktualitet Gruevski humbë betejën në Komision, pritet vendimi i Kuvendit (Video)

Gruevski humbë betejën në Komision, pritet vendimi i Kuvendit (Video)

Komisionit Parlamentar për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit votoi që t’i merret mandati Nikolla Gruevskit. Shumica e deputetëve në sallën e komisionit, ose pesë prej nëntë anëtarëve, votuan për t’ia marrë mandatin Gruevskit. Edhe pse ishte i ftuar në seancën e Komisionit, ish kryeministri Nikolla Gruevski nuk ishte prezent gjatë votimit. Në shenjë proteste, sallën e lëshuan edhe bashkëpartiakët e tij që ishin decid se nuk do të votojnë për shkarkimin e një deputeti dhe kryeministri shumëvjeçar që fajin e vetëm se e ishte kundër politikave shkatërruese të Qeverisë aktuale.

Trajko Veljanovski, deputet i VMRO-së
“I gjithë opinioni është dëshmitar i presionit politik…Po bëhen procese dhe vendime politike gjyqësore ndaj atyre që kundërshtojnë politikat shkatërruese të kësaj Qeverie… Po bëhet përndjekje politike duke kërkuar ti merret mandati një ish kryeministri dhe deputeti shumëvjeçar. Po veproni si masë e hipnotizuar votuese. A jeni të vetëdijshëm se po veproni në kundërshtim me betimin tuaj për ta mbrojtur kushtetutën. Maqedonia sot për fat të keq nuk ka gjyqësor të lirë dhe të drejtë. Vendimi për Nikolla Gruevskin është sjellë pa vërtetuar dëmin e shkaktuar ndaj shtetit. Ajo makinë për të cilën u dënua Gruevski tani shfrytëzohet përditë për transportim të delegacioneve të huaja. Deputetët e VMRO së do të votojnë kundër marrjes së mandatit të Nikolla Gruevskit”

Por, kryetari i Komisionit Pavle Bogoevski siguronte se zgjidhja më e mirë është që Nikolla Gruevskit ti merret mandati, në mënyrë që të shërbejë si shembull për funksionarët e tjerë që do të mendojnë të keqpërdorin pushtetin. Për Pavle Bogoevskin, Gruevski i cili është dënuar për keqpëdorim të pozitës zyrtare dhe shpërdorim të parave të popullit, është turp për Kuvendin.

Pavle Bogoevski, kryetar i Komisionit për Mandate

“Arsyeja përse duhet ti merret mandati Nikolla Gruevskit është fakti se ky deputet është i dënuar me burg prej dy vjetësh për keqpërdorim të pushtetit, për vepër penale që është keqpërdorim i besimit të qytetarëve. Diskutimi është për atë nëse Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vite burg për keqpërdorim të pushtetit, është i denjë që të vazhdojë të jetë deputet dhe të marrë rrogë nga xhepi i qytetarëve. Unë mendoj që sështë. Unë do të votoj që deputetit Nikolla Gruevski ti merret mandati pasi mendoj se nuk është i dënjë të vazhdojë në funksionin e deputetit”

Që Nikolla Gruevskit t’i merret mandati përfundimisht, në seancë plenare duhet të votojnë 80 deputetë, ose shumica e dy të tretave. Por, duke patur parasysh se deputetët e VMRO DPMNE-së, qoftë edhe ata që janë përjashtuar, janë deklaruar se do të votojnë kundër, atëherë gjasat që Gruevski të përfundojë në burg, pa imunitet deputeti, janë tejet të vogla. Tani Këshilli Penal i Gjykatës Themelore duhet të japë përgjigje definitive nëse do tia pranojë kërkesën Gruevskit për prolongimin e vuajtjes së dënimit, shkaku se po shkruan libër me gjetje nga doktoratura e tij, dhe se është i nevojshëm në Parlament për ndryshimet kushtetuese. Gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve Pajazit Pajaziti, ditë më parë, ia refuzoi kërkesën e bazuar në këto arsye dhe i tha Gruevskit që më 8 nëntor, duhet të paraqitet në burgun e Shutkës. Ish kryeministri Nikolla Gruevski është i dënuar me burg prej dy vitesh, për ndikim të paligjshëm gjatë blerjes së Mervedesit të blinduar 600 mijë eurosh, për nevojat personale të tij,ndërsa ish ministrja e brendshme është dënuar me 4 vjet. Dënimin më të lartë e mori ish ndihmësi i ministrit Gjoko Popovski i cili u dënuar me 6 vjet, por Apeli ia uli dënimin në 4 vjet. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/