Home Bota Bullgari, ekonomia më konkurruese në Ballkan

Bullgari, ekonomia më konkurruese në Ballkan

Bullgaria mban vendin e 51-të në renditjen e Forumit Ekonomik Botëror për 2018. Sipas indeksit, Bullgaria është ekonomia më konkurruese në Ballkan, përpara Rumanisë (në vendin e 52), Greqisë (57), Turqisë (61), Serbisë (65), Malit të Zi (71), Shqipërisë (76) dhe Bosnjë- Hercegovinës (91), raporton Money.bg

Sipas kritereve individuale, Bullgaria renditet si një ndër vendet më të mira për adoptimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në biznes (në vendin e 30) dhe në kapacitetin e inovacionit (48). Renditjen më të ulët, ajo e ka në drejtim të institucioneve (në vendin e 70) dhe sistemit financiar (në vendin e 71).

Në renditjen e këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë ato që kryesojnë si ekonomia më konkurruese në botë për herën të parë që prej vitit 2008. 10 shtetet e para në këtë renditje pas Amerikës, janë: Singapori, Gjermania, Zvicra, Japonia, Holanda, Hong-Kongu, Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Danimarka. Rezultatet e të gjitha këtyre shteteve kanë shënuar rritje krahasuar me vitin 2017.

Forumi Ekonomik Botëror tregon se rimëkëmbja ekonomike është duke ecur me ritëm të mirë, duke parashikuar një rritje prej 4% në 2018 dhe 2019, por ende vazhdojnë të mbeten të pranishme një numër i madh rreziqesh. Një nga këto është edhe lufta tregtare midis SHBA-së dhe Kinës. Në këtë renditje bëjnë pjesë 140 vende me 98 indikatorë që masin investimet e biznesit dhe produktivitetin.