Home Home Zhdukja e gazetarit arab – Lojëra taktike nga të gjitha anët

Zhdukja e gazetarit arab – Lojëra taktike nga të gjitha anët

Në rastin e gazetarit të zhdukur arab, Xhamal Khashogi duket se gjërat po lëvizin. Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo zhvilloi bisedime me palën arabe. Ndërkohë turqit kontrolluan banesën e konsullit arab.

Ka më shumë se dy javë që është zhdukur gazetari saudit, Xhamal Khashogi në mënyrë të mistershme. Ende ka shumë pyetje të hapura lidhur me zhdukjen e gazetarit. Ndërkohë në këtë çështje ka ndërhyrë tani edhe SHBA. Presidenti Trump që qëndroi i tërhequr, me sa duket ka kuptuar, se bëhet fjalë për njërin nga partnerët më të rëndësishëm në Lindjen e Afërt. Nëse bëhet publike, se qeveria saudite e ka dhënë porosinë për vrasjen e gazetarit, do të jetë e vështirë për Trump të mbështesë privilegjet e deritanishme për regjimin mbretëror saudit.

Për këtë arsye Trump dërgoi edhe Sekretarin e Departamentit të Shtetit në Riad, Mike Pompeo, i cili u takua me Mbretin Saudit, Salman dhe princin trashëgimtar, Mohamed bin Salman. Pompeo përdori dukshëm tonte të buta në drejtim të Riadit. Nuk u dëgjua asnjë fajësim i regjimit saudit për zhdukjen e gazetarit. Zëdhënësja e Pompeos tha pas takimit, se edhe pala saudite e sheh nevojën e “një hetimi të thellë dhe transparent.”

Por hetimet janë kryesisht në dorën e Turqisë, pasi gazetari u zhduk pas hyrjes në konsullatën arabe në Stamboll. Hetuesit turq kontrolluan konsullatën arabe, të martën ata zhvilluan kontrolle edhe në rezidencën e konsullit të Arabisë Saudite në Stamboll për të kërkuar për gjurmë të gazetarit të zhdukur.

Ndërkohë mediat turke njoftojnë se konsulli saudit u largua me avion për në Arabinë Saudite. Me gjasë Turqia ka në dorë edhe një kartë që nuk e ka luajtur akoma me Trump. Turqia duket se ka filmime dhe regjistrime të torturimit dhe vrasjes së Khashogis, që janë bërë me orën Smart të gazetarit lidhur me një smartphone.

Për Arabinë Saudite ka interes të ruajë fytyrën në sqarimin e zhdukjes së Khashogis. Flitet se një deklaratë e mundshme do të jetë që Arabia Saudite të pranojë që Khashogi ishte në konsullatë, dhe është marrë në pyetje, ku situata ka dalë jashtë kontrollit. Me rëndësi duket të jetë mosvendosja e asnjë lidhjeje me shtëpinë mbretërore saudite. Nëse Pompeo u tregua më i ashpër në bisedimet e brendshme se para medias, kjo mbetet të shihet në ditët e ardhshme.