Ballina Aktualitet (VIDEO) ARRESTOHET BABAI I REGJISORIT BOJAXHI, 13 PERSONA NË PRANGA PËR VJEDHJE...

(VIDEO) ARRESTOHET BABAI I REGJISORIT BOJAXHI, 13 PERSONA NË PRANGA PËR VJEDHJE TË ARTEFAKTEVE

SHPËRNDAJE

Mbrëmë janë ngritur kallëzime penale kundër 14 personave për kryerjen e veprave penale kundër trashëgimisë kulturore dhe relikteve të vjetra. 13 persona janë arrestuar, njëri prej tyre ka arritur të arratiset dhe është në kërkim. Padia është ngritur në kuadër të aksionit të Njësitit për parandalimin e krimit të organizuar në koordinim me Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtë e konfirmoi sot zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski duke shtuar se ky aksion është realizuar me qëllim të parandalimit të një grupi kriminel, i përbërë nga presona që vijnë nga Shkupi, Velesi, Strumica, Radovishi, Tetova, Struga dhe Manastiri.

“Hetimi kriminalistik zbatohej gjatë një viti nga Njësiti për parandalimin e krimit të organizuar të MPB-së, kurse dje janë kryer bastisje në 16 lokacione, gjatë të cilave janë privuar nga liria 13 persona. Gjatë aksioneve policore, prej tyre janë marrë një numër i madh i artefakteve, monedhave, gurëve të çmuar, stoli të vjetra, skulptura, relikte të qeramikës dhe bronzit, shufra metalike, harta, detektorë, skica, defterë, celularë dhe kallëp pistoletash, fishekë dhe sende të tjera.” Deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Siç publikuan paraprakisht një pjesë e mediave, zëdhënësi i policisë konfirmoi se njëri nga të arrestuarit është edhe personi A.B. 70 vjeç nga Strumica, babai i regjisorit Jani Bojaxhi. Angellovski sot demantoi çfarëdo lidhje të këtij rasti me filmin e Bojaxhiut, “Tallja me Krishtin”, i cili shkaktoi shumë reagime në opinion. Regjisori Bojaxhi, kumtoi se në shtëpinë e prindërve të tij në Strumicë, në mëngjes është kryer bastisje me ç’ rast babai i tij është arrestuar dhe është sjellë në stacionin policor në Gazi Babë në Shkup.

“Po, babai im akoma është në stacioni policor. Deri në këto momente ai ende nuk është marrë në bisedë informative dhe nuk di çfarë të them. Po mundohen të më bëjnë trysni, por nëse dikush ka bërë diçka të keqe, le të mbajë përgjegjësinë. Por, babai im është një njeri, i cili nuk i ka bërë askujt asnjë të keqe. Përkundrazi, bëhet fjalë për një situatë tragji-komike, në të cilën të vjetrit kallëzojnë përralla, kurse shteti merret me tregimet e tyre. Kjo është e tëra.” deklaroi regjisori, Jani Bojaxhi.

Ky grup prej 14 personash, bënte gjurmime nëpër zonat arkeologjike të mbrojtura me ligj, që konsiderohen si pasuri e trashëgimisë kulturore. Reliktet e gërmuara arkeologjike me vlerë të paçmuar, personat e dyshuar i kanë shitur në Shqipëri, Turqi dhe Greqi.Nga MPB thonë se dëmi i shkaktuar nga ky grup kriminelësh është shumë i lartë, ndonëse nuk mund të vlerësohet saktë kostoja e tyre, për shkak se bëhet fjalë për artefakte unike.

Përgatiti: Adnan Qaili

Loading...