Ballina Planet Analysis Vendimi “fatal” i presidentit Trump

Vendimi “fatal” i presidentit Trump

Qeveria gjermane ka shprehur shqetësimin e saj të thellë mbi paralajmërimet e presidentit Trump për daljen nga marrëveshja INF. Ministria e Jashtme flet për një vendim me pasoja të paparashikueshme.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e konsideron vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dalje nga Marrëveshja INF, për kontrollin e raketave me rreze të mesme, si të pakuptueshëm. “Ne do të rishikojmë mundësinë e aksioneve edhe kundër SHBA”, tha Maas, pas bërjes publike të lajmit për mundësinë e tërheqjes së nënshkrimit amerikan nga Marrëveshja e dakorduar para 30 vitesh. Kjo Marrëveshje është një prej boshteve të rëndësishme të sigurisë. Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme, Niels Annen, foli për një “vendim me pasoja shkatërruese”. Evropa duhet të evitojë armatimet me raketa me rreze të mesme, shkruan ai në një mesazh në twitter.

Zëvendësja e zëdhënësit të qeverisë, Ulrike Demmer, bëri të qartë se aleatët perëndimorë kaherë kanë kërkuar nga Rusia që të eliminojë dyshimet se ky vend po punon në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre armëve. Ndërsa pasojat e paralajmërimit amerikan duhet të shqyrtohen me partnerët e NATO-s. Eksperti i liberalëve për politikën e jashtme, Alexander Graf Lambsdorff, tha se këto çështje do të debatohen në samitin e ardhshëm të aleancës. Ai theksoi se bota rrezkon të rikthehet në kohën e Luftës së Ftohtë.

SPD flet për një rrugë të gabuar

Eksperti i socialdemokratëve (SPD) Nils Schmid tha, se SHBA nuk duhet të insistojë që të gjunjëzojë Rusinë me një spirale armatimesh. “Kjo është një rrugë tërësisht e gabuar”, tha ai. Të gjithë evropianët janë të interesuar që kjo marrëveshje të respektohet. Mund të flitet për plotësimin e marrëveshjes, por bazat e saj nuk duhet të vihen në pikëpyetje.

Ekologjistët kërkojnë që nga Gjermania të largohen armët bërthamore amerikane. “Qeveria federale, nëse e ka seriozisht në paralajmërimet e saj, duhet të thotë tani: Ne i japim fund pjesëmarrjes gjermane në këto programe bërthamore”, tha kryetarja e ekologjistëve Annalena Baerbock për televizionin ZDF. “Është absolutisht fatale” që presidenti Trump do ta pezullojë marrëveshjen INF. “Ndaj duhet të bëjmë të gjitha që kjo marrëveshje të mbetet në fuqi.”

Marrëveshja e nënshkruar në vitin 1987 mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik parashikon ndalimin e zhvillimit, stacionimit dhe testimeve të raketave bërthamore me një rreze veprimi prej 500 deri 5500 kilometra.

Kritikat e palëve

Por SHBA dhe Rusia kaherë e kritikojnë njëra-tjetrën për shkeljen e kësaj marrëveshjeje. Qeveria amerikane thotë, se pala ruse ka punuar në projektimin e raketave (NATO-Code SS-C-8 – rusisht: 9M729), me një rreze veprimi prej 2600 km. Në fillim të muajit vendet e NATO-s kanë shtuar presionin ndaj Rusisë dhe presidenti Putin për të paraqitur dëshmi konkrete se këto pohime nuk janë të vërteta. Ndërsa Putini e ka kritikuar rrjetin e NATO-s në Rumani, nga i cili mund të startohen në çdo moment armë bërthamore amerikane.

“Berlini duhet të ndërmjetësojë”

Fushata ndërkombëtare për heqjen e armëve bërthamore (ICAN) ka apeluar tek qeveria gjermane që të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe SHBA. Organizata ka kritikuar paralajmërimet e Trumpit, sepse në këtë mënyrë hapet rruga për një armatim të pakontrolluar mes SHBA dhe Rusisë, thotë Johannes Mikeska, anëtar i kryesisë së ICAN. Kjo e cënon në mënyrë masive sigurinë në Evropë. Organizata ICAN është vlerësuar në vitin 2017 me çmimin Nobel për Paqë. Organizata me seli në Gjenevë ka rreth 100 vende anëtare.

Problemet me këtë marrëveshje nuk kanë të bëjnë vetëm me agjendën e presidentit Donald Trump. Kaherë ka pasur vërejtje se Rusia nuk po i përmbahet marrëveshjes. “INF paraqet një themel të rëndësishëm për arkitekturën e sigurisë në Evropë”, thonë ekspertët. Nisja e sërishme e garës së armatimeve e rrezikon edhe më shumë këtë arkitekturë./dw