Home Balkan Albania Trupi i pajetë i Kacifas mbërrin në Tiranë për ekzaminime të detajuara

Trupi i pajetë i Kacifas mbërrin në Tiranë për ekzaminime të detajuara

Trupi i 35-vjeçarit Kostantinos Kacifa ka mbërritur mbrëmjen e kësaj të marte në Tiranë, ku pritet t’i nënshtrohet një ekspertize më të thelluar mjeko-ligjore. Burime bëjnë të ditur se transferimi është bërë me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila po heton tashmë vrasjen e Kacifës.

Trupi i 35-vjeçarit ndodhej në morgun e spitalit të Gjirokastrës. Familjarët refuzuan ta tërhiqnin, duke kërkuar të bëhej një ekspertizë e dytë nga një mjek grek. Të afërm të Kacifas kërkojnë që të saktësohet se nga çfarë distance është qëlluar 35-vjeçari dhe nëse plumbat që kanë goditur makinën e policisë janë nga arma e tij.

Kostantinos Kacifa humbi jetën ditën e diel gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA në fshatin Bularat të Dropullit, në Gjirokastër. Minoritari grek qëlloi me armë i pari uniformat blu për shkaqe ende të paqarta. Ai refuzoi që të dorëzohej dhe të hidhte armën, duke qëlluar me breshëri ndaj RENEA-s. Nga shkëmbimi reciprok i zjarrit, 35-vjeçari mbeti i vdekur.