Ballina Histori personale Rrëfimi i biznesmenit nga Tirana: Bixhozi më shkatërroi, kam lënë 70 milionë...

Rrëfimi i biznesmenit nga Tirana: Bixhozi më shkatërroi, kam lënë 70 milionë me një dorë. Futesha në 8 të mëngjesit dhe dilja në 8 të mëngjesit

Në çdo kohë, bixhozi ka shkaktuar drama të forta sociale, ndërsa pasojat financiare janë të pallogaritshme. Top Story solli ekskluzivisht intervistën, me një nga bizesmenët e hoteleve dhe bar kafeve në Tiranë, i cili rrëfen pasojat, dëmet dhe eksperiencën e tij të lidhur me bixhozin.

“Shuma më e madhe (që kam lënë) ka qene 70 milionë lekë. Për një muaj… koha më e madhe që kam nejt, 24 orë/7. Ka pas raste jemi fut në 8 të mëngjesit dhe kemi dalë në 8 të mëngjesit”, thotë për Top Story bizesmeni.

34-vjeçari ka në pronësi 2 hotele dhe disa kafeteri në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve jashtë Shqipërisë për Drejtësi, ai ka punuar për disa vite si avokat. Lidhja e tij me kumarin është e hershme.

“Eksperienca ime në bixhoz ka filluar qysh herët, që në adoleshencë, 15–16 vjeç. Filloi si diçka… siç bëhemi të gjithë shokët bashkë edhe hajde të lozim një 5 mijë leksh ose 10 mijë leksh, në atë kohë kanë qenë 2 mijë lekë, 3 mijë lekë. Diçka kot, siç çdo gjë tjetër, sikur fillon edhe cigaren ashtu filloi edhe bixhoz”, rrëfen bizesmeni.

“Në adoleshencë, apo në rininë e hershme mund ta kenë për nivel portagonizmi, për t’u dukur, ‘unë bëj lojë’, ‘shkoj në kazino’ etj., etj”, thotë Shpëtim Doksani.

“Mbarova studimet e larta, fillova dhe punë, por vazhdonte problemi. Dmth e gjithë rroga ime, pothuajse 90% e rrogës time, ikte në bixhoz”, deklaron biznesmeni.

Ai rrëfen se lojërat e fatit i kanë marrë gjithçka, pasurinë, moralin, fytyrën dhe shëndetin, duke e çuar në një degradim të rëndë psikologjik.

“Humbje shpirtërore, sepse humb ti si njeri, humb çdo vlerë që ke. Humb çdo njeri që ke afër”, rrëfen bizesmeni.

Shumë shpejt kjo lojë e pafajshme mes shokësh, kthehet në një sëmundje prej të cilës nuk shpëton dot më. Edhe pse jeta mund të vazhdojë përpara në anën profesionale dhe atë familjare, gjithmon vesi i kumarit qëndron i fshehur brenda individit.

“Çohesh në mëngjes dhe mendimi i parë që të shkonte ishte që do shkoj dhe do luaj, do shkoj dhe do fitoj. Por gjithmonë një humbje e madhe, jo vetëm nga ana monetare por edhe nga ana shpirtërore dhe nga na fizike dhe nga cdo lloj ane tjetër. Çfarë lekësh na jepnin prindërit, na jepnin për bukë, ne shkonim i fusnim atje. Punonim, bënim ndonjë punë ekstra, dhe ato lekë i conim atje. Çdo gjë mundoheshim të bënim diçka, të fitonim dicka diku, dhe ato lekë që i merrshim, pa pikë vetëdije, pa pikë interesi se si i fitove dhe ku i fitove, shkonte gjithmonë atje ku s’duhej. E vetmja gjë që ti mendon është që ti të lozësh. Që ti të shkosh të futesh atje dhe të rrish para kompjuterit me shpresën që do të fitosh diçka dhe në momentin që ti je para kompjuterit, ti harron çdo gjë tjeter. Ti harron veten tënde. Çdo njeri lind me nje ego dhe mendon gjithmonë për veten. Por në ato momente s’mendon as për veten, jo më për të tjerët. Të tjerët nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as motër, as nënë, as vlla, askush”, rrëfen bizesmeni.

Të pasur e të varfër, të shkolluar e të pashkollur, të gjithë zihen rob dhe përfundojnë në burgjet e padukshme të industrisë së bixhozit…industri e cila vetëm pasurohet pa i kthyer asnjë përfitim shoqërisë.

“Bixhozi nuk pyet çfarë profesioni ke, nuk pyet çfarë shtrese ke. Nuk ka diferencim fare. I ke nga të gjitha shtresat. Në momentin që hyn aty brenda, sheh një doktor, një avokat, një prokuror, një gjykatës, sheh këdo. Sheh edhe një që mbledh kanoçe. Tani kohët e fundit kanë filluar edhe gratë. Ke goca të reja. Hyn brenda, ke goca të reja duke lozur”, rrëfen bizesmeni.

Më tragjike se humbja e parave në bixhoz, është dëmi që i shkakton individit në shëndetin mendor. Sado të mëdha që të jenë shumat e humbura, këta persona nuk shqetësohen për asgjë tjetër, as për familjet, por vetëm për kumarin.

“Nuk është problem humbja. I vetmi synim, është që të kesh lekët dhe të shkosh të lozësh. Është pak a shumë sikur të hipnotizojnë”, rrëfen bizesmeni..

“Një vartës vetëm i lojrave të fatit, ka më shumë shance që të zhvillojë më shpejt çrregullime psikotike, dhe psikologjike. Dikush që nuk përdor substance të tjera, sepse është i vetëdijshëm për atë që po bën”, thotë për Top Story Shpëtim Doksani.

Kam njohur njerëz, që uleshin me ditë pa lëviz nga karrikja. Ka pas nga ata që kanë shitur shtëpinë. Ka pasur nga ata që kanë shitur makinën 50 mijë euro, për 5 mijë euro. Dhe ndodh akoma, është diçka, të them kancer”, – rrëfen biznesmeni.