Home Bota Rekrutonte gra për ISIS-in, Italia dëbon në Shqipëri tezen e “Lady Xhihad”

Rekrutonte gra për ISIS-in, Italia dëbon në Shqipëri tezen e “Lady Xhihad”

Ministria e Brendshme italiane, me një komunikim zyrtar, ka informuar sot se ka dëbuar nga territori italian shqiptaren Arta “Anila” Kacabuni.

Kacabuni është arrestuar së bashku me vëllain e saj Baki Coku, në kuadër të operacionit “Martesa”, ekzekutuar më 1 korrik të 2015. Ky operacion çoi në shkatërrimin e një celule terroriste italo-shqiptare me bazë në Itali e në ekzekutimin e urdhër arrestimeve ndaj 10 personave të akuzuar për pjesëmarrje e organizim në aktivitet me qëllim terrorizmin ndërkombëtar.

Dy prej tyre, shqiptari Aldo Kobuzi dhe e ashtuquajtura “lady xhihad”, bashkëshortja e tij italiane Maria Giulia Sergio, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar e sipas shërbime të inteligjencës aktualisht ndodhen në Siri përkrah forcave të armatosura të ISIS.

Shtetasja shqiptare Arta Kacabuni, është tezja e xhihadistit Aldo Kobuzi. Ajo u dënua me 3 vjet e 8 muaj heqje lirie edhe pse prokuroria italiane kishte kërkuar dënimin me 4 vjet e 2 muaj burg. Më datë 16 tetor 2018, ajo përfundoi masën e dënimit.

Sipas hetimeve, roli i saj ishte të rekrutonte gratë që ti bashkoheshin ISIS-it: fillimisht i ftonte të përqafonin ideologjinë e ISIS, pastaj i shtynte drejt pozitave gjithnjë e më radikale dhe në fund i bindte të shkonin në Siri ose Irak dhe të bashkoheshin me xhihadistët atje.

Sot, ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka urdhëruar dëbimin e saj nga territori italian me motivin si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare. Nën shoqërinë e agjentëve të antiterrorizmit italian, Arta Kacabuni është shoqëruar sot në aeroportin e Fiumicons në Romë ku me një fluturim të radhës është dëbuar në Shqipëri.

Arta Kacabuni jetonte në Itali prej vitit 2003 e banonte në provincën e Grossetos së bashku me vëllain e saj Baki Coku dhe ai i arrestuar në kuadër të operacionit Martesa.

Shtetasi shqiptar Baki Coku, daja i Aldo Kobuzit u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg. Në maj të 2018 ka përfunduar masën e dënimit dhe ai është dëbuar gjithashtu nga territori italian si me rrezikshmëri për sigurinë kombëtare.

Ministria e Brendshme italiane informon se prej janarit të 2018 e deri më tani janë dëbuar nga Italia 104 persona me motivin e rrezikut për sigurinë kombëtare e për pjesëmarrje në aktivitete me qëllim terrorizmin ndërkombëtar. Ndërsa prej vitit 2015 numri i personave të dëbuar nga Italia është 341.

Bonus video:
Loading...