Ballina Planet Analysis Rasti Khashoggi, morali i politikës dhe Erdogani si “miku i gazetarëve”

Rasti Khashoggi, morali i politikës dhe Erdogani si “miku i gazetarëve”

Nga Ece Temelkuran

Presidenti turk, Erdogan, njihet më shumë për shtypjen e pamëshirshme politike, që ka lënë në burg ose pa punë me dhjetëra gazetarë, sesa për mbështetjen e kauzës së lirisë së shtypit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai doli në skenë si zëri më kritik lidhur me vrasjen e disidentit saudit, Jamal Khashoggi.

Detaje makabre të kësaj ngjarjeje shërbyen për të ushqyer teoritë konspirative. Pse shkoi Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite, kur e dinte sa e pamëshirshme është qeveria e vendit të tij? A i dha siguri dikush dhe më pas e shiti në minutën e fundit? Si ka mundësi që ekzistojnë regjistrime nga brenda konsullatës, ku ndodhi vrasja dhe copëtimi i trupit të gazetarit? Si ka mundësi që krejt papritur, mediat kryesore në Turqi, të cilat janë zëri i qeverisë turke, u morën si referenca më e besueshme nga një rrjet i tërë mediash ndërkombëtare?

Një aspekt në veçanti shkon përtej asaj se çfarë ndodhi dhe kush e porositi vrasjen: fakti se Presidenti Erdogan krejt papritur e vendosi veten në rolin e mbrojtësit të zjarrtë të gazetarëve. E vërteta është se për kritikët turq, ky shndërrim i papritur nuk është aspak surprizë. Nxjerrja në pah e mospërputhjeve në deklaratat publike të Erdoganit ka qenë sporti i preferuar në mediat sociale vitet e fundit. Kjo e ka bërë shpesh opozitën të buzëqeshë hidhur. As audienca globale nuk ka më nevojë për njohuri të thelluara politike për të kuptuar Erdoganin. Megjithatë, e rëndësishme mbetet të shihet se çfarë ka të përbashkët presidenti turk me liderët e tjerë populistë të së djathtës.

Për këtë mjafton të marrim në konsideratë fjalët e Donald Trump pasi Barak Obamës, Hillari Klintonit dhe CNN-it iu dërguan me postë pajisje eksplozive. “Ne duam që të gjitha palët të bashkohen në paqe dhe harmoni. Ne mundemi ta bëjmë kaq. Ata që janë angazhuar në arenën politike duhet të ndalojnë së trajtuari kundërshtarët si moralisht të dëmtuar”. Megjithatë, Trump më parë e ka quajtur Obamën themelues të ISIS-it, Klintonin hajdute dhe CNN-in e ka akuzuar për propagandimin e lajmeve të rreme. Ky mjeshtër i ngathët i politikës armiqësore është po aq i guximshëm sa Erdogani kur pretendon se ka në themel moral të lartë.

Princi i kurorës, Mohammed bin Salman, në dukje i inatosur nga çështja Khashoggi, thirri djalin e gazetarit për t’i shprehur ngushëllimet. Gjatë një fjalimi një ditë më pas, ai u shfaq më pak zemërthyer se Erdogani kur e quajti vrasjen një krim të urryer dhe tha se përgjegjësit duhet të dënohen.

Habia që ndiejnë ata që kanë votuar kundër daljes së Britanisë nga BE-ja – të cilët marshuan në rrugët e Londrës fundjavën e kaluar – kur dëgjojnë leksione demokracie nga Nigel Farage nuk është shumë e ndryshme nga reagimi i shumë njerëzve në Turqi, kur dëgjojnë t’u japin leksione ata që vetë e kanë dëmtuar demokracinë e vendit.

Pasi kam studiuar rritjen e populizmit të djathtë për më shumë se një vit, jam i bindur se pavarësisht diferencave dramatike mes këtyre dy vendeve, ka gjëra të përbashkëta. Një prej tyre është pretendimi i liderëve populistë se kanë monopolin e sjelljes së moralshme dhe vështirësia për ta sfiduar këtë pretendim me mjete politike. Edhe pse populistët shpesh i detyrohen për të ashtuquajturin sukses pikërisht shkatërrimit të konsensusit moral, në sytë e mbështetësve ata ia dalin të luajnë rolin e shtyllës morale. Ka disa arsye për guximin e tyre, por më e rëndësishmja është se ata e bëjnë këtë pikërisht sepse munden.

Liderët populistë jo vetëm që i nxisin kundërshtarët me vulgaritet të pamëshirshëm dhe përdorin shtypjen brutale për t’i mbyllur gojën rezistencës, por e përballojnë sfidën e kritikëve duke vënë në dukje rënien e përgjithshme të moralit politik global. Në fund të fundit, kush është aq moralisht i pastër sa t’u hedhë gurë populistëve në një botë neoliberale, ku në një farë mënyre ne jemi të gjithë të “kalbur” nga kodet morale dominuese.

Është mëkat që ky moral që qëndron në themel të ngritjes së populizmit të djathtë vjen në vëmendjen tonë vetëm atëherë kur ne tronditemi nga mënyra se si këta liderë na i thonë gjërat copë dhe fillojnë të na japin leksione se si të jemi qytetarë të përgjegjshëm. Herët a vonë, ne do të na duhet të flasim për atë çka është moral i shëndoshë dhe të zbulojmë një mënyrë të të bërit politikë që nuk e bën Makiavelin të duket si Forrest Gump. Sepse po të ishte gjallë sot, thënia e Makiavelit për politikën që nuk ka lidhje me moralin mund të ngjante si populizëm i djathtë për princërit e paturpshëm të ditëve të sotme. The Guardian