Ballina Planet Analysis Pse Arabia Saudite ka kaq shumë rëndësi për Perëndimin?

Pse Arabia Saudite ka kaq shumë rëndësi për Perëndimin?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi me “dënim të ashpër” të Arabisë Saudite, nëse vërtetohet se agjentët e saj kanë vrarë gaztearin saudit, Jamal Khashoggi.

Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Arabia Saudite, e cila i mohon pretendimet e zyrtarëve turq se Khashoggi është vrarë nga agjentët e saj, u zotua se do t’i përgjigjet çdo veprimi ndëshkues të Perëndimit me “veprime edhe më të mëdha”.

Pasojat mund të jenë po ashtu të mëdha. Arabia Saudite posedon rreth 18% të rezervave të naftës në botë dhe, sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (Opec), ajo është eksportuesja më e madhe e naftës në botë.

Një gjë e tillë i jep këtij vendi fuqi të madhe dhe ndikim në skenën botërore.

Për shembull, nëse SHBA-ja dhe vendet e tjera ndërmarrin sanksione, Qeveria saudite mund të përgjigjet me zvogëlim të prodhimit të naftës, gjë që mund të rrisë çmimet globale nëse eksportuesit e tjerë nuk e kompensojnë mungesën.

Arabia Saudite, sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkimin e Paqes, ka pasur buxhetin e tretë më të madh të mbrojtjes në botë në vitin 2017.

Atë vit, ky vend ka nënshkruar një marrëveshje armësh me SHBA-në në vlerë prej 110 miliardë dollarësh. Marrëveshja është përshkruar nga Shtëpia e Bardhë si më e madhja në këtë fushë në historinë amerikane.

Vendet e tjera që furnizojnë Arabinë Saudite me armë përfshijnë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë.

Vëzhguesit thonë se si kundërmasë ndaj çdo sanksionimi, Riadi mund të kthehet kah Kina dhe Rusia për të përmbushur nevojat e tij ushtarake.

Fuqitë perëndimore kanë theksuar vazhdimisht se Arabia Saudite luan një rol vendimtar në ruajtjen e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Mbretëria saudite, e cila është vendlindja e Islamit, është anëtare e koalicionit global të udhëhequr nga SHBA-ja, që lufton grupin militant Shteti Islamik dhe, vitin e kaluar, ka formuar një koalicion islamik kundër terrorizmit me 40 shtete të tjera myslimane.

Forcat saudite, megjithatë, janë akuzuar për krime lufte në konfliktin e Jemenit.

Aktivistët para konsulatës saudite në Stamboll mbajnë në duar portretin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi ku shkruan “Jamal Khashoggi është zhdukur që prej 2 tetorit”.

Arabia Saudite po ashtu ka punuar ngushtë me SHBA për të kundërshtuar ndikimin e Iranit.

Fuqitë sunite dhe shiite myslimane janë përfshirë në konflikte në gjithë Lindjen e Mesme për dekada të tëra.

Në Siri, Arabia Saudite ka mbështetur fraksione rebele duke u përpjekur të përmbysë presidentin Bashar al-Assad, ndërsa Irani, së bashku me Rusinë, ka ndihmuar të kthejë rrjedhën e luftës në favor të Assadit.

Në një editorial të publikuar të dielën, drejtuesi i përgjithshëm i televizionit saudit Al Arabiya, Turki Aldakhil, tha se sanksionet potenciale mund t’i privojnë edhe kompanitë amerikane nga qasja në tregun saudit.

Tregtia amerikane e mallrave dhe shërbimeve me Arabinë Saudite ka arritur në 46 miliardë dollarë në vitin 2017. Departamenti i Tregtisë i SHBA-së ka vlerësuar se tregtia dypalëshe ka mbështetur rreth 165,000 vende pune në SHBA në vitin 2015.

Përgatiti: Valona Tela/rel