Home Balkan Albania Prapaskenat, ja arsyet që sollën largimin e Fatmir Xhafajt nga qeveria, LSI...

Prapaskenat, ja arsyet që sollën largimin e Fatmir Xhafajt nga qeveria, LSI dhe Meta vihen në alarm, Presidenti shtyn dekretimin e Lleshit

Dorëheqja e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm ishte një kronikë e paralajmëruar. Gazeta prej disa ditësh e kishte thënë se ka nisur një përplasje brenda mazhorancës dhe marrëdhëniet e Xhafajt me kryeministrin Rama dhe deputetët socialistë ishin përkeqësuar. Por çfarë e solli largimin e tij? Nëse shihen me detaje të gjithë komponentët, Xhafaj së fundmi kishte humbur mbështetjen e deputetëve socialistë.

Sa ishte në krye të Komisionit të Ligjeve ai gëzonte mbështetjen e të gjithëve, por pasi PD nisi akuzat për vëllanë e tij, diçka u thye. Shumë emra në PS ishin të pakënaqur dhe kulmi arriti të hënën. Ishte gazeta “SOT” që deklaroi se deputetët kishin lëshuar shumë kritika sa i takon arrestimit të Arben Ndokës dhe Arben Çukos. Vetë Pjerin Ndreu shigjetoi policinë, duke deklaruar se nuk veproi sipas rregullave. Shumë emra të tjerë po ashtu lëshuan kritika mbi lëvizjet e forcave të rendit të drejtuara nga Xhafaj. Pra të hënën u dëshmua qartë se besimi i Xhafajt në PS kishte humbur dhe askush nuk ishte i kënaqur me lëvizjet e tij.

Afrimi me LSI

Një tjetër arsye që solli largimin e Fatmir Xhafajt ishin flirtet me LSI. Edhe pse Rama është në një betejë të fortë me Metën dhe me Kryemadhin, Xhafaj ditët e fundit po jepte sinjale se ishte pranë tyre. Kryemadhi fillimisht e mbrojti Xhafajn kur shpërtheu skandali i të vëllait dhe po ashtu u rrethua krah tij për arrestimet e ditëve të fundit. Madje eksponent të LSI e ngritën në qiell dhe kërkuan që ai të dalë kundër Ramës.

Ajo që vërteton më së miri një aleancë të tillë janë deklaratat e djeshme. Luan Rama reagoi dhe sulmoi Ramën, duke vlerësuar Xhafajn. “Dorëheqja është vetëm paralajmërimi i rënies, që nis kësisoj me shembjen e pikës së referimit të bashkëpunimit të partnerëve ndërkombëtarë! Operacionet e fundit të policisë dhe goditja e disa grupeve kriminale, dukshëm të lidhura me klanet e qeverisë e që e ushqejnë atë, në fakt do të duhej të kishte stimuluar dorëheqje të tjera dhe jo atë të Fatmir Xhafës. Mirëpo me sa duket, pjesa e keqe brenda qeverisë është shumë më e madhe dhe ende më e fortë nga sa duket! Me dorëheqjen e vet, Fatmir Xhafa jo vetëm distancohet nga ajo pjesë, por duke u larguar prej qeverisë, na jep mundësinë të shohim më qartë e të kuptojmë se deri ku mbërrijnë tentakulat e krimit, që deri tani fshiheshin pas mbiemrit të tij!”, shkruante dje Luan Rama. Në të njëjtën linjë me të ishte dhe Petrit Vasili me Ylli Manjanin. Vasili e sheh problemin te Rama. “Po ky kryeministër i shpëlarë politikisht dhe moralisht, pa të shkuar dhe pa asnjë të ardhme ç’bën akoma në atë zyrë? Apo sigurisht zvarritet edhe ca, për të ikur turpshëm dhe pa asnjë dinjitet siç vetëm ai mund të iki”, tha Vasili. Pra duket se largimi i Xhafajt ka shqetësuar jashtë mase partinë e presidentit.

Puna e Xhafajt

Ajo që i vuri kapak aleancës Xhafaj-Meta janë mediat pranë presidentit. Televizione, portale e gazeta u kujdesën të dilnin me editoriale, duke deklaruar se Xhafaj ishte ministri më i mirë dhe Rama e hoqi atë sepse po luftonte krimin. Por në të vërtetë, a e luftoi Xhafaj krimin? Ai ka në këtë post më shumë se një vit dhe 2 operacionet e vetme të suksesshme janë të javëve të fundit: Arrestimi i grupit “Bajri’ dhe goditja e rrjetit të heroinës. Atëherë, gjatë 1 viti çfarë bëri Xhafaj? Saimir Tahir pak kohë më parë deklaroi se Xhafaj është i vetmi ministër që i numëron bandat nga televizori. Xhafaj foli për rreth 40 banda, por sot vetëm 2 janë shkatërruar. Po me bandat e tjera çfarë u bë? Madje dhe këto të dyja u shkatërruan me ndihmën e ndërkombëtarëve. Po ashtu Xhafaj u lavdërua se nisi vetingun në polici. Çfarë po ndodh sot me vetingun në polici? Procesi është bllokuar dhe nuk dihet se kur do realizohet. Pra, nëse i shohim me kujdes gjërat, Xhafaj kishte 1 vit kohë të tregonte luftën ndaj krimit, por nuk e bëri.

Madje ai nisi të përçajë PS. Ditët e fundit po dilnin fakte ndaj eksponentëve të të lartë të PS dhe dyshimet janë se po dilnin nga vetë policia, e cila drejtohej nga Xhafaj. Rasti më flagrant është për Vangjush Dakon. Ditët e fundit ka pasur përplasje prokurori-polici. Prokuroria përgënjeshtroi të gjithë lajmet që dilnin nga policia. Madje ka zëra se arrestimi i Arben Ndokës dhe Arben Çukos ishte me indicie nga policia dhe jo nga prokuroria. Nga ana tjetër në PS flitet se po krijohej një aleancë Xhafaj-Meta-Veliaj për të rrëzuar Ramën. Por largimi i Xhafajt duket se e prishi planin e LSI dhe dje të gjithë u vunë në alarm dhe nisën sulmet. Pra të gjitha këto duket se bënë Xhafajn të largohet nga ai post.