Ballina Bota NYT: Gazetari është vrarë me urdhër të drejtuesve të lartë të Arabisë...

NYT: Gazetari është vrarë me urdhër të drejtuesve të lartë të Arabisë Saudite

Media amerikane New York Times, duke cituar autoritetet turke, shkruan në një artikull se gazetari Khashoggi është vrarë brenda konsullatës Saudite në Stamboll. Një gjë e tillë mbështetet edhe nga mediat turke, që kanë bërë me dije se 15 agjentë të inteligjencës arabe kanë hyrë në Stamboll ditën e zhdukjes së gazetarit dhe disa orë më pas janë larguar nga vendi.

Gazetari saudit Jamal Khashoggi dyshohet se u vra në konsullatën e vendit të tij në Stamboll “me urdhër të niveleve më të larta të gjykatës mbretërore” të Rijadit.

Kështu shkruan New York Times duke cituar si burim gradat e larta të aparatit të sigurisë së Turqisë, që folën për “një operacion të shpejtë në të cilin Khashoggi u vra brenda dy orëve nga mbërrigtja e tij në konsullatë nga agjentët sauditë, të cilët më pas kanë shpërbërë trupin me një sharrë”.

Sipas një burimi hetimor në Ankara, gazetari është copëtuar si në filmat horror, dhe eshtrat e tij janë nxjerrë dhe fshehur brenda një minifurgoni të zi. Televizioni privat turk, Kanal 24, i afërt me ambientet qeveritare të Ankarasë, ka shfaqur imazhet e fundit të gazetarit saudit ndërsa hynte të martën e kaluar në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe ato të një minifurgoni të zi që u largua më pas, duke theksuar se brenda tij gjendej trupi i pajetë i reporterit. Automjeti ka udhëtuar përreth 2 kilometra, duke parkuar më pas në një garazh në rezidencën e Konsullit saudit.

Deri më tani, drejtuesit sauditë, përfshirë princin Mohammed bin Salman, kanë mohuar çdo akuzë, duke këmbëngulur në faktin që Khashoggi është larguar nga konsullata pak pas mbërritjes me 2 Tetor. Nga ana e tij, presidenti turk Rexhpe Tajip Erdogan ka kërkuar prova nga Arabia Saudite që tregojnë këtë version. Këto zhvillime pritet të tensionojnë marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Rijadit.

Ndërkohë, mediat turke kanë publikuar një listë me emrat e 15 agjentëve të shërbimeve sekrete saudite që kanë hyrë në Stamboll, të njëjtën ditë me zhdukjen e gazetarit. Këta janë kthyer në Arabi po atë ditë pas disa orëve. Gazeta “Sabah” i përshkruan ata si “ekipi i vdekjes”./abcnews.al