Home Bota Ligjvënësit amerikanë kërkojnë përgjigje për Khashoggin

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë përgjigje për Khashoggin

Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo thonë se udhëheqësit sauditë kanë mohuar prerazi se kanë pasur ndonjë lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit me banim në Shtetet e Bashkuara, Jamal Khashoggi. Gazetari është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll para dy javësh. Zoti Pompeo gjatë turneut të tij u ka bërë thirrje zyrtarëve në Ankara dhe Riad të zhvillojnë një proces të hollësishëm, transparent dhe të shpejtë. Ndërkohë aktivistët për të drejtat e njeriut dhe ligjvënësit amerikanë kërkojnë që të merren masa ndëshkimore ndaj Arabisë Saudite nëse konfirmohet se autoritetet e Riadit kishin gisht në zhdukjen e gazetarit. Të ndjekim materialin e korrespondentes Cindy Saine:

Presidenti Trump dërgoi këtë javën shefin e tij të diplomacisë, Mike Pompeo për takime në Turqi dhe Arabinë Saudite për të ndriçuar ngjarjet lidhur me Khashoggin.

Ndërkaq të martën Nënpresidenti Mike Pence bëri thirrje për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së gazetarit, duke shtuar se bota duhet ta dijë nëse Khashoggi është vrarë dhe kush dha urdhër për vrasjen e tij.

“Çdo humbje jete është e dhimbshme, çdo akt dhune dhe marrje jete duhet dënuar. Por ky ishte sulm edhe mbi shtypin e lirë dhe të pavarur. Kërkojmë përgjigje”.

Khashoggi u fut në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor dhe nuk doli më prej saj. Zhdukja e pashpjeguar e tij dhe zërat se ai është vrarë, ndërsa trupi i tij është copëtuar brenda konsullatës kanë revoltuar ligjvënësit amerikanë:

“Nëse Arabia Saudite ka marrë një person që ka statusin e banuesit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, e ka ftuar në konsullatë dhe e ka vrarë, Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë marrëdhëniet ushtarake, politike dhe ekonomike me Arabinë Saudite,” tha Senatori Chris Murphy.

Në një letër në adresë të Shtëpisë së Bardhë, një grup prej 22 senatorësh nga të dyja partitë kërkon hetime bazuar në Ligjin Magnitski për Llogaridhënie Globale mbi të Drejtat e Njeriut.

Ligji mban emrin e Sergei Magnitskit, jurist dhe auditor rus që vdiq në një burg të Moskës pasi ekspozoi evazione fiskale të bëra nga zyrtarë rusë.

Bill Browder, i cili e përfshiu Magnitskin në hetimet për korrupsion, bëri fushatë aktive për miratimin e ligjit në 2012. Ai thotë për Zërin e Amerikës se Ligji Magnistski kishte si synim të zbulonte drejtësinë për akte të tilla të tmerrshme.

“Rregulla bazë e ligjit Magnitski është të ndëshkojë persona të përfshirë në tortura, në vrasje pa gjyq dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Sidomos kur vihen në shenjestër njerëz që kritikojnë qeverinë apo gazetarët. Pikërisht me një skenar të tillë përballemi tani”.

Aktivisti përshëndet qëndrimin e vendosur të ligjvënësve dhe shpreson se edhe administrata Trump do të tregohet po aq e prerë.

Thirrje për ndriçimin e zhdukjes së gazetarit kanë bërë edhe organizata të tjera. Rob Berschinski i shoqatës Humar Rights First thotë se qeveria saudite nën Princin Mohammed bin Salman ka ndërmarrë një numër masash të jashtëzakonshme dhe shqetësuese gjatë muajve të fundit:

“Një numër aktesh, si ndalimin e kryeministrit të Libanit, apo burgosjen e aktivisteve për të drejtat e gruas, si dhe burgosjen e një numër pjesëtarësh të familjes mbretërore”.

Berschinski thotë për Zërin e Amerikës se udhëheqës të vendeve të tjera presin të ndjekin shembullin amerikan në këtë çështje, edhe për faktin se Khashoggi jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Loading...