Ballina Kryesore LETRA/ Paralajmërimi i Izet Haxhisë: Do të hap “kutinë e Pandorës”

LETRA/ Paralajmërimi i Izet Haxhisë: Do të hap “kutinë e Pandorës”

SHPËRNDAJE

Izet Haxhia, truproja e parë e ish-kryeministrit Berisha, në një letër të dërguar në redaksinë e televizionit “News 24”, bën të ditur faktin se avokati e ka braktisur prej 2 muajsh, asnjë prokuror nuk ka shkuar ta marrë në pyetje, ndërsa për herë të parë akuzon vëllain e tij, Ismet Haxhinë dhe Romeo Karajn se po sabotojnë çështjen e tij në gjykatë.

Në bazë të rregullores së paraburgimit, për të folur me mediat kërkohet leja nga prokurori i çështjes. Por nuk ka akoma asnjë prokuror dhe asnjë trupë gjykuese për çështjen që do rigjykohem”, shkruan Haxhia. Ai flet për një sulm të organizuar ndaj tij dhe të dashurës Erjona Parruca, sulm që ka si qëllim dëmtimin e çështjes në gjykatë e që për organizatorë ka dy persona.

LETRA E PLOTE PER “NEWS 24”

Përshëndetje!

Jam i detyruar t’ju drejtohem me anë të kësaj letre, për arsye se nuk kam asnjë mundësi tjetër komunikimi, sepse nuk më është dhënë e drejta të flas me asnjë media. Në bazë të rregullores së paraburgimit, kërkohet leja nga prokurori i çështjes për të folur me mediat. Por nuk ka akoma asnjë prokuror dhe as edhe një trupë gjykuese për çështjen që do rigjykohem. Në mungesë totale të komunikimit dhe të një izolimi të plotë, e ndjej të domosdoshme t’i përgjigjem një sulmi të mirorganizuar e djallëzor ndaj meje dhe Erjona Parrucës. Erjona është shumë më tepër se e dashura ime.

Ajo është shoqja, mikja, mbështetësja ime besnike. Erjona është nderi im, gruaja ime e jetës. Dua të theksoj se ky sulm mafioz ka si qëllim të dëmtojë çështjen time në gjykatë, të cilës siç citova më lart, nuk i ka dalë akoma një trupë gjykuese, edhe pse afatet ligjore janë tejkaluar. Në krye të këtij sulmi fatkeqësisht ndodhen dy persona, njëri që hiqej si “mik” (Romeo Karaj) dhe vëllai (Ismet Haxhiaj). Këta të dy mashtrues e hajdutë ordinerë që për atdhe, fe e moral kanë lekun dhe vetëm lekun, pasi iu sulën Erjonës me statuse dhe sharje ordinere, me mesazhe monstruoze që përmbanin shpifje, sharje perverse, trillime qesharake e deri kërcënime për jetën e saj dhe fëmijëve të saj të mitur.

Nuk u mjaftuan me kaq, por duke vënë në përdorim një tufë anonimësh e dallkaukësh në media sociale, arritën deri aty sa të organizohen në këto media si një bandë, duke u dërguar në seri mesazhe kërcënuese të gjithë atyre që përkrahnin Erjonën në përballjen e saj, ashtu e vetme me këta demonë. Një përballje e Erjonës me kulturë, qytetari dhe guxim. E vazhduan edhe më tej këtë luftë të tyre të ndyrë duke u dërguar mesazhe të gjithë miqve të mi, ku deklaronin me djallëzinë më të poshtër sikur unë kisha bërë kompromis me Berishën, kisha hequr dorë nga të gjitha denoncimet e mëparshme të miat, të bëra në adresë të Berishës apo siç deklaronte Romi ‘trimi’ që ‘qeni u kthye tek i zoti’. Si duket, ky ngatërron rolin e tij të përjetshëm, dikur si zagar i Neritanit, pastaj si zagar i Kastriot Islamit, të cilin edhe pse e mbajti Romin me bukë, e kafshoi si ato zagarët që nuk lehin, por kafshojnë në pabesi.

Tani është duke bërë rolin e zagarit të Taulantit, të cilin e këshilloj që të bëjë kujdes me këtë zagar të përjetshëm, se po të rrëshqiti këmba, i pari do të kafshojë ty, ky zagar profesionist. Këto shpifje dhe taktika djallëzore të dirigjuara nga Romi “trimi” më flet edhe Ismet “flokëlyeri”. Me këtë pabesi të tyre arritën deri në tradhtinë e paimagjinueshme e pabesi të denja për besthyerin Berisha. Arritën deri aty sa vëllai im biologjik, Ismeti, tani i kthyer në një vëlla të Romit, t’i japë këtij të dhëna nga kronologjia e vrasjes së Azem Hajdarit, që unë në mënyrë konfidenciale i kisha shkruar avokatit tim e që duhet të paraqiteshin në gjyq.

Unë u dal për zot të gjitha atyre gjërave që i kam shkruar në mënyrë konfidenciale avokatit tim, por kam edhe plot surpriza të tjera për këtë çështje. Surpriza të pakëndshme si për organizatorët e vrasjes së Azemit, për ata që e nxorën në pritë, për motivin e kësaj vrasjeje dhe për ata që për përzjenë mua, pa dashjen time në këtë vrasje. Boll kam heshtur e mbrojtur të tjerët. Le të hapet “kutia e Pandorës” dhe gjithsecili të marrë atë që i takon. Këto shpifje e skenarë djallëzorë të Romit e Ismetit, më kujtuan një skenar djallëzor të Berishës, të kurdisur ndaj meje në maj të vitit 1999. Ndodhesha në Tropojë në atë kohë, kur në 6 maj 1999 u bë prita e parë ndaj Haklajve me mina të telekomanduara. Kjo pritë ishte organizuar nga njerëzit e Berishës.

Por fill pas lajmit për këtë pritë, Berisha dërgon një të afërmin e vet të takojë në Tiranë Halil Haklajn dhe ky i afërm i Berishës, i thotë Halilit se kam të dhëna të sigurta që pritën e ka bërë Izet Haxhiaj, por me porosi të Berishës dhe sikur unë kisha marrë 1 milion marka nga Berisha për të vrarë Haklajt. Por, ana e dhimbshme e këtij sulmi djallëzor që po na bëhet mua dhe Erjonës është se këto akuza për bashkëpunim me Berishën i organizon vëllai im batakçi, hajdut e mashtrues së bashku më Romeo “trimin”, që mbushi poturet vetëm me një telefon që iu bë nga burgu dhe iku i lebetitur, duke u futur në poturet e qeverisë. Por ky “trim”, që trimëria e vetme në jetën e tij është dhunimi i motrës së vet, nuk e ka për gjë të kërcënojë e dhunojë një femër të pambrojtur dhe mua biles… edhe ky një akt i paparë i “trimërisë” i duartrokitur nga vëllai im “burrë zakoni”. Por e keqja më e madhe është se, këta të dy batakçinj po zbatojnë një skenar të djallit Berisha dhe të paguar prej njerëzve të tij, për të më sulmuar mua. Në jetën time as nuk jam shitur, as nuk shitem kurrë për asnjë çmim.

Këta të dy tradhtarë të pabesë e batakçinj, më ngatërrojnë me veten e tyre, që për para, karrierë e famë shiten edhe tek djalli Berisha. Po si nisi ky sulm që ka brenda vetes, shpifje ordinere, akuza monstruoze, kërcënime e dhunë psikologjike ndaj një femre të vetme, të pambrojtur e të sëmurë. Sulme e mashtrime që do ua kishte zili “Babale” e “qytetari Dixhital”. Pasi mora të dhëna të sakta se dyshja e batakçinjve Romeo-Ismet po kërkonin para tek njerëz të ndershëm duke përdorur emrin tim, i kërkova Erjonës që të publikonte në ‘FB’ tim një status ku thuhej që askush të mos përdorë emrin tim për të mbledhur para apo për të bërë reklamë. Dhe fill pas këtij publikimi, Erjona u gjend nën një sulm të paparë e monstruoz. Erjona sipas këtyre sulmeve djallëzore të gatuara në bashkëpunim në kuzhinat e Berishës, nga këta burracakë dhe banda e tyre fejsbukjane, u ngrys brenda një dite një agjente e regjur. Apo më saktë, një poliagjente, që nga agjente e Berishës e deri tek agjente e DSG-së franceze apo UDB-së serbe.

Biles sipas këtyre, ajo ishte një shoqe e ngushtë e Argita Berishës dhe kishin punuar bashkë në Kosovë. Vetëm mendja diabolike e Berishës dhe e këtyre dy burracakëve mund të sajojnë shpifje të tilla, sa djallëzore, aq edhe qesharake. Madje, këta “anti-berishianë” të tërbuar arritën deri aty në marrëzinë e shpifjeve të tyre, sa deklaruan që: Erjona kishte marrë si detyrë të saj agjenturore që të më bindte mua të hiqja dorë nga përballja me Berishën në gjykatë dhe të gjitha denoncimet që kisha bërë më parë për krimet e tij, heqjen dorë nga unë për të gjitha të vërtetat që kam deklaruar për krimet e Berishës. Pastaj m’u sulëm mua për të më mbushur mendjen se Erjona donte të më helmonte.

Nuk prisja nga këta burracakë shpirtkazëm të më kuptonin apo mbështesnin në dashurinë time. Këta njohin vetëm gjuhën e urrejtjes, mllefin, vrerin, komplekset dhe frustimin e tyre. Sulmi i tyre kalonte çdo kod etik, moral kanunor apo shpellor. Dua të sqaroj njëherë e mirë për publikun se asgjë nuk mund të më kthejë në rrugën time për t’u ballafaquar me nxjerrësin në pritë të Azem Hajdarit, Sali Berishën. Asgjë dhe askush nuk do më ndalë të denoncoj krimet monstruoze të Berishës si një dëshmitar i dorës së parë, si një pjesëmarrës dhe zbatues i tyre. Dhe kjo do të bëhet vetëm me të vërtetat e mia të pakundërshtueshme. Ky është një qëndrim i palëkundur i imi, por unë nuk mund të bëj edhe detyrën e prokurorit, të cilët i kam kërkuar dy herë, të vijnë e të më marrin në pyetje. U takon prokurorëve të republikës të vijnë e të më marrin në pyetje, si edhe dëshmitë e mia për të gjitha ato denoncime që kam bërë për krimet e Berishës dhe krime të tjera të pazbardhura. Jam në pritje të një prokurori të guximshëm, të ndershëm e të pavarur nga politika, të marrë këtë detyrë që i jep Kushtetuta dhe ligjet e shtetit shqiptar.

Deri para pesë muajsh ndodhesha në Turqi me adresë e vendndodhje të deklaruar, por askush nuk e mori mundimin nga prokuroria të vinte e të më pyeste, qoftë edhe për të hedhur poshtë të gjitha ato denoncime të miat të bëra publike. Ka qenë rrugë e gjatë dhe lodheshin, por tani që adresa ime është tek burgu 302, Tiranë, përse nuk vijnë? Nuhas erëra të pista në këtë heshtje varri, që mund të vijnë nga garancitë që i janë dhënë kriminelit Berisha për të mos u përballur me drejtësinë për krimet e tij. Asnjëherë nuk mund të vendoset drejtësi në vendin tonë pa u dënuar krimet 27-vjeçare, ku shumica prej tyre kanë dorën dhe vulën e Berishës. Krime që fillojnë që nga vrasja shtetërore e Remzi Hoxhës, vazhdojnë me ato të ’97-s, vrasjen e Hajdarit, grushtin e shtetit shtator ’98, vrasjet e Tropojës etj. Jam vetëdorëzuar me vullnetin tim të plotë, edhe pse këta dyshja e shpifësve mundohen ta mohojnë pa asnjë marrëveshje apo pazar me askënd.
Po mirë ore mashtrues i pacipë, desha të të pyes: “Si ka mundësi që një i kërkuar nga Interpoli në të gjithë botën, siç isha unë, të arrestohet në një vend si Turqia, në gjendje të jashtëzakonshme që të heqin edhe lidhëset e këpucëve e deri unazën në gisht, t’i lejohet telefoni celular, të komunikojë me të.

Të mos i vihen prangat, të mbahet në zyrat e shefit të policisë? Vetëm mendja jote e përçudnuar mund të sajojë një gënjeshtër të tillë, apo gënjeshtrën tjetër që unë me zë të dridhur të paskam marrë ty në telefon, e të paskam kërkuar të njoftosh mediat. Por, lajmin për vetëdorëzimin tim mor batakçi, të gjitha mediat e morën vesh nga statusi im në “Facebook” dhe ishim me dhjetëra gazetarë që kërkonin të flisnin me mua. Por, ti je aq i pafytyrë sa dole në TV, për t’i bërë reklamë vetes në emrin tim dhe gënjeve duke thënë se më kishe ofruar të më çoje në Australi. Kurrë nuk më ke ofruar një gjë të tillë apo të kem folur me ty ditën që jam dorëzuar, aq më tepër të kem kërkuar të njoftosh mediat. Me sa më kujtohet, te kam kthyer përgjigje vetëm me një mesazh, mesazheve të tua e telefonatave që bëje pa pushim si një servil i pështirë që je, e tani që ndodhem i izoluar na bën si “trim”, por një ditë do të dal nga këtu, edhe pse ti me tim vëlla po bëni çmos që të ngelem këtu. Nuk e di a do mund të të mbrojnë policia apo edhe FBI po të vijë. Unë jam vetëdorzuar për të realizuar misionin tim, që i kisha ngarkuar vetes, të denoncimit dhe të zbardhjes së krimeve të politikës dhe atyre të Berishës në veçanti.
Jam vetëdorzuar për të mbajtur fjalën që kisha dhënë para publikut në shkurt të këtij viti, kur mora vesh vendimin për ekstradimin dhe këtë vendim e bëra publik para të gjithëve.

Nuk kam kërkuar as mbrojtje nga askush, as status dëshmitari të mbrojtur, kërkoj vetëm që të më krijohet mundësia që t’i denoncoj përpara drejtësisë, krimet e Berishës dhe klanit te tij mafioz e kriminal. Si përfundim, kisha edhe një mesazh për dyshen e batakçinjve e mashtruesve: Karaj – Haxhiaj, që të rreshtuar në krah të klanit kriminal të Berishës dhe të sponsorizuar me paratë e tij, që për këta të shitur nuk ka rëndësi nga vijnë, se për mua nuk ka rëndësi dy armiq më shumë, apo më pak. Po ua përsëris prapë se asgjë nuk mund të më lëkundë apo të më ndalojnë në misionin tim për të denoncuar krimet e Berishës, të cilit ju po i shërbeni me devotshmëri, si tradhtarë të pabesë e të shitur për një grusht para të pista. Asgjë nuk do më ndalojë të mbroj me çdo çmim dëshminë time, të cilës ju si burracak pervers, ju sulet me gjithë arsenalin tuaj të shpifjeve, sharjeve e kërcënimeve të denja vetëm për ju dhe “qytetarin dixhital” të Berishës.
Me respekt nga Izet Haxhija, burgo 302, kati 2, dhoma 21″
Tiranë, më 7 tetor 2018.

Loading...