Ballina Sport Kampionati më i pasur në botë, zbuloni lojtarët më të paguar nga...

Kampionati më i pasur në botë, zbuloni lojtarët më të paguar nga çdo klub i Premier Ligës

Futbollist profesionist tashmë është kthyer në sinonim pasurie dhe nëse luan në kampionatet kryesore të Europës, sinonim milionash.

Gjithnjë e më shumë futbolli po transformohet në një biznes, ku ëndrra nuk është të luash futboll, por të bëhesh milioner nëpërmjet tij.

Premier Liga është maja e piramidës, ku edhe lojtarët modestë në Premier Ligë marrin shifra që një njeri i zakonshëm i ëndërron, ose nuk ka guxim as t’i ëndërrojë.

Ditët e fundit mbrojtësi i Manchester United Luke Shaw firmosi një kontratë të re 5-vjeçare me Red Devils, duke fituar rreth 195.000 sterlina në javë, që do të thotë 9.36 milionë sterlina në vit, rreth 10.6 milionë euro.

Në këtë mënyrë, mbrojtësi i majtë bëhet lojtari i pestë më i paguar tek United, duke qenë pas David De Gea, Paul Pogba, Alexis Sanchez e Romelu Lukaku.

The Mirror ka publikuar një renditje me lojtarët më të paguar në çdo klub të Premier Ligës, për të krijuar një ide se cilat klube shpenzojnë më shumë për pagat.

ARSENAL

Mesut Ozil është mbreti i pagave tek Arsenali, me 350,000 sterlina në javë, 16.8 milionë në vit. Gjermani rinovoi në shkurt të këtij viti dhe ka kontratë deri në 2021, duke u bërë lojtari më i paguar në historinë e klubit.

BOURNEMOUTH

Jermain Defoe fiton pak më shumë se 100,000 sterlina në javë, ndërsa nuk ka luajtur ende këtë sezon, për zgjedhje të trajnerit Eddie Howe. Një ndër yjet e Bournemouthit, Ryan Frase, merr tre herë më pak.

BRIGHTON

Jose Izquierdo e Jurgen Locadia janë më të pasurit në ekipin nga bregdeti jugor i Anglisë, me 45 mijë sterlina në javë, qindarka krahasuar me klubet e kreut, por gjithsesi janë më shumë se 2 milionë sterlina në vit.

BURNLEY

Burnley ka 6 lojtarë në majën e listës së më të paguarve në klub. Robbie Brady, Jack Cork, Steven Defour, Tom Heaton, Jeff Hendrick dhe Chris Wood marrin £35,000 në javë.

CARDIFF

I huazuari Harry Arter është më i paguari te klubi uellsian, por është ndër lojtarët me pagën më të ulët krahasuar me “milionerët” e ekipeve të tjera, sepse Cardiff-i është klubi me buxhetin më të vogël në Premier Ligë.

CHELSEA

Nuk është ndonjë surprizë, “faraoni” i Chelsea-t me të drejtë është Eden Hazard. Belgu është në formë spektakolare dhe merr 200 mijë sterlina në javë, thuajse 10 milionë sterlina në vit.

CRYSTAL PALACE

Pak a shumë si te Chelsea, ylli i ekipit është Wilfred Zaha dhe po ashtu ai është më i paguari, sepse në verë rinovoi deri në 2023 dhe tashmë merr 130 mijë sterlina në vit.

EVERTON

Gylfi Sigurdsson është lojtari më i paguar tek Evertoni, me 150 mijë sterlina në vit, ashtu si braziliani i marrë në verë, Bernard. Edhe Richarlison fiton pak a shumë të njëjtën shifër, por klubi nuk e ka  zbuluar.

FULHAM

Fulham-i çdo sezon bën shumë kujdes me pagat dhe nuk e ekzagjeron, ndaj sulmuesi Aleksandar Mitrovic është më i paguari dhe merr vetëm 50 mijë sterlina në javë.

HUDDERSFIELD

Alex Pritchard merr 110,000 sterlina në javë, shifër e frikshme për modestët e ngjitur vjet në Premier Ligë. Nuk dihet pse Terriers e paguajnë kaq shumë këtë lojtar, sepse bëhet fjalë për më shumë se 5 milionë sterlina në vit, shifra për majat e Premier Ligës.

LEICESTER

Më i paguari te Dhelprat është Jamie Vardy. Sulmuesi i kombëtares angleze merr 100 mijë sterlina në javë, për peshën që ka në ekip dhe për kontributin e madh që dha për titullin historik në sezonin 2015/16.

LIVERPOOL

Mohamed Salah rinovoi këtë verë me Liverpool-in, pas 32 golave sezonin e shkuar dhe kjo i ka vlejtur një pagë prej 200 mijë sterlinash në javë, duke e bërë më të pasurin te The Reds.

MANCHESTER CITY

Kevin De Bruyne udhëheq listën e “sheikëve” të City-t, që shpenzon shifra kolosale për pagat. Mesfushori belg merr 350,000 sterlina në javë, që janë 16.8 milionë sterlina në sezon, një çmenduri.

MANCHESTER UNITED

Nëse flasim për çmenduri, e tillë është edhe ajo e Manchester United, sepse Alexis Sanchez është më i pasuri te Red Devils, me 500.000 sterlina në javë, 24 milionë në vit. E pabesueshme, me aq para mbahen gjysma e klubeve në Premier Ligë dhe nuk është se Sanchez po mahnit.

NEWCASTLE

Newcastle është në një moment të vështirë dhe flitet se klubi do të ndryshojë pronar, ndaj nuk ka pasur as përforcime dhe më i paguari mbetet Jonjo Shelvey, me 70 mijë sterlina në javë.

SOUTHAMPTON

Në verë Danny Ings u mor në huazim nga Liverpool-i, por mbreti i pagave mbetet sulmuesi italian Manolo Gabbiadini, me 80 mijë sterlina në javë. Kur u ble Gabbiadini konsiderohej goditje e madhe, por rendimenti i tij ka qenë mjaft i ulët.

TOTTENHAM

Kush tjetër veç Harry Kane? Sulmuesi i Anglisë rinovoi në fund të sezonit të shkuar dhe tashmë merr 200 mijë sterlina në javë.

WATFORD

Andre Gray merr 70 mijë sterlina në javë në Vicarage Road dhe është më i paguari në klub, ndërsa me Troy Deeney ka formuar një dyshe mjaft cilësore sulmuese.

WEST HAM

Javier Hernandez ishte goditja e madhe e West Ham-it kur e bleu dhe pakkush e besonte këtë lëvizje, për një lojtar që ishte mësuar në nivele më të larta. Gjithsesi, 140 mijë sterlina në sezon dhe kaq, sepse Chicharito nuk është se ka shkëlqyer.

WOLVERHAMPTON

Quhet Ruben Neves dhe është ylli i madh i Wolves, ndaj me të drejtë është më i paguari, me 50 mijë sterlina në javë, që nuk janë shumë për standardet e Premier Ligës.(Telesport)