Ballina Opinione Sfida… si politikë

Sfida… si politikë

Nga Pandeli Majko*

Ka të vërteta brenda vetes që të duhet kohë ti shpejgosh. Kur kupton më shumë, vlerëson se mencuria ka vajtimin e saj. Ai i cili shton dijen, shton edhe dhimbjen.

Në fillimin e viteve 90-ët kisha ndjesi por jo konkluzione. Kisha kujtime të bukura nga fëminia dhe shkolla në periudhën e komunizmit. Koha dhe raporti me lirinë më treguan se të kërkuarit e së bukurës në kohën që jeton mund të jenë edhe kurthe të një gënjeshtre. Pa raportin me të vërtetën, vështirë se do dalim nga gropa e sotme morale e moskuptimit të vetes si shoqëri.

Në Shqipëri jetojmë në kohë ndryshimesh të shpejta. Progresi teknologjik është pranuar si vlerë absolute dhe shoqëria jonë i është nënshtruar atij.

Simboli i vërtetë i kohës të cilën jetojmë janë “bravat” e dyerve tona! Asnjëherë si tani nuk kemi qenë kaq të mbyllur karshi njëri prej tjetrit. Në qytetërimin tonë komunikimi ka ndryshuar kuptimin.

Cilësia e komunikimit po formon një marrëdhënie të re me politikën. Roli i ri i televizionit, rrjeteve sociale dhe fotografia ka bërë që publiku gjithnjë e më pak të besojnë tek “fjala”. Ata besojnë më shumë në atë që shohin me sytë e tyre. Fjalët e mëdha dhe premtimet nxisin shpesh buzëqeshje cinike duke ritur distancën me politikën.

Përballë vështirësive që po lindin për shkak të ndryshimeve të theksuara teknologjike dhe shoqërore, të rinjve ju duhet të ballafaqohen me kaosin e botës shpirtërore ku individi po bëhët dhe më i vetmuar.

Diferencat, kanë bërë që e kaluara gjithnjë e më tepër të “largohet” prej të tashmes duke e humbur vlerën e saj para syve të të rinjve. Komunikimi mes gjeneratave po tkurret dhe më të rinjtë nuk po gjejnë tema të përbashkëta me prindërit e tyre. Komunikimi mes brezit “kompjuterik” dhe prindërve nuk flet të njëjtën “gjuhë”.

Zgjidhjet për disa probleme të cilat në të kaluarën ishin të mira sot e kanë humbur vlerën e tyre. Në vetëdijen e të rinjve, e “vjetra” dhe e “pavlefshmja” kanë marrë të njëjtin kuptim.

Ndryshimet e shpejta në ekonomi dhe teknologji kanë zvogëluar ndjeshëm rolin e familjes në edukimin e fëmijëve. Ka rënë dukshëm ndikimi i prindërve në zhvillimin moral dhe shpirtëror të gjeneratave të reja.

Gërshetimi i kulturave të ndryshme ka sjellë pasiguri në botën shpirtërore të të rinjve. Kërkimi i tyre për të krijuar opinione të qëndrueshme. Ajo shpesh mbaron në relativizmin e vlerave ku nuk mund ta gjejnë veten dhe identitetin e tyre.

Urbanizimi ka ndikuar jo vetëm pozitivisht në zhvillimin shpirtëror të të rinjve në Shqipëri. Jeta në qytet shpesh s’ka domethënie. Ka me qindra nxënës nëpër shkolla që mbesin të “paemër”. Mungesa e identitetit i bën të ndjehen të vetmuar dhe nën trysninë e vetmisë urbane.

Në shoqërinë tonë të konsumit po rrezikon të shuhet cilësia e kujdesit për të ardhmen. Ajo po e humb domethënien dhe po bëhet e largët dhe më e pasigurt.

Familjet që nuk kanë mundur të kapin progresin material ndjehen të varfër, më tepër se më parë, kurse fëmijët e tyre të konsideruar klasë e dytë, thuajse janë të përjashtuar nga gjenerata e tyre.

Përdorimit të drogës në Shqipëri po mbështetet nga kultura e cila të tashmen nuk e konsideron qëllim. Ajo e konsideron të kaluarën dhe të tashmen si “mjete”.

Mjaft të rinj vetëm të ardhmen e kuptojnë si qëllim. Kjo mënyrë jetese e cila vetëm shpreson se do të jetojë po krijon pamjaftueshmërinë, varësinë dhe zbrazëtinë e cila mban larg të rinjtë nga jeta aktive.

Ndarja mes gjeneratave sot në Shqipëri është më e madhe se në të kaluarën. Po shfaqet problemi i keqtrajtimit të moshës së tretë duke i vlerësuar si të padobishëm. Prindërit e moshuar po mbyllen në shtëpi pleqsh ose lihen të izoluar si provë e vështirësisë të brezit të ri në harmoninë me të vjetrit.

Të rinjtë po rrezikojnë të humbin kuptimin për natyrën. Çrregullimi ambiental po robëron kulturën e jetës me betonin e hirtë të qyteteve.

Miq

Unë nuk jam pesimist. Në se kjo do të ishte e vërtetë nuk do të merresha me politikë. Kur më ftuat të flisja për temën “sfidat” u ndjeva në vështirësi. Kjo fjalë sot tek ne, “lundron” midis asgjës dhe gjithckasë.

Fondacioni juaj që organizon këtë aktivitet mban emrin “Qemal Stafa”. Ai ishte komunist. Por, Qemal Stafa kishte një vecanti. Ai përfaqësonte shpresë dhe ëndër për të nesërmen për brezin e tij nën okupacionin e vendit.

Pa krijuar ëndrën e kohës suaj mos tentoni seriozisht të merreni me politikë. Do ktheheni vec në “burokratët” e saj. Do të keni fundin e shokëve të Qemal Stafës.

Ai i cili shton dijen, shton edhe dhimbjen. Politika nuk diskuton kujtimet. Janë veprimet ato që na bëjnë. Ato përcaktojnë vlerat e cdo kohe. Kjo ëshë sfida e sfidave.

*Fjala në Akademine Politike të të rinjve të Partisë Socialiste, Tiranë 15 shtator 2018