Ballina Aktualitet Sëmundjet dhe medikamentet që shtojnë ndjesinë e lodhjes: Këshillat se si duhet...

Sëmundjet dhe medikamentet që shtojnë ndjesinë e lodhjes: Këshillat se si duhet të veproni

SHPËRNDAJE

Lodhja është kryesisht një simptomë dhe jo një sëmundje në vetvete. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se është mjaft e rëndësishme që mjeku me ndihmën e pacientit të zbulojë shkakun themelor të lodhjes. Marrja e kujdesshme e anamnezës së pacientit (informacioni dhe përshkrimi i shqetësimeve) është pika kyçe që e orienton mjekun drejt diagnozës së saktë, ose të paktën mund të sugjerojë ekzaminimet e duhura mjekësore që ndihmojnë dhe zgjidhin diagnozën.

Në përgjithësi kjo simptomë shkaktohet nga sëmundje të ndryshme, si dhe nga përdorimi i medikamenteve të caktuara. Në vijim të shkrimit, mjekja shpjegon arsyet më të shpeshta që na bëjnë të ndihemi të lodhur, rastet kur duhet të kërkojmë ndihmë të specializuar mjekësore, si dhe këshillat që duhet të ndjekin për trajtimin e duhur të kësaj simptome.

Çfarë duhet të kuptojmë me lodhje dhe si nis të shfaqet kjo simptomë?

Lodhja mund të përshkruhet si mungesë e energjisë dhe e motivimit (pra fizike dhe mendore). Kjo është ndryshe nga përgjumja, një term që përshkruan nevojën për të fjetur, edhe pse të dyja mund të ndodhin njëkohësisht. Përveç përgjumjes, simptoma të tjera mund të ngatërrohen me lodhjen, duke përfshirë këtu frymëmarrjen e shpeshtuar dhe dobësinë muskulare. Edhe këto simptoma mund të ndodhin njëkohësisht. Gjithashtu, duhet theksuar që lodhja mund të jetë një përgjigje normale ndaj aktivitetit fizik dhe mendor, por që në individët normalë  kalon shpejt (disa ore, ose dy-tre ditë) duke zvogëluar aktivitetin. Kuptohet që kjo është edhe në varësi të intensitetit të aktivitetit.

Po ashtu edhe shumë sëmundje mund të rezultojnë me ankesën e lodhjes, e cila mund të jetë fizike, psikologjike, ose një kombinim i të dyjave. Shpesh, simptoma e lodhjes ka një fillim gradual dhe shpesh kalon pa u vënë re nga pacienti. Pacientët ankohen kryesisht për mungesë të motivimit, ose aftësisë për të filluar një aktivitet, lodhje dhe vështirësi për t’u përqendruar dhe për ta përfunduar aktivitetin dhe këto simptoma mund të jenë prezent për një kohë të gjatë. Megjithatë, individë të ndryshëm mund t’i përshkruajnë ndryshe simptomat e lodhjes. Ka njerëz që ankohen edhe për dhimbje koke, dhimbje fyti, ndjenjën e mbytjes, rraskapitje, topitje, dëshirë për të fjetur, mungesë energjie, etj.

Po çfarë e shkakton konkretisht ndjesinë e lodhjes?

Ka shumë shkaqe të mundshme që e kanë lodhjen si ankesë kryesore. Ndër to theksojmë sëmundjet që shkaktojnë furnizimin e dobët me gjak të indeve dhe organeve, sëmundje që prekin metabolizmin, infeksionet dhe sëmundje të ndryshme inflamatore.

Gjithashtu, lodhja është dhe një efekt i përbashkët anësor i shumë medikamenteve. Ndërsa shumë pacientë me problem psikologjike, shpesh ankohen për lodhje fizike dhe mendore. Për një grup  pacientësh, shkaku i lodhjes mbetet i pasqaruar. Në pjesën dërrmuese të rasteve kjo simptomë shkaktohet nga prania e sëmundjeve të caktuara, si dhe nga përdorimi i ilaçeve.

Si variojnë simptomat klinike në varësi të shkakut themelor që shkakton lodhjen?

Pacientët që vuajnë nga sëmundje të zemrës, sëmundje të mushkërive, ose anemia mund të ankohen për një mungesë frymëmarrje dhe lodhje gjatë aktiviteteve minimale. Personat me diabet mund të ankohen për urinim të shpeshtë (polyuria), etje (polydipsia), ose problem me shikimin. Personat me ulje të funksionit të tiroides kanë ndjenjën e lëkurës së ftohtë, të thatë dhe të flokëve të brishtë. Pra është mjaft e rëndësishme nga ana e personelit shëndetësor që ta analizojnë simptomën e lodhjes në kontekstin e të gjitha ankesave të pacientit, në përpjekje për të përcaktuar një diagnozë të saktë shkakësore. Ndaj e ritheksoj është shumë e rëndësishme që të pyetet me hollësi pacienti për problemet e ndryshme që mund të ketë, duke na ofruar informacione se çfarë sistemi organesh mund të jenë përfshirë.

Si mund të përcaktohet kjo gjë?

Pyetjet duhet të jenë të orientuara se si ndihet pacienti në mëngjes kur zgjohet, a përparon lodhja gjatë ditës, fillon papritur apo gradualisht, fillon në gjendje qetësie, apo pas një aktiviteti fizik (qoftë i lehtë apo i rëndë), çfarë e rëndon dhe çfarë e qetëson situatën, a është lodhja vetëm fizike, apo edhe mendore, si ka ndryshuar jeta e pacientit për shkak të lodhjes, është kjo një ngjarje e përditshme apo periodike.

Po në lidhje me simptomat e tjera dalluese çfarë mund të themi?

Simptoma të tjera të lidhura me lodhjen përfshijnë: humbje në peshë, të vjella dhe diarre, dhimbje gjoksi dhe gulçim, ethe, temperaturë, dhimbje ose dobësi muskulare, ankthi dhe deprimimi. Po ashtu nuk duhet harruar të pyetet pacienti rreth gjendjes sociale dhe psikologjike, për alkoolin dhe drogat. Për shkak se lodhja është një simptomë e tillë jospecifike , biseda duhet orientuar me shumë kujdes që të jetë produktive. Është gjithashtu mjaft i rëndësishëm ekzaminimi fizik i pacientit për të kërkuar shenjat themelore të sëmundjes, pamja e përgjithshme e pacientit në kërkim të higjienës, shenjave vitale dhe praninë e ankthit, apo të shqetësimit. Dhe natyrisht që diagnoza kompletohet me ekzaminimin dhe vlerësimin e sistemeve të ndryshme të organizmit (zemra, mushkëritë, barku, sistemi neurologjit, etj.) pasuar me ekzaminimet përkatëse laboratorike.

Si trajtohet kjo simptomë mjaft e shpeshtë?

Meqenëse lodhja është simptomë e një gjendjeje themelore, trajtimi varet nga gjendja që shkakton lodhjen, pavarësisht nëse është fizike, psikologjike, ose një kombinim i të dyjave. Disa simptoma mund të zgjidhen menjëherë sapo trajtohet gjendja themelore. Për shembull individët që trajtohen për aneminë, ndihen shumë më mirë sapo rritet numri i rruazave të kuqe të gjakut, ose niveli i hekurit ndërsa ata që trajtohen nga mononukleoza infektive mund t’u duhen javë të tëra që nivelet e tyre të energjisë të kthehen në vlerat normale.

Njohja sa më e hershme e lodhjes dhe kërkimi i ndihmës mjekësore do të bëjë të mundur gjetjen e shkakut dhe trajtimin e hershëm të tij. Ndonjëherë simptomat e lodhjes lindin gradualisht dhe është e vështirë për personin të kuptojë se ka një problem. Vetëvlerësimi i performancës së organizmit është shpesh i vështirë, pasi individët mund të kalojnë në sforcime për të arritur objektivat e përditshme duke anashkaluar shqetësimet e tyre. Prandaj janë të rëndësishme kontrollet dhe ekzaminimet rutinë tek mjeku sipas protokolleve të përcaktuara për të qenë në kohë për trajtime të hershme të shumë problemeve shëndetësore.

Lodhja e shkaktuar nga sëmundjet

Ndër sëmundjet kryesore që shkaktojnë lodhjen përmendim anemitë, funksionin e ulur të tiroides, çrregullimet e elektrolitëve në gjak (kripërat minerale), sëmundje të veshkave, sëmundje të mëlçisë, sëmundje të mushkërive, sëmundje të zemrës, sëmundjet reumatizmale, mononukleoza infektive, gripi, SIDA, hepatit, tuberkulozi, malaria dhe shumë sëmundje të tjera infektive, të cilat ndikojnë në dobësimin e imunitetit dhe shfaqjen e ndjesisë së lodhjes.

Medikamentet që na bëjnë të ndihemi të lodhur

Ndër medikamentet që japin lodhje përmendim së pari preparatet që ndihmojnë për gjumin, medikamentet kundër alergjisë (antihistaminikët) qetësuesit e dhimbjeve, kortizonikët, antidepresivët, kimioterapitë. Po ashtu mund të shkaktojnë lodhje edhe abuzimi me alkoolin dhe drogën, obeziteti, çrregullimet e ushqyerjes (anoreksia dhe bulimia), mungesa e vitaminave të ndryshme (për shembull Vitamina B12, Vitamina D), mungesa e acidit folik, e hekurit, etj.

Loading...