Ballina Bota Salvini: Me Viktor Orban, së shpejti sundojmë Europën

Salvini: Me Viktor Orban, së shpejti sundojmë Europën

Një masë ndëshkimore e ndërmarrë nga BE kundër Hungarisë, për shkak të qëndrimeve të kryeministrit Viktor Orban, i profilizuar tashmë si një ekstremist i djathtë me prirje pro-Moskës, ka bërë që të aktivizohen akoma dhe më shumë fryma anti-Bruksel brenda Unionit.

Është Matteo Salvini i Liga-s, njëherësh ministër i Brendshëm dhe zv.kryeministër i Italisë, i cili në një takim me zv.Kancelarin austriak dhe njëherësh ministrin e Brendshëm e liderin e FPO-së, parti e ekstremit të djathtë, Heinz-Christian Strache, u pozicionuan krah Viktor Orban.

Më parë këtë e kanë bërë dhe Polonia e Çekia, që të dyja me qeverisje të djathta dhe anti-emigrant.

“Jam i bindur se pas disa muajsh, së bashku me Orbanin do të sundojmë Europën”, tha Salvini, duke shtuar se “sanksionet kundër Hungarisë janë një çmenduri”.

Salvini dhe Strache njoftuan bashkëpunim të mëtejshëm midis partive respektive, në parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian.

“Në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ne do ta ndryshojmë plotësisht Evropën dhe do t’i nxjerrim socialistët nga qeveria evropiane”, deklaroi Salvini.

Ai tha se po punonte me shumë parti të tjera, shtete dhe qeveri, për të ndryshuar historinë e kontinentit majin e ardhshëm.

Strache vuri në dukje se FPO dëshiron të thellojë më tej bashkëpunimin me Liga-n.

“Ka shumë ngjashmëri mes nesh. FPO dhe Liga janë të dyja në qeveritë e vendeve të tyre”, theksoi ai.

Salvini vuri në dukje se shumë u iniciua gjatë presidencës austriake të BE, e cila kontribuoi në “madje edhe ngjalljen” e Komisionit Evropian.