Home Technology Privatësia në rrjetet sociale, gjigantët e internetit kërkojnë ligje më të forta

Privatësia në rrjetet sociale, gjigantët e internetit kërkojnë ligje më të forta

Në Shtetet e Bashkuara, kompanitë gjigande të komunikimit dhe të medias sociale, janë duke u bërë thirrje ligjvënsve, që të hartojnë ligje të forta për të mbrojtur të dhënat personale të amerikanëve, pa penguar novacionet e fushës së teknologjisë.

Komisioni i Tregtisë i Senatit, dëgjoi të mërkurën dëshmitë e drejtuesve të firmave Apple, Amazon.com, Google, Twitter, dhe AT&T, në një kohë kur vazhdimisht ka probleme me të dhënat personale të njerëzve; një numër i madh amerikanësh nuk kanë dijeni se si dhe kush mund të përdorë të dhënat e tyre personale; ndërkohë autoritete shtetërore nga Bashkimi Europian e deri në Kaliforni kanë vendosur rregullore për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorëve.

“Në botën e sotme, kur të dhënat janë të një rëndësie të veçantë, është më e rëndësishme se kurrë që të ruhet besimi i konsumatorëve dhe për t’u dhënë atyre kontroll mbi informacionet personale”, tha Nënpresidenti për Politikat Globale i Kompanisë AT&T, Leonard Cali.

Drejtuesit e kompanive teknologjike u kërkuan ligjvënësve të zbatojnë standarte në nivel kombëtar, të cilat do t’i ndalonin shtetet individuale të merrnin masa nga ana e tyre, sikurse ka bërë Kalifornia.