Ballina Sport Mërgim Mavraj flet si lojtar i Aris: Ju tregoj orët e mia...

Mërgim Mavraj flet si lojtar i Aris: Ju tregoj orët e mia të para në Selanik

Mërgim Mavraj është prezantuar të premten me ekipin e tij të ri, Aris të Selanikut. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare sistemohet për vazhdimin e karrierës, pasi ka kaluar një periudhë të vështirë thuajse 6-mujore: fillimisht i përjashtuar nga ekipi i parë i Hamburgut, pastaj pa klub, deri në fillim të shtatorit.

Kjo “hallakatje sportive” i kushtoi edhe vendin e titullarit me fanellën kuqezi, gjë të cilën synon ta rikuperojë me aktivizimin në kampionatin elitar helen. Për mediat e fqinjit tonë jugor, Mavraj ka dhënë deklaratën e parë si lojtar i Aris të Selanikut.

Përshtypjet e tij të para: “Faleminderit shumë për pritjen. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Orët e mia të para në Selanik ishin unike. Vizitova fushën ku do të luajmë dhe e imagjinova veten në një stadium të mbushur plot, me tifozë të zjarrtë”.

Roli i Migjen Bashës: “Ne jemi bashkëlojtarë dhe miq në kombëtaren e Shqipërisë. Natyrisht, kam folur shumë me të për këtë transferim. Basha më tha fjalët më të mira për Aris. Ishte një nga arsyet, që zgjodha të vija këtu. Gjëja më e rëndësishme tani është që takohem dhe njihem me bashkëlojtarët dhe trajnerin, për të provuar emocionet e dhomave të zhveshjes dhe mjedisin e ekipit”.

Për ekipin e tij të ri: “Është me të vërtetë një sfidë dhe aventurë e re, Aris. Mezi pres që ta përjetoj atë. Do të jetë diçka emocionuese, me të cilën dua të kënaqem”.