Ballina Bota Analiza Mashtrime dhe fake news: pse shumë njerëz vazhdojnë të besojnë

Mashtrime dhe fake news: pse shumë njerëz vazhdojnë të besojnë

Sipas një studimi të botuar në Open Mind, nuk është mungesa e inteligjencës që i shtyn njerëzit të besojnë të ashtuquajturat broçkulla shkencore, por mënyra se si reagojnë njerëzit me të cilët ndërveprojmë

Pse disa njerëz refuzojnë të besojnë në faktet shkencore, të tilla si fakti se toka është e rrumbullakët apo se ndryshimi i klimës ekziston dhe është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, edhe pse kanë në dispozicion një numër të madh testesh dhe demonstrimesh? Sipas grupi shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, kjo nuk është për shkak të mungesës së inteligjencës ose të kuptuarit, por reagimet që shkaktojnë këto pretendime, kur ne ndërveprojmë me njerëz të tjerë.

Të qënit të rrethuar nga një grup njerëzish, të cilët mendojnë si ne dhe që i përgjigjet pozitivisht asaj që ne besojmë, në fakt ka mbi gjërat që besojmë, një efekt shumë më konsolidues se sa logjika apo arsyetimi, dhe na shtyn që të mendojmë se dijmë më shumë nga sa dijmë në të vërtetë, ndërkohë që informohemi më pak. Nga ana tjetër, nëse jemi të rrethuar nga njerëz që dyshojnë në ato që themi, është shumë më e lehtë që besimet tona të lëkunden. Me pak fjalë, sa më shumë që ne të jemi të sigurt se ajo që themi është e drejtë, aq më pak marrim parasysh mendimin e të tjerëve, apo rezultatet shkencore që e përgënjeshtrojnë.

Në studimin e botuar nga Open Mind morën pjesë 500 vetë, dhe secilit iu shfaqën në një ekran 24 forma gjeometrike me ngjyra. Secilit prej pjesëmarrësve iu kërkua të thonë nëse secila prej formave ishte një Daxxy, një formë e shpikur posaçërisht për eksperimentin. Pas çdo tentative, pjesëmarrësve iu kërkua nëse ishin të sigurt për përgjigjen, dhe kompjuteri u thoshte nëse përgjigja ishte e saktë ose jo. Nga rezultatet doli që siguria e pjesëmarrësve bazohej pikësëpari në reagimet e 4-5 tentativave të fundit, dhe jo të gjithë eksperiencën.

“Ajo që na u duk interesante ishte se, nëse pjesëmarrësit gabonin në 19 përpjekjet e para, por gjenin 5 të fundit, ata bëheshin shumë të sigurt”, ka shpjeguar Louis Marti, autor kryesor i kërkimit. “Jo se po kushtonin vëmendje, po mësonin ç’është një Daxxy, por thjesht nuk po përdornin gjithë sa kishin mësuar. Nëse dikush dëshiron të shkojë tek e vërteta, përdorimi i feedback-ut të marrë më së fundmi, dhe jo i të gjithëve që ka akumuluar me kalimin e kohës, nuk është strategji e mirë”.

Autorët theksojnë se si kjo konfirmon diçka që tashmë e dinim, mbi të mësuarit: duhet të jemi të vetëdijshëm se ka një boshllëk në atë që dimë. Nëse nuk mendojmë se njohuritë tona janë të paplota, atëherë nuk mund të mësojmë informacione të reja.

Në veçanti, kjo do të ishte gjithashtu e vërtetë në kontekstin e lajmit të rremë, vërtetësia e të cilit vazhdimisht përforcohet në internet dhe në mediat sociale: “Nëse përdorni një hipotezë absurde për të bërë disa parashikime të sakta, mund të filloni të besoni tek ajo hipotezë, dhe nuk do të jeni më të interesuar të mësoni se pse mund të jetë e gabuar”, përfundoi Celeste Kidd, bashkëautor i studimit.

Burimi: Galileo

Në shqip nga bota.al