Ballina Kryesore Autori i planit për pavarësinë e Kosovës: Ndarja është rrugë e gabuar,...

Autori i planit për pavarësinë e Kosovës: Ndarja është rrugë e gabuar, debati për ketë tregon mendësinë fisnore mesjetare

SHPËRNDAJE

Njëri nga autorët e planit për pavarësinë e Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan, ka kundërshtuar idenë për copëtimin e Kosovës. Ai kritikon ashpër politikanët e Prishtinës edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 2013 me Serbinë në Bruksel, e cila, sipas tij, mundëson një Republika Srpska brenda Kosovës. Rohan tha: «Unë nuk do ta kisha nënshkruar këtë marrëveshje, sepse ajo shkon në drejtim të kuazi-shtetit – dhe kjo është në kundërshtim me planin e Ahtisaarit. Ne kemi synuar një shoqëri multietnike në territor unik».

Për dallim nga diplomati i pensionuar Wolfgang Petritsch dhe komisioneri i BE-së Johannes Hahn, të cilët aktivisht janë kyçur në fushatën për ndarjen e Kosovës, kundër kësaj ideje është pozicionuar Albert Rohani, i cili bashkë me Martti Ahtisaarin dhe me mandat të OKB-së përpiloi planin për shpalljen e pavarësisë së OKB-së.

Rohan i tha gazetës vjenezë «Standard» se propozimet aktuale për ndryshimin e kufijve janë një «fata morganë».

Rohan përkujtoi se në Kushtetutën e Kosovës përcaktohet qartë se Kosova nuk ka ambicie territoriale ndaj vendeve fqinje dhe nuk synon bashkim me shtete apo pjesë të shteteve të tjera. Kjo, sipas tij, është bërë për të penguar planet për «Shqipërinë e Madhe» dhe «Serbinë e Madhe».

Gazeta austriake nënvizon se plani i Ahtisaarit qëndron mbi Kushtetutën e Kosovës. Edhe në parimet themelore të Grupit të Kontaktit nga viti 2006 ndryshimi i kufijve përjashtohet. «Kurrë nuk kemi synuar shkëmbim territoresh. Unë e konsideroj këtë si rrugë të gabuar», tha Rohan. «Sepse kjo reflekton supozimin se pjesëtarët e grupeve të ndryshme etnike nuk mund të jetojnë bashkë dhe duhet krijuar hapësira homogjene etnike. Por, kjo është mendësi fisnore mesjetare, të cilën ne në komunitetin europian nuk duhet ta përkrahim».

Sipas diplomatit austriak përkundër konflikteve të së kaluarës duhet besuar se edhe shoqëritë në Ballkan mund të jenë multietnike. Ai theksoi se arsyeja përse kanë përjashtuar ndarjen e Kosovës bashkë me Ahtisaarin ka qenë edhe evitimi i rrezikut të zhdukjes së pakicës serbe në pjesën qendrore dhe lindore të Kosovës.

«Atëbotë, në bisedimet për status në Vjenë ne vazhdimisht u kemi thënë negociatorëve serbë: ju do të merrni diçka. Bashkësia serbe me siguri mund të mbijetojë në Kosovë dhe të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse.

Por, ata nuk kanë qenë të interesuar për këtë, por vetëm për territor». Rohan deklaroi se plani i Ahtisaarit në përgjithësi është zbatuar, por veriu nuk është integruar plotësisht në shtet. «Serbët e Kosovës nuk e kanë kuptuar sa duhet se çfarë mundësish u jep kjo. Qeveria serbe ka përkrahur strukturat paralele, dhe bashkësia ndërkombëtare ka treguar pak vendosmëri për të integruar veriun».

Rohan përkujton se për të integruar veriun është dashur të jepen para. Ai tregoi se administratori i OKB-së në Kosovë Bernhard Kouchner kishte thënë: po t’i kisha 500 milionë euro në vit, do të mund ta integroja Kosovën veriore. Sipas Rohan ka qenë gabim që nuk ishte hapur ura në Mitrovicë në drejtim të anës serbe dhe trupat e NATO-s nuk e kishin mundësuar këtë. Rohan tha se janë bërë përpjekje që përmes planit të Ahtisaarit dhe duke u bazuar në Kartën e Këshillit të Europës të shfrytëzohen mundësi për vetëqeverisje lokale të komunave serbe në Kosovë.

«Komunat mund të bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme, për shembull të kenë zjarrfikës të përbashkët dhe të ushtrojnë funksione lobimi te qeveria qendrore kur bëhet fjalë për buxhetin», tha Rohan. Por, një përfaqësim i tillë i interesave, sipas tij, nuk nënkupton që bashkësia e komunave të ketë funksione ekzekutive. Rohan tha se pas marrëveshjes së vitit 2013 gjërat shkuan në drejtim tjetër. «Aty parashihen institucione me organe si në Republika Srpska».

«Unë nuk do ta kisha nënshkruar këtë marrëveshje, sepse ajo shkon në drejtim të kuazi-shtetit – dhe kjo është në kundërshtim me planin e Ahtisaarit. Ne kemi synuar një shoqëri multietnike në territor unik». Rohan tha se është dashur që Serbisë t’i komunikohet qartë se pa njohjen e Kosovës nuk mund të pranohet në BE. Diplomati austriak nënvizoi se vendet e BE-së duhet të flasin qartë si Gjermania.

Sipas Rohan në debatet për ndarjen e Kosovës ekziston edhe një dimension gjeopolitik. «Përherë ka pasur thashetheme se një pazar për Kosovën mund të ndërlidhet me një pazar për Krimenë. Mund ta marrë me mend se presidenti rus Vladimir Putin e merr këtë në konsideratë në prapavijë. Por, s’ka plan të mirëmenduar për këtë».(dp)

Loading...